Tregëtia politike me reformën në drejtësi

Postuar në 03 Janar, 2017 13:14

A do të detyrohet kryeministri të japë dorëheqjen? Ky është titulli i një shkrimi në gazetën e majtë izraelite “Haaretz”, një kritike e fortë e Benjamin Netanyahut. Shkrimi merr shkas nga “mësymja” e policisë në shtëpinë e kryministrit për ta marrë në pyetje rreth hetimeve ndaj tij. Akuzat janë dy: korrupsion përmes dhuaratave dhe tjetra një çështje më e madhe, por për të cilën nuk jepen hollësi.

Gazeta hipotetizon skenarët që mund të zhvillohen duke patur parasysh se policisë që është në varësi të qeverisë iu deshën 9 muaj për të kaluar nga një “eksplorim i çështjes në një hetim të plotë”. Netanyahu ka pranuar dhurata nga njerëz të pasur, filantropë etj., diçka që arrin në mijëra euro. Por gazeta shkruan se këtë ai mundet ta justifikojë. Çfarë ka rëndësi është implikimet politike që pasojnë këtë goditje e cila duhet të marrë një përgjigje. Nëse hetimi ecën siç duhet, Netanyahu mund të japë dorëheqje, në të kundërt ai mund të kërkojë zgjedhje dhe kjo mund të bëjë të panjohur rezultatin. Kjo çështje po zhvillojet ndërkohë që ish-kryeministri Ehud Olmert ka nisur të vuajë dënimin me 19 muaj burg për shkak se u gjet fajtor në akuzën për korrupsion kur ka qenë kryebashkiak i Jeruzalemit.

Rasti në fjalë thotë shumë për një shtet funksional dhe një opinion publik aktiv, megjithë rezervat e mëdha që ekzistojnë për Izraelin. Të vihet re se “Haaretz” akuzon policinë për vonesa dhe zvarritje, mjegullim të qëllimshëm. Por në fund ajo është detyruar të hapë hetimin. Paralelisht kemi Olmert që ka nisur burgun.
Nëse marrim këtë situatë dhe e projektojmë në Shqipëri do të shohim se çfarë maskarade luhet me reformën në drejtësi që po shitet si shkopi magjik me fokus te gjykata. Mirëpo këtu po flitet për një polici që heton, pra për hetimin, i cili është kapitalizimi ligjor e procedurial i akuzave. Sa akuza kemi dëgjuar në Shqipëri për këtë qeveri e për të shkuarën? Çfarë është hetuar? Si ka ecur hetimi? A ka bërë transparencë kjo qeveri e Rilindjes për aktet dhe veprimet e qeverisë së shkuar që ja shiti shqiptarëve si qeveri antikombëtare? Kallëzimet e mekura ndaj Imamit, Bodes e Tafajt, u mbyllën në heshtje: mazhoranca nuk reagoi për çlirimin e tyre nga akuzat. Dhe nuk ka ndonjë spekullim të thuhet se në këtë sjellje qëndron llogaria politike që bëhet me tregëtimin e drejtësisë.

Të vijmë te një rast i ri, i freskët. Bashkia e Tiranës ka ndërmend të japë me konçesion ndërtimin e shkollave pasi voli një taksë të përkohshme për arsimin, edhe ajo me bazë kushtetuese të dyshimtë. Pse vallë opozita nuk kundërshton, pse nuk kërkon hetimin e këtij njeriu? Për çfarë janë këshilltarët në atë Bashki? Pse nuk lëviz nga vendi prokuroria për tre kallëzimet penale ndaj këtij njeriu, njësoj si për çuditë që kemi dëgjuar në ministri të ndryshme?

Reforma në drejtësi, kjo që po shitet, me përqendrim te vettingu dhe te shkartisja e kompetencave, është thjesht një politikë kuadri me drejtësinë. Pasi mjafton shembulli i Netanyahut për të kuptuar se instrumentet e hetimit, pra të krijimit të një standardi të ri(normal) në raport me publiken dhe ligjin, kanë qenë në fuqi. Thjesht ato janë mbajtur pasive për efekt të llogarive politike. Nuk ka një hetim të vetëm edhe për ata “drejtorët që na nxjerrin bojën”, pa folur këtu për mbrojtjen e pistë për individë si Roshi etj.. Në këtë triblim me naivitetin e opinionit kanë dorë edhe ambasadorët e huaj, që shfaqen me qeleshe e këndojnë shqip, gjithnjë duke shitur përrallën e Shqipërisë Zonjë. Diçka që do të bjerë shumë shpejt në kushtet kur përmbysja e raporteve në gjyqësor nuk ka nga pas një vullnet politik pozitiv.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.