“Vdekja e Mbretëreshës”, BBC-ja “demonton” teknikën e një lajmi të rremë

Postuar në 05 Janar, 2017 09:59

BBC-ja shkruan sot për ngjarjen mediatike të “vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II”. Lajmi doli në ditët e fundit të dhjetorit përmes platformave sociale dhe u përhap në Britaninë e Madhe dhe Europë si i vërtetë, ndërkohë që mbretëresha ishte në fakt e sëmurë me një të ftohtë. Ka rëndësi të theksohet se burimi ka qenë një profil në Twitter – një profil personal që në datën 29 dhjetor shkruante për një “blackout total të medias” në mbulimin qeveritar të vdekjes së supozuar të Elisabeth II. Siç shkruan BBC, personi që qëndron pas llogarisë në Twitter poston zakonisht statuse që kanë të bëjnë me futbollin dhe lifestyle dhe vetëm në datën 29 dhjetor, u postua statusi në fjalë që u përhap masivisht. Ka rëndësi të theksohet se teknikisht sulmi ka qenë shumë i studiuar, të paktën sipas dinamikës që ndërton BBC.

“29 dhjetor, ora 06.20 – termi “media blackout” përmendet për herë të parë nga një llogari, konkretisht @ecclesmanutd. “Sapo mora vesh për një censurim total lajmesh në Mbretërinë e Bashkuar #mediablackout #blackout @SkyNews @BBCNews @BBCBreaking"”, raporton BBC.

Që këtej, një postim shumëfishohet e të përhapet në formën e një infeksioni. BBC-ja shton se pati pastime që deklaronin se kishin dëgjuar në radio diçka të tillë, ndërkohë që në mesditë u publikua një llogari false e BBC-së që deklaronte se mbretëresha kishte vdekur. Nga spekullimi në dizinformim të pastër duke synuar qartazi goditjen e mediave tradicionale si të asociuara me pushtetin në mbulimin e sekreteve. Falsifikimi i logos dhe llogarisë së BBC-së ishte mesa duket gabimi i atyre që qëndronin pas kësaj loje, pasi që nga ai moment e deri në darkë, çdo postim për këtë çështje u tall.

Në datën 30 dhjetor në lojë hyn një profil tjetër, sërish në Twitter i cili me fotomontazhe dhe statuse shtron pyetje nëse dikush po merr informacione nga mediat kryesore për atë që ka ndodhur. Sulmi synon pra televizionet kryesore që akuzohen se vazhdojnë të censurojnë një lajm shumë të rëndësishëm. Duhet thënë se profili "Ian56” arriti maksimumin e ndjekësve duke mbajtur në tension informativ ndjekësit që u vunë nën presionin e një bllokimi virtual. Statusi humbi vlerën kur BBC-ja njoftoi një aktivitet nga Pallati Mbretëror, ndërkohë që gjithnjë sipas raportimit të rrjetit britanik, një sërë llogarish false mësynë profiling e mësipërm duke i bërë pyetje gjithfarëshe për “vdekjen e mbretëreshës”.

http://www.bbc.com/news/blogs-trending-38510353

Një ngjarje që sjell në në vëmendje shqetësimin e ngritur në nivelet më të larta për lajmet false. Pak a shumë ajo që ndodhi në SHBA, por kësaj radhe me një iniciativë të qëllimshme të zbërthyer. Në SHBA mediat tradicionale dështuan në misionin e tyre duke u rreshtuar, ndërkohë që në rastin e vdekjes së Mbretëreshës kemi një televizon që ulet e raporton për një rast konkret e të vërtetë. Duke hedhur dritë edhe mbi teknikën e mbjelljes së lajmeve të tilla, të cilat siç shihen origjinojnë në platformat sociale. Po kështu numri i madh i ndjekësve, apo like-ve në Facebook, ofron një mundësi për masivizimin e informacionit pavarësisht se besueshmëria nuk lidhet me numrin e ndjekësve apo like-ve.

Duhet thënë se debati që zhvillohet këtu ndryshon shumë nga ai që po synohet të imponohet në Shqipëri ku në fokus të pushtetit janë portalet. Në mediat sociale profili i krijuar është përfaqësim privat i një hapësire ku mundet të postosh e zhvillosh mendime apo edhe fantazi politike. Ndërkohë që mediat online janë një tjetër gjë. Të kujtojmë këtu se para disa javësh u përfol mbyllja për shkak të raportimeve të shumëfishta në qendrën e Facebook e një faqeje që vetëm satirizon pushtetin në Tiranë.

Jemi krejt në anën e kundërt të këtij debati që po zhvillohet në Perëndim. Pushteti në Tiranë nuk ka ditur për asnjë çast të provojë se gjendet përballë lajmeve false dhe përpjekja e bërë në Transparenca.al ka degraduar në një lloj Gazete Zyrtare me natyrë interpretative. Akuzat që sot qeveria shqiptare përpiqet të sqarojë lidhen me prokurime publike, me çështje që kanë të bëjnë me paranë publike dhe jo me zhvillimin e konspiracioneve që mundet të afektojnë humorin dhe gjendjen psikologjike të shoqërisë.

Nëse do të sjellim një shembull ilustrues mund të themi se lajmi më afër këtij pretendimi që sot ushtarët e Edi Ramës përpiqen ta zgjerojnë si karakter përgjithësues të medias, ishte Raporti Konfidencial i OSBE-së. I cili nuk ka për përgjegjës edhe aq median në vetvete që ofroi në publikim kopjen e dokumentit. OSBE-ja vetë e titullonte raportin Konfidencial, edhe pse më vonë doli e pranoi se informacionet e atyshme ishin marrë nga media duke provuar sëkëlldinë e madhe të publikimit të një materiali të tillë. Dhe në fund duhet të shtojmë se qeveria shqiptare ndonëse ka miratuar ligjin për të drejtën e informimit dhe të njoftimit publik ka shënuar rekorde negative në zbatimin e tyre: për të parin ka humbur thuajse të gjitha çështjet me Komisionerin përkatës, kurse të dytin nuk e ka zbatuar thuajse asnjëherë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.