Berisha 2017: Në pritje të Trump-it dhe të Metës

Postuar në 04 Janar, 2017 02:34
Eduard Zaloshnja

Në vitin 1992, Berisha erdhi për herë të parë në pushtet, falë votës së mbi 1.1 milionë shqiptarëve që votuan për ndryshimin e sistemit (jo domosdoshmërisht për të personalisht).

Më 2005-ën, kur erdhi në pushtet për herë të dytë, vetëm 550 mijë zgjedhës votuan për kandidatët e përzgjedhur prej Berishës (50 mijë të tjerë votuan për kandidatët e Leka Zogut). Edhe pse kandidatët “e majtë” morën 770 mijë vota, Berisha e siguroi shumicën në Kuvend, falë përçarjes së votave të “së majtës”, e cila nuk kishte nga një kandidat të vetëm për çdo zone elektorale, por nga 6 të tillë (kandidatët e Metës ishin ata që krijuan çarjen më të madhe).

Më 2009-ën, në kulmin e pushtetit të dytë të Berishës, vetëm 710 mijë zgjedhës votuan për koalicionin e udhëhequr prej tij, prandaj, për të siguruar qëndrimin në pushtet edhe katër vjet të tjerë, ai u detyrua të bënte koalicion me Metën.

Më 2013-ën, me largimin e Metës nga koalicioni “i djathtë”, vetëm 680 mijë zgjedhës votuan për vazhdimin e pushtetit të dytë të Berishës, ndërsa mbi 1 milion zgjedhës të tjerë votuan që ai të dilte në pension. Por Berisha nuk është nga ata politikanë që del lehtë në pension…

Në vjeshtën e 2014-ës, pasi PD-ja kishte sulmuar publikisht në mënyrë barbare Metën, ky i fundit, gjatë një metingu në Çorovodë, i çoi një mesazh publik Berishës, duke i thënë se “është malësor Skrapari, dhe Doktori e di që po-ja është ‘po’, kur del nga goja e një malësori”. Që prej asaj dite, sulmet e PD-së ndaj Metës pushuan. Gjë që lë të kuptohet se strategjia e Berishës për ardhjen e tretë në pushtet mbështetet te një shkëputje e Metës nga Rama. Numrat e mësipërm janë kokëfortë…  

Në vjeshtën e 2016-ës, pas fyerjes publike që Rama i bëri Donald Trump-it në rrjetin televiziv CNN, dhe pas fitores së papritur të këtij të fundit në garën presidenciale amerikane, duket se u rrit shpresa e Berishës për ardhjen e tij të tretë në pushtet (pavarsisht se kë do të caktojë si kandidat për të luajtur rolin e kryeministrit kukull). Duke gjykuar nga ato që shkruajnë përditë ai dhe njerëzit rreth tij, duket që shpresa e tyre është se administrata e ardhshme Trump do ta silurojë Ramën dhe, për rrjedhojë, Meta do të kalojë në koalicion me PD-në. Kjo gjë do të krijonte në qershor 2017 një shumicë parlamentare të ngjashme me të 2009-ës...

Por në këtë skenar ka diçka që duket se nuk është marrë parasysh nga Berisha & co. Në qoftë se edhe Meta mendon vërtet se administrata Trump do ta silurojë Ramën (siç mendojnë Berisha & co.), ai nuk ka pse të kalojë “djathtas”. Meta mund të vazhdojë të rrijë tek “e majta”, me shpresë se një ditë mund të dalë vetë në krye të saj – në të, përveç Ramës, ende nuk ka një pretendent të fortë për kryeministër.

Dhe kur vjen puna për postin e kryeministrit, premtimet e “malësorëve” janë po aq të mbajtshme sa ato të “fushorëve”…

 

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

O Zalo Vangjeli, botoi mer komentet. Po keshtu do behesh analist antisistems ti, duke i ikur dhe nje komenti kritik? Do bythe kjo pune mer Zalo, edhe ju lepiresit e Vrasesit te Sharres nuk i keni.

Mos u be merak se tash po vjen ai ligji i Alfred Pezes qe do ua mbylli gojen kritikeve, edhe ti do dalesh prap si analist i gjitheditshem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.