Shkolla në të cilën shkohet me zor

Postuar në 24 Dhjetor, 2016 11:33
Halil Matoshi

Një copë leximi letrar për shkollën fillore në Kosovë e sjell një tregim fiksional për Fan Nolin e vogël, të cilin gjyshja e detyron me zor që të shkojë në shkollë, ngase ai nuk do që të vijojë mësimet, sepse shkolla qenkësh në gjuhën greke. Prandaj gjyshja e tij e fut dhunshëm në një thes të dhintë për të detyruar të ndjekë mësimet… Kjo copë leximi jep pasqyrën më të mirë për shkollën shqipe në Kosovë. E dhunshme dhe në pikën e vdekjes.

Kosova është renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin PISA të vitit 2015, ku morën pjesë 72 shtete. Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane. Singapori ishte shteti me më së shumti pikë ndërkohë që Kosova lë pas vetëm Algjerinë dhe Republikën Dominikane. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA (anglisht: The Programme for International Student Assessment), organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, ku marrin pjesë 35 shtete nga e gjithë bota, përfshirë vendet më të zhvilluara të Evropës. Pas testit standard PISA del në pah hipokrizia shqiptare, kur tjetrin që nuk i plotëson kriteret sipas kandarit paragjykues të tyre e cilësojnë tjetrin/tjetrën për afrikan ose aziatik, pra atë që e perceptojnë të ndryshëm nga vetja e rendisin në një qytetërim më të ulët se ai perëndimor, pa qenë vetë të denjë për qytetërimin perëndimor.

Në këtë kontekst shqiptarët kosovarë dalin ndër më të padijshmit në botë (pas algjerianëve dhe Republikës Dominikane) kurse qytet-shteti Singapor (në Azinë Verilindore) p.sh. prin në testin PISA… Derisa në rajonin e Ballkanit, Shqipëria del e para në shkencë, Mali i Zi “shkëlqen” në gjithçka tjetër dhe Maqedonia është thjesht më mirë se Kosova, të gjitha vendet e Ballkanit në çdo tregues renditen më poshtë mesatares së vendeve të OECD-së. Përqindja e madhe e fëmijëve që nuk e kanë arritur nivelin minimal të aftësive për t’i shfrytëzuar njohuritë e veta në jetën e përditshme – 77% në lexim, 78% në matematikë dhe 68% në shkenca të natyrës”, sipas testit standard PISA, dëshmon se sistemi arsimor i Kosovës është i rrënuar nga sëmundja e quajtur mësim përmendsh dhe interpretim ideologjik i asaj që nxënësit lexojnë. Në Kosovë kastat politike po shihet ashiqare që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në politizimin e shkollës (drejtorët e shkollave caktohen nga listat partiake), kurse nepotizmi në zgjedhjen e stafit mësimdhënës është tepër i lartë. Në Kosovë secila intencë për dije “shtypet”, sepse këtij sistemi politik i hyjnë në punë ‘analfabetët funksionalë”, pra për t’i kontrolluar masat, së këndejmi, për t’i qeverisur më lehtë.

Shkolla gjithashtu duhet t’ua mundësojë qytetarëve që në bazë të kritereve racionale të refuzojnë çdo politikë arbitrare dhe të dhunshme dhe t’i kundërvihen asaj me idenë e drejtësisë.” (Patrice Canivez: “Të edukohet qytetari”; Fq.198.) Rezultatet shumë të dobëta në këtë test janë dëshmi kërcitëse se shkolla kosovare duhet rimenduar, ngase nxënia që marrin nxënësit nuk i përgatit ata për jetën praktike, porse është vetëm një ngarkesë jofektive informacionesh që nuk u hyn në punë në shkollimin e lartë. Sipas autorit Canivez, roli i shkollës në demokraci është që të edukojë qytetarë aktivë. Shkolla nuk e ka për detyrë të bëjë “patriotë”, aq më pak “t’i ushtrojë ata për luftë politike, për luftë për pushtet, për manovrime partiake” (Canivez; Po aty; Dukagjini, Pejë, 2004; Fq. 197. ) Për tërë këtë rezultat fatalisht të dobët përgjegjësia kryesore natyrisht që bie tek Qeveria, përkatësisht Ministria përkatëse, porse nuk janë krejtësisht të pafaj as institucionet e tjera kulturore, redaksitë e botimeve dhe mediat. Ministria ka dështuar ta zbatojë një sistem të mirëfilltë të licencimit të mësimdhënësve, i cili do ta stimulonte mësimdhënien e mirë. Përderisa në infrastrukturën shkollore është punuar më shumë, Kosova ende është shumë larg në aspektin e pajisjes së shkollave me mjete praktike mësimore.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe kjo rini është resursi kryesor i shtetit të ri, prandaj edhe duhet të jetë mirë e arsimuar, që të jetë konkurrente në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit. Mbështetur në këto rezultate, nxënësit kosovarë mësojnë në mënyrë mekanike dhe nuk aftësohen për të menduar në mënyrë kritike e për të qenë në gjendje të zbatojnë në jetën praktike njohuritë që marrin gjatë shkollimit. Pra, ky test nxori në pah defektet e mëdha të sistemit të arsimit kosovar, ngase nxënësit nuk janë as për së afërmi të krahasueshëm me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë, pra as me ata në Afrikë dhe Azi, së këndejmi edhe nuk mund të jenë konkurrues në tregun global të punës. Në shkollën kosovare kurrikulat janë të stërngarkuara me vështrime albanologjike dhe historiciste edhe kur janë në pyetje dijet humane, si historia, sociologjia, teoritë identitare e politike, ndërsa në histori p.sh. haset një interpretim ideologjik që është pasojë e regjimit komunist, kur “historia shkruhej nga fituesi”, të cilit nuk i interesojnë faktet, porse përshtatja e tyre filozofisë së sundimit politik. Sipas një studimi amerikan, Finlanda është kampione në botën e arsimimit të fëmijëve dhe edukimit të përjetshëm të të rriturve. Po cilat janë katër arsyet pse finlandezët janë “ndër më të dijshmit në botë? a) Testet më të mira të standardizuara. - Nxënësit finlandezë bëjnë vetëm një test të standardizuar gjatë gjithë shkollimit të tyre fillor dhe të mesëm.

Testi finlandez, i quajtur “Testi kombëtar” bëhet në fund të shkollës së mesme dhe vlerësohet nga mësuesit, jo nga kompjuterët. Për shembull, për dallim prej Finlandës, në SHBA u kërkohet nxënësve nga klasa e tretë deri në të tetën që të bëjnë çdo vit nga një test të standardizuar, për të ndjekur performancën e tyre. E kritikët pretendojnë se testimi i vazhdueshëm nuk i bën nxënësit më të zgjuar, por krijon një ambient “mëso vetëm për t’u testuar”. b) Më shumë kohë për lojëra. - Nxënësit në Finlandë kalojnë relativisht pak kohë në detyrat e shtëpisë, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Një studim i vitit 2014 me fokus 15-vjeçarët, thotë se mesatarisht studentët finlandezë kalojnë 2.8 orë në javë në detyrat e shtëpisë, ose rreth 10 orë në javë detyra shtëpie në Kosovë. Sipas rregullave finlandeze, për çdo 45 minuta të mësimit nxënësit duhet të kenë kohë 15 minuta për të luajtur. Dhe ajo që është risi botërore, Finlanda ka hequr lëndët në shkolla për t’ia lënë vendin marrjes me fenomenet! d.). Kolegjet janë “gratis”. - Në Finlandë të gjitha nivelet e arsimimit janë falas, edhe programet master dhe doktoratura. e.). Vlerësimi i profesionit të mësuesit. - Në Finlandë mësimdhënia është një nga profesionet më të nderuara. Vetëm një në dhjetë studentë që aplikojnë pranohen në programet nga të cilat dalin mësimdhënësit, përderisa mësuesit e kanë pozitën në shoqëri të barasvlershme me profesorët universitarë, ata edhe paguhen po aq sa profesorët. Në Finlandë edukimi me cilësi të lartë që nga çerdhja-kopshti konsiderohet kritik për zhvillimin e aftësive të bashkëpunimit dhe komunikimit të nevojshëm për të përgatitur fëmijët e vegjël për arsim gjatë gjithë jetës, si dhe të mësuarit formal të leximit dhe matematikës, i cili në Finlandë fillon në moshën shtatëvjeçare, në mënyrë që të mos u prishet fëmijëria e tyre. Nga mosha shtatëvjeçare deri në 16-vjeçare fëmija nuk notohet, ai mëson për veten, tjetrin, komunitetin, civilizimin, të drejtat e fëmijës dhe ato të njeriut, gjuhë të huaja, lexime popullore e matematikë dhe veçmas për muzikën. “Qëllimi është që fëmijëve t’u ofrohet mundësia që kur të rriten të kujdesen për veten e tyre, që të jenë të aftë për të marrë vendime të përgjegjshme, për të marrë pjesë në mënyrë produktive në shoqëri si qytetarë aktivë dhe të kujdesen për njerëz të tjerë që do të kenë nevojë për ndihmën e tyre".(Shih: Anneli Niikko, "Finnish Daycare” -Information Age Publishing Inc., 2006), 141.)

Jo vetëm në Finlandë, por në të gjitha vendet nordike gjuha e folur që në fëmijërinë e hershme i përshtatet qytetërimit. Njëjtë siç e kanë rimenduar komunikimin dhe shpërndarjen e informacionit në përmasa globale Bill Gates dhe Stive Jobs, në të njëjtat kondita duhet të rimendohet edhe shkolla, pra edukimi. Studentët e dijeve humanistike pra do të duhej të sfidoheshin në testin e racizmit dhe të drejtave të njeriut, edukimit qytetar dhe demokratik, liberalizimit të tregjeve, lirisë akademike dhe individualizmit… Ngase në secilin universitetet normal studentët mësojnë të kenë ide bazike vetjake mbi krijimin e botës (kreacionizmi & darvinizmi) dhe t’i shprehin lirisht mendimet e tyre mbi politikën, fenë, ideologjitë dhe që ato të jenë konkurruese, duke kultivuar praktikat e dialogut dhe debatit shoqëror dhe për të provuar të definohen problemet e një shoqërie e për t’i diskutuar mes vete dhe me profesorët mundësitë e zgjidhjeve… Dhe përderisa që në fëmijëri në shkollën kosovare mësohet që djemtë tregojnë përralla, kurse vajzat thurin me grep, kjo dëshmon se shkolla kosovare ka telashe të mëdha me vetë idenë e arsimimit dhe se nxënësit janë të zënë pengje të një shoqërie jofunksionale dhe të një shteti hajdutësh…

"Koha Ditore"

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk e besoj se ne shkollat kosovare djemte mesojne te tregojne perralla dhe vajzat te thurrin me grep! Besoj se arsimi dhe arsimimi ne Kosove kane patur mangesi qysh nga krijimi i kesaj shoqerie, qysh nga koha e dardanve, ku kjo shoqeri ishte e destinuar si luftetare (dar t'han = mbrojtesit e henes, henorve). Gjate gjithe kohrave, megjithse kosovaret e duan dijen, atyre nuk ua ka afruar njeri kete dije, keshtu ata e injorojne vetvetiu dhe padashur kete dije. Ndaj Kosova nuk dallon fare per dije dhe arsim. Dhe jo vetem ne Kosove, por edhe ne bote, p.sh. Zvicer dhe Gjermani, ku ka me shume kosovare, femijet e tyre jane dobet me mesime; jo vetem kaq, por rreth 90% e prinderve u bejne bisht takimeve te ndryshme neper shkolla, cfar nuk ndodh me femijet dhe prinderit e tjere shqiptare nga Shqiperia. Kosova tani ka nisur te merret me arsimin, por sa kohe duhet ta arrise kete, ky eshte nje problem i te ardhmes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.