Kur krishterimi dhe islami bashkoheshin nga imazhi i lindjes së Krishtit

Postuar në 30 Dhjetor, 2016 08:38
Konstantinos Giakoumis*/Sokol Çunga**

Një shëtitje nëpër rrugët e kryeqytetit këtyre ditëve para dhe pas Krishtlindjeve, të ndriçuara me mijëra xixëllonja, në rrugë dhe vitrina të mbushura me reklama, me dyqane plot me njerëz në vrullin e konsumit të dhuratave, përbëjnë dëshmi për mënyrën se si në varfërinë dhe përulësinë e ngjarjes së Lindjes së Krishtit, bota moderne, e shkëputur nga përmbajtja shpirtërore e ngjarjes, i është përgjigjur asaj me epsh të pangopshëm për konsum dhe demonstrim pasurie, si edhe me epërsinë e pushtetit dhe të zotërimit. Urrejtja, britmat njerëzore dhe shpërthimet e luftërave të mëdha dhe të vogla, konvencionale, si në rastin e Sirisë, apo jokonvencionale, si në rastin e sulmeve terroriste në Turqi dhe Gjermani, i përgjigjen kakofonikisht thirrjes së engjëjve “dhe përmbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Luka 2:14).

Thellimi i pabarazisë midis të pasurve dhe të varfërve në rang botëror, pasiguria për të ardhmen, makthi i papunësisë dhe eksodi i ri i trurit nga Shqipëria, janë fenomene që rëndojnë zemrat me melankoli këto ditë festive, të cilat nuk ndriçohen nga dritëzat e mirëqenies krenare të të pakëve, as mbulohen nga mbulesa artistike dhuratash… Festimet më të mëdha janë bërë sipërfaqësore, prandaj, një vështrim në origjinat festive, përmes arteve, mund të na hapë një dritare për t’u rilidhur me kuptimin e tyre. Përmes një vepre (Lindja e Krishtit) të piktorit të shquar të shek. XVI, Onufrit, në kishën e Shën e Premtes në Valësh, Shpat, që përshtat në estetikën lindore trajta të pikturës së Trecentos dhe Quatrocentos në Itali, një vepër me të njëjtën temë nga Italia dhe një vepër e rrallë të Lindjes së Muhamedit nga një dorëshkrim persian, na lejojnë të identifikojmë perceptime të ndryshme të spiritualitetit të Lindjes në traditat e ndryshme të feve të mëdha botërore.

Paraqitja e Lindjes së Krishtit në kishën e Shën e Premtes në Valësh, Shpat, Elbasan (1554) paraqitet në fundin lindor të murit jugor, në brezin e dytë të afreskeve [Fig. 1], brenda në altar. Në pjesën qendrore të skenës zotëron shpella, ku paraqiten një ka dhe një gomar që ngrohin me frymën e tyre Krishtin e porsalindur, të mbështjellë me pelena dhe të vendosur mbi një grazhd të ndërtuar prej degësh. Përreth shpellës zhvillohen temat e tjera të skenës. Në anën e djathtë Hyjlindësja paraqitet gjysmë e shtrirë në shtrojë të kuqe jashtë shpellës duke lidhur, falë përmasave të saj të mëdha, nivelet e poshtme dhe të sipërme të skenës. Mban veshur një kiton blu dhe mafor të kuq, dhe mbështet kokën në dorën e djathtë, të cilën e ka të mbështjellë me maforin.

Në nivelin e poshtëm, djathtas, paraqitet Jozefi në mëdyshje, i ulur mbi një gur, me dorën e djathtë mban një shkop, ndërsa ngre të majtën në gjest fjalimi, duke iu drejtuar bariut që ndodhet përballë. Bariu, më këmbë, pikturohet në shkallë më të vogël se Jozefi, është i veshur me lëkurë deleje, mban një pagur prej kungulli, ka veshur çizme, ka shkopin baritor në dorën e djathtë, ndërsa me të majtën i përgjigjet gjestit të Jozefit në shenjë dialogu. Peizazhi përmban dele që kullosin aty-këtu. Sipër bariut, në një gropësirë të malit, të formuar posaçërisht, paraqiten në barazgjatësi diagonale, për shkak të pjerrësisë së terrenit, tre magët. Mbajnë kurora të arta dhe veshje zyrtare të stolisura me imitime perlash dhe gurësh të çmuar.

I pari dhe i dyti majtas mbajnë – me duart të mbuluara me rrobën e tyre – një kodik të lidhur, teksa i treti, më i moshuari, sjell një kuti të lartë, dhurata të cilat i çojnë te Krishti në drejtim të rrezes së yllit, (sot të shkatërruar), që ndriçon shpellën. Në nivelin e tretë, sipër magëve dhe në majën e maleve, pikturohet një grup engjëjsh, me duart të mbuluara në shenjë respekti. Dy të parët (ende ekzistentë) shikojnë yllin në qiell. Në pjesën e djathtë paraqitet skena e ungjillëzimit (lajmërimit) të bariut, në të cilën bariu, që ulet djathtas mbi një shkëmb, heq fyellin më të djathtë për të dëgjuar lajmin prej një engjëlli. Të dy paraqiten me gjeste dialogu. Tipari ikonografik i temës u formësua në mënyrë që të përmbledhë kuptimin e Lindjes së Krishtit në një gjuhë estetikisht të këndshme. Paraqitja është organizuar qëllimthi në mënyrë jorealiste dhe simbolike, duke përzierë elemente prej ngjarjes historike me të tjera, shpirtërore dhe diakronike, në mënyrë që skena të sintetizojë qiellin me dheun, botën hyjnore me atë njerëzore.

Shpella, mali, grazhdi dhe kafshët, elementë tokësorë, bashkërendohen me dritën gjysmë-rrethore prej qiejve dhe rrezen e yllit, elementë të botës shpirtërore të qiejve. Pra, ikonografia e Onufrit, edhe pasi studioi në Venedik, nuk humanizon paraqitjen përmes idhujtarizimit të figurave të shëndosha, nuk e tkurr në një tregim të thjeshtë, as e zhvesh nga historiciteti, duke hequr çdo element realiteti. Simbolika e elementeve të skenës është e pasur. Lindja e Krishtit vendoset në një shpellë, vend i cili nuk përmendet në ungjij, por nga një traditë e huazuar nga ungjilli i parë (Protevangjeliumi) i Jakobit (kap. XVII), e cila u transmetua në mendimin lindor nga Justini, filozofi dhe dëshmori, dhe në himnografi nga Romanos Muzikanti (“edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën”).

Errësira e shpellës simbolizon Ferrin, të cilin do të mposhtë Krishti me ngjalljen, si edhe errësirën e botës parakristiane, të cilën do ta ndriçojë një dritë e gëzueshme dhe shpëtimtare (“populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë” Mat. 4:16). Pelenat e Krishtit, nga njëra anë ndjekin tregimin ungjillor (Lluk. 2:7), por nga ana tjetër kujtojnë pelenat e të vdekurve, p.sh. të Llazarit, paralelizëm që i referohet pelenat dhe varrimin e Krishtit. Pozita e Shën Marisë është treguese për rolin e saj në Krishtlindjet. Pikturohet në lidhje të drejtpërdrejtë me Foshnjën, por duke ruajtur edhe distancë prej Tij, duke qenë se njeh hyjninë e Tij. Pozicioni i saj, i stabilizuar që prej shek. XI, me shumë pak variante, i rehatshëm, tregon reagimin e saj karshi ndjenjës njerëzore të lodhjes, kurse mosraskapitja e saj, edhe pse lehonë pas lindjes, tregon besimin e Kishës Ortodokse se lindja ka qenë pa dhimbje (Tropar i Odës IV e Akathistit: “Më e lartë prej çdo qelli, Shpëtimtarin e njerëzve, ti në gjin’ e shenjtë, e ke mbajtur palodhshmërisht, Zonjë Hyjlindëse”).

Prania e kaut dhe e gomarit përbën dëshmi modeste, por kritike, të mosbesimit të Izraelit: “Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend” (Is. 1:3). Kompleksi i Jozefit me bariun është interpretuar si “mëdyshjet e Jozefit për Hyjlindësen”, siç na tregon edhe Stanca VI e Himnit Akathist: “Duke pasur përbrenda turbullim mendimesh të dyshimta, Jozefi i urtë u shqetësua duke të parë të pamartuar, e duke të kujtuar martesë-vjedhëse, o e Paqortueshme; po kur mësoi për ngjizjen tënde nga Shpirti i Shenjtë, tha: Haleluja.” Bariu përballë Jozefit, sipas ungjijve apokrifë, është djalli që mori formën e bariut, për ta vënë në ngasje Jozefin, duke i treguar shkopin e duke i thënë se sa e mundur është për atë shkop të nxjerrë gjethe dhe lule, aq e mundur është për një virgjëreshë të lindë.

Edhe pse himnografia përshkruan qartë se Jozefi i mundi mëdyshjet e tij dhe mori në mbrojtje foshnjën bashkë me të ëmën, Jozefi përfaqëson gjithë ata që përballen me ndodhi përmbi fuqitë e tyre, dhe i përballojnë me prirje pozitive. Bariu në majën e djathtë të skenës, me gjestin e tij shpreh çudinë edhe gëzimin për lajmin e lindjes, dhe përfaqëson pjesën e njerëzve që dëgjuan dhe besuan menjëherë lajmin e shpëtimit përmes lindjes së Foshnjës. Ndryshe nga bariu që përfaqëson njerëzit e thjeshtë, magët përfaqësojnë njerëzit e ditur dhe të lexuar, të cilën kërkojnë të vërtetën, njohuria e të cilëve nuk i pengoi t’i falen Fjalës së mishëruar.

Qysh prej periudhës parakristiane përmenden njerëz që kanë frikë nga Zoti dhe bëjnë drejtësi mes radhëve të paganëve. Peizazhi është modest dhe pa teprime, si dhe pa dëborë, ndryshe nga ç’e përfytyron mendimi i Evropës së veriut. Bimët dhe prania e barinjve në peizazh, e përmendur në Ungjijtë (“në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër araduke ruajtur tufën e tyre” Lluk. 2:8), tregojnë se Krishtlindjet nuk ndodhën në stinë dimri. Dihet se Kisha zëvendësoi festën pagane të Diellit, më 25 dhjetor, me Krishtlindjet, për të kremtuar “Diellin e drejtësisë” (Mal. 4:2: “Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë”). Arti që u zhvillua jashtë hapësirës ortodokse formoi tipare të ndryshme ikonografike, edhe pse fillesat qenë të njëjta.

Në Lindjen e Giottos, në kapelën Scrovegni në Padova (1303-1305), [Fig. 2] shpella është tashmë përshtatur si stallë, ndonëse elementë të tjerë ikonografikë mbeten virtualisht të pandryshuar (pozicioni i Jozefit, engjëjt, barinjtë), edhe pse të pozicionuar ndryshe nga skena jonë. Nga shek. XV ikonografia tradicionale në Perëndim është zhdukur. Humanizimi i figurave të shenjta dhe transformimi i tyre në “familjen e shenjtë” e largon temën nga kuadri teologjik të saj. Peizazhi bëhet idilik, fshataresk ose mesjetar, me kështjella, harqe, kube, etj. Shën Maria merr formën e princeshës së re dhe të bukur, kurse Jezui paraqitet si një foshnje e majme dhe piktoreske që luan me duart të tij. Shpesh piktori izolon episode të shkëputura nga skena e Lindjes, si Adhurimi i Magëve prej Gentile de Fabriano (1423) [Fig. 3], ku tema bëhet shkas për një demonstrim të aristokracisë së kohës.

Me vepra të tilla, ikonografia perëndimore iu largua rreptësisë dhe karakterit shpirtëror të temës si përfaqësi e një komuniteti, dhe hyn në hapësirën e interpretimit personal të temës, hereherë edhe jo pa arbitraritet. Megjithatë, elementi i mrekullisë mbetet i pandryshuar, edhe pse laicizmi gradual i temës çon Sandro Boticcellin deri në portretizimin e Lindjes si një eveniment pagan (1500-1501) [Fig. 4], ndërsa më 1485 Domenico Girlandaio në Faljen e Barinjve arriti të pikturonte Krishtin e zhveshur para një sarkofagu [Fig. 5]. Në artin pothuajse tërësisht laicist në Perëndim, me jehonë në artin e shek. XVIII-XX në Ballkan, u humb karakteri liturgjik dhe apokaliptik i temës. Shfaqja e qenieve të gjalla në formë portreti konsiderohet si tabu nga një pjesë të botës islame, e cila beson se besimi Islam e pengon. Për më tepër, pjesa dërmuese e Myslimanëve konsiderojnë tabu portretizimin e profetit Muhamed, edhe pse ka mjaft ilustrime të jetës së profetit në dorëshkrime, që nga Mongolët e gjerë tek Osmanët.

Kur Mongolët pushtuan territorin e tyre, gjetën forma artistike të praktikuara në manastire budiste dhe manikaiste në Turkestan, ku paraqiteshin skena nga jeta e Budës dhe Manit (profetit dhe themelues i manikaizmit). Vetë nusja e Hulagut, khanit të Mongolëve, ishte e krishterë nestoriane. Prandaj nuk është për t’u çuditur pse tek këto paraqitje të rralla të jetës së profetit Muhamed u morën si bazë vepra të artit të krishterë. Si shembull mund të shërbejë një paraqitje e rrallë e Lindjes së profetit Muhamet [Fig. 6], ilustrim në pergamenë nga libri Jami’ al-Tawarikh (d.m.th. “Përpilim kronikash,” i referuar edhe si Historia e Botës), shkruar prej Rashid al-Din, dhe i publikuar në Tabriz, Persi, më 1307-1315, i cili ruhet sot në Bibliotekën Universitare të Edinburgut, Skoci. Megjithatë, ky art nuk është fetar, sepse nuk kishte qëllim të shërbente si ikonë, por një ilustrim i thjeshtë i ngjarjeve të kohës së profetit. I përballur me mungesën e modeleve ikonografike për tema të tilla në artin islamik, artisti që punoi Lindjen e Muhamedit u drejtua tek arti i krishterë. Mbase edhe vetë porositësi, Ilkhani, ishte i njohur me artin e krishterë.

Hapësira ndahet në tri pjesë nga dy kolona me arkadë iraniane. Në pjesën qendrore- majtas paraqitet profeti në pelena, i mbajtur prej një engjëlli, teksa një i dytë e vështron dhe mban me dorën e majtë temjanicë. Një shërbëtore përgjunjet para profetit, duke mbajtur një enë, episod i ngjashëm me larjen e Krishtit, që paraqitet në skena të Lindjes (por jo në Valësh). Nëna e profetit Muhamed, Aminah bint Wahb, paraqitet e shtrirë në disa mbulesa, pas lindjes, duke treguar foshnjën me dorën e djathtë. Sipër saj një shërbëtore përkulet me drejtim nga ajo, me një enë në dorë, për t’i dhënë të pijë, teksa tre shërbëtore të tjera qëndrojnë më këmbë sipër kokës së saj, duke mbajtur enë shërbyese. Tri gratë në pjesën e majtë zëvendësojnë magët, ndërsa e katërta para tyre kujton bariun e skenës së Krishtit. Gjyshi i profetit, në pjesën e djathtë të skenës, ‘Abd al-Muttalib, zëvendëson Jozefin.

Spiritualiteti mysliman, ashtu siç manifestohet në dorëshkrimin e mësipërm, u përafrua me botën e krishterë lindore, dhe jo me format artistike që u zhvilluan pas Rilindjes në Evropën romako-katolike dhe të Reformës. Nga njëra anë, këtu shohim një mendjehapësi të islamit, të cilin islami radikal sot e ka humbur. Nga ana tjetër, duket haptas se boshti ideologjik i islamit, si edhe i krishterimit lindor, mbeti përkorja dhe thjeshtësia, si kundërvënie ndaj sekularizimit të religjiozes. Çfarë vëmë re se ndodh sot mes shqiptarëve, myslimanë e të krishterë, pa përjashtuar të krishterët katolikë, është një largim nga boshti spiritual, që dëshmohet se dikur e kanë pasur. Në kohë krizash, globale dhe lokale, si këto të sotshmet, thirrja e Krishtlindjeve për rilidhje (jo domosdo për rilindje) me spiritualitetin e komunitetit, bëhet edhe më urgjente.

 

(*University of New York Tirana **Arkivi Qendror i Shtetit)

“Gazeta Shqiptare”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.