Karikatura(politike) e Ramiz Alisë

Postuar në 02 Janar, 2017 12:00

Kush e ka ndjekur politikën në këto 25 vite nuk mund t’i ketë shpëtuar diferenca në leksikun politik, por edhe në mënyrën e shprehjes publike mes politikanëve që prodhoi lëvizja e dhjetorit ’90 dhe brezit paraardhës. Nëse do të kishte një letër lakmusi për të testuar dallimin, padyshim që Ramiz Alia do të merrte këtë vend. Ton i butë, asnjëherë zëri i ngritur, asnjë sharje, fyerje, asnjë agresion verbal(heqim këtu mbledhjet e mbyllura të Byrosë). Alia ishte një politikan i rrallë nëse si kriter do të vendosim karakterin ballkanik gjaknxehtë të shqiptarit: ai edhe në kujtimet që la pas u tregua shumë i kujdesshëm që të retushonte nga figura e Enver Hoxhës, aq sa profili i ri të mos kriminalizohej sa pritmëritë e një grupi njerëzish, por edhe “vepra e socializmit” të qëndronte në këmbë me aspektet e veta pozitive.

Duke jetuar mes dy kohëve, Alia u ndodh mes imazhit të një presidenti dhe komunisti të bindur dhe një qytetari nga i cili kërkoheshin disa të vërteta. Ai zgjodhi atë që dinte të bënte në mënyrë të shkëlqyer: qëndroi si politikan duke mos thënë praktikisht asgjë. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu.

E papritur është gjithsesi, se modeli i tij po karikaturizohet me shfaqje modelesh as mish as peshk, që ndërfuten në dinamikën politike pa dhënë ndonjë kontribut. Thjesht me prezencën e vet i bëjnë subversion rrjedhës së ngjarjeve, të cilës i kanë rendur nga pas dhe jo rrallë u kanë qëndruar larg. Besnik Mustafaj është padyshim një figurë që bën pjesë te një kategori që kërkon të ndajë me politikën “intelektualizmin” e vet, por pa marrë përgjegjësi. Të thotë ndonjë fjalë “të mençur”, e mandej kur gjërat nxehen, të shkëputet në periferi. Këtë bëri zotëria edhe në një shfaqje të fundit në “Ora News” kur kërkoi nga kreu i PD-së, Lulzim Basha...Asgjë.

Berisha ka deklaruar se nuk ndërhyn, por njëkohësisht mendoj se Basha duke mos qenë pjesë e lidershipit të historisë së PD qysh në fillim, dhe personalitetin e fortë, Basha ka kompleksin e historisë siç e kanë krejt te rinjtë. Por më shumë se kompleks ka qenë ndikim i një marrëdhënie dhe respekti të ekzagjeruar nga ana e Bashës. Unë Bashës i kam sygjeruar që duhet t’i tregojë kufirin Berishës. Unë nuk besoj se njerëzit duhet të largohen vetë nga politika. Kur e kanë kryer ciklin e tyre, duhet t’i tregohet vendi me votë dhe nga lidershipi i ri. Fakt është se Berisha ka bërë opozitë të fortë, ka qenë kompensim i madh për cilesinë e grupit parlamentar. Ka pas një ndikim në disa momente kyçe, le të kujtojmë këtu denoncime të mëdha që ka bërë dhe forca goditëse i ka shërbyer rolit që ka opozita. Nuk jam në gjendje t’i them Bashës nëqoftëse duhet të jetë Berisha në listat e reja. Nëqoftëse nuk do jetë me kë do ta zëvendësojë, nëqoftëse do të jetë si do mbahet nën kontroll. Janë gjëra qe duhet t’i zgjedh kryetari”, tha ai.

http://www.gazetadita.al/mustafaj-basha-ti-tregoje-kufirin-berishes/

Nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë po dojë të thotë shkrimtari që rri te portat e politikës. Por këtë mundet ta thotë kushdo që pi kafe duke parë nga titrat e televizioneve shqiptare. Që Berisha duhet të largohet këtë e di edhe vetë ky, por kaq i bën. T’i thuash Bashës se “shiko, Berisha duhet mbajtur nën kontroll”, e pak më tutje t’i thuash Berishës “ti ke patur zë të fortë e ke kompensuar opozitën”, në thelb ke thënë atë që thoshte dikur me humor Agron Llaka në rolin e një drejtori ndërmarrjeje për “Mekanizmin e ri Ekonomik”: Ça të thotë vllai ty!

Problemi këtu është se intervista të tilla marrin jehonë artificiale, sepse “kështu duhet”, duke krijuar bashkë me ndonjë zë si ai i Majlinda Bregut, iluzionin se në PD ka një grup që kundërshton Berishën, ka arsye, ka lëvizje, ka mendim politik. Kështu ishte në fakt edhe në vitin 2001, 2002, 2003 derisa Berisha i mblodhi në vathë, u dha ndonjë kockë e pastaj bëri ça deshi vetë(jo Mustafajin sepse ky ishte me funksione në PD).

Edhe njëherë: Biem dakord që Berisha duhet të dalë nga skena, por kjo nuk mund të amplifikojë merita të paqena njerëzish që sapo çlodhen dalin e japin intervista majtas-djathtas me kredenciale krejt të pavërteta dhe mbi të gjitha duke marrë si përgjegjësi finale thjesht daljen në televizor.

Sidoqoftë puna, edhe sikur kjo e Mustafajt të jetë një lojë e Berishës për të kërkuar marrëveshje për largimin, ajo nuk përligjet në asgjë. Lulzim Basha ka treguar në këto vite se është “djalë i mirë”, nuk e do sherrin. Por kaq. Nuk dallon tek ai as mendim politik, as aftësi organizative dhe as iniciativë që shkon përtej thashethemit të darkës me njërin e me tjetrin. Kjo është evidente, ndaj t’i kërkosh Bashës këto që kërkon Mustafaj me 100 nënkuptime është në fakt ta frustrosh më shumë kryetarin me vulë të marrë borxh. Pa harruar se nuk ka realisht kohë që PD-ja të hapë një diskutim të tillë vetëm 6 muaj larg zgjedhjeve.

Është e qartë se të papunët e politikës duan të parashutojnë qyl aty ku kanë qenë dhe e ndjejnë se “marrëzia politike” e Berishës o pengon. Por në politikë nuk duket se ka ndonjë rast ku dashamirësia, apo edhe lodhja të hap rrugë. As edhe qiraja e një dritareje në media ku mund të dalësh e të thuash çdo gjë, pa thënë në fakt asgjë. Të paktën Ramizi ishte origjinal.

Comments

Submitted by Eri (not verified) on

Asgje! Kjo eshte karakteristika e ketij personi publik. Te flasesh e te mos thuash asgje. Te drejtosh dhe te mos besh asgje. Te shkruash por te mos jete asgje. Asgjete e tjera i ka shpjeguar artikullshkruesi per keta njerez ASGJE.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.