Hapja e dosjeve tani, apo do u lihet brezave?!

Postuar në 28 Dhjetor, 2016 08:24
Ben Andoni

Ka një reshtje të shumë zërave që janë shprehur deri më tani pro apo kundër të gjithë procesit të “Hapjes së Dosjeve”. Dhe, kjo e ka një kuptim, pasi Autoriteti që do merret me procesin sapo është ngritur dhe ka filluar të hedhë hapat e parë organizativë. Një pjesë e publikut mendon përmes reflektimeve publike se është një hap më tej drejt një rruge që do qetësojë përfundimisht publikun. Të tjerët se procesi do të mbarojë njësoj si të tjerët syresh para tij, duke lënë një plagë të hapur për brezat. Nga drejtues të lartë dhe punonjës të Shërbimeve Shqiptare Inteligjente është lënë të nënkuptohet disa herë, por edhe është shprehur në ligjëratë të drejtë se: procesi është i dëmtuar, pasi dosjet janë shkatërruar në mënyrë të vazhdueshme.

Për të ardhur keq në të gjithë këtë dukuri (e vështirë për t’u përtypur në të gjithë Lindjen Komuniste) është se ngado në Evropë ka pasur reagime të publikut, apele dhe interes që Dosjet të mos dëmtoheshin, kurse në Shqipëri njerëzit e kanë kuptuar thjesht si revansh, por edhe damkosje dhe ndërgjegjja e përgjithshme ka munguar. Për fat, 25 vite pas atij ndryshimi madhor të jetës shoqërore shqiptare, ku vendi ynë kaloi në një sistem të ri ekonomiko-shoqëror, tollovia sociale që shoqëroi ndryshimin nxori shumë specifika të individit shqiptar, mes tyre konfuzionin edhe konvertimin e frikshëm me koniunkturat. Kjo e shpjegon disi edhe faktin pse Hapja e Dosjeve është zgjatur kaq shumë. Për publikun duhet të dihet se shumë nga ata që janë spiunuar i dinë denoncuesit, shpifësit dhe me radhë, ndërkohë që procesi i shërimit të plagëve mungon.

Kjo e lehtëson disi punën e Autoritetit, që duket tejet i ekuilibruar dhe ka shprehur vullnet se do t’u shërbejë më së pari njerëzve të vuajtur, që kanë paqartësi apo kuriozitet të shohin dosjet e tyre. Për më tepër me kodet që mëton të adoptojë në punën e tij, Autoriteti mëton se nuk do të lerë individë dhe sidomos kinse studiues e gazetarë pa integritet që të bëjnë gjueti shtrigash dhe të ngrenë akuza. Konfuzioni më i madh, ashtu si besohet, lidhet me gjendjen fizike të dosjeve, sasinë e tyre, sa janë dëmtuar dhe si është arkitektura e ruajtjes. Dosjet ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, kurse pas vitit 1992, kohë kur Shërbimi Inteligjent u nda me Ministrinë e Brendshme, i pari mori dosjet me vlera operative që mbase mund t’i duheshin për veprimtarinë e ardhshme të tij. Kuptohet se kur të mbushin një kohë të caktuar Dosjet do mbarten automatikisht në Arkivin e Shtetit, për të qenë më të lehtë të arritshme. Sa do i shërbejnë publikut?

Kjo mbetet në sqarimet e shumta që Autoriteti do të bëjë gjatë kohëve. Ndërkohë që Dosjet e ashtuquajtura për individët e akuzuar për agjitacion- propagandë dhe Dosjet për krime politike gjenden në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Në terma statistikorë, Sigurimi ka pasur shumë qasje në vend, por dhe jashtë tij, kurse nga një sondazh i Konrad Adenhauer Stiftung në vitin 2015 rezultoi se rreth 30% e popullatës kishte një lidhje me persekutimin nga regjimi komunist përpara vitin 1991. Ndaj, duke filluar nga ky vit i largët, përpos problematikës së madhe me të cilën përballej, shteti shqiptar mendoi për disa masa për të përndjekurit politikë që lidheshin me strehimin, arsimimin dhe punësimin, ligjin e amnistisë, në mënyrë t’ua lehtësonte sa të mundej dhimbjen. Vetë komuniteti i të përndjekurve u përça dhe vazhdon të jetë i tillë, pasi disa prej tyre shfrytëzuan pa skrupuj beneficet, ashtu si një pjesë e vuajtësve luftoi dhe shtroi me integritet për zgjidhje shumë probleme.

Deri para pak vite më parë ata bënë deri vetëflijime, kurse vetëm tani shteti duket se është futur në normalitet për dëmshpërblimin. E megjithatë, problematika e tyre është ende e hapur. Në fakt, sfida më madhe e të gjithë procesit duket se nuk do jetë procesi në vetvete sesa edukimi dhe përpjekja për shërimin prej shikimit të së shkuarës, mu ajo që i qëndron përballë si sfinks Autoritetit dhe punës së tij të madhe për Hapjen e Dosjeve. Duke pasur mungesën e studimeve thelbësore sot mungon një shikim i të gjithë strukturës së të keqes së asaj kohe. Në më të shumën e herës ajo ka vetëm një kah, që e bën të vështirë shpesh identifikimin e viktimave, cilat gjëra u shfrytëzuan kundër tyre, sistemin e ligjërimit në komunizëm, pse mbijetoi Sigurimi, e shumë e shumë të tjera. Arkivat, të cilat ende mbartin shumë probleme në Shqipëri duket se do jenë një pengesë ashtu si edhe mentaliteti i një pjesë të studiuesve që shikojnë bardhë e zi.

Vetëm se ata që kanë vuajtur në shumicën e rasteve jo vetëm s’e kanë kuptuar mekanizmin që veproi kundër tyre, por sot e kësaj dite nuk ndjejnë ndonjë rehabilitim të plotë moral, i cili do e mbyllte përfundimisht siparin e kësaj periudhe të errët. Ndaj Autoriteti ka nevojë që në integritetin e vet të ndihmohet në transparencën, në mënyrë që të edukojë një kulturë të re të bashkëpunimit, por edhe veprime që do jenë shembull për institucionet e tjera. Nëse do shmanget nga politika, që i ka shfrytëzuar dosjet për qëllimet e saj dhe për kapital politik dhe do t’i jepet qasja e duhur mu atyre që duhet të kishin dhe nuk e patën asnjëherë, flitet për studiuesit dhe institucionet, mund të shpresojmë se do të fillojë shërimi i plagëve dhe përballja e duhur me të keqen. Duhet konsideruar hap i mirë që puna do të fillohet me kohën më të largët: me pesëvjeçarin e parë të transformimit së Shqipërisë socialiste, kohën kur qeveria komuniste projektoi rrugën dhe përshtati Diktaturën e Proletariatit.

Mu në këtë periudhë janë ende të pastra rezistencat e pafata të shumë individëve dhe një pjesë e punës së disidencës për historianët. Në këtë hulli, Gentiana Sula shpreson se do të tarojë fillimisht punën e institucionit dhe efikasitetin e tij. Me pak fjalë, mëtohet se procesi të mos shkojë si hakmarrje, por si shpresë për njerëzit që janë ndjekur, shtypur, duke ua vënë në dorë informacionin sesi janë nëpërkëmbur, spiunuar dhe shpifur. Ndoshta në të gjithë këtë proces do të duhet dhe ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare, që do ketë mundësi t’ua hapë sytë dhe persekutorëve, si edhe personave të caktuar, që të reflektojnë dhe madje të bashkëpunojnë. Janë me dhjetëra fatkeqë që s’u dihen varret dhe ky do jetë një tregues i qetësimit të ndërgjegjes për ta, nëse do të bashkëpunojnë. Vetë strukturat e Autoritetit do të dështojnë nëse nuk punojnë për kontrapunktin, domethënë për të zbuluar dhe elementët pozitivë nga njerëzit e ndryshëm që kanë qenë pjesë e këtij procesi, qoftë dhe nga vetë individë të Sigurimit.

Është momenti që këta të mund të pranojnë sinqerisht atë dhembje që mund t’i kenë shkaktuar njerëzve. Ky do të jetë një proces që sadopak do të lehtësojë vuajtjet e viktimave të tyre, por do të lehtësojë edhe ndërgjegjet e persekutorëve. Ky është një konflikt që do të ishte mëkat t’i trashëgohej brezave”, është shprehur Gentiana Sula që do ta drejtojë këtë proces. Procesi vërtetë do të jetë shumë i vështirë dhe aspak i shkurtër, ndërkohë do të na shërbejë të bëjmë një ndarje thelbësore me të shkuarën e dhimbshme, por asnjëherë për revansh. Nëse do veprojë shpagimi, Shqipëria do bjerë në drejtimin e kundërt, atë që s’do ta donim: Dështimin e një procesi të shumëpritur dhe lënien e një barre tjetër të madhe brezave.

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.