Si u kthye në konçesion taksa “Veliaj” për arsimin

Postuar në 21 Dhjetor, 2016 18:00

Nga janari i këtij viti çdo familje në kryeqytet u detyrua të paguajë 1800 lekë në vit si taksë për infrastrukturën arsimore ndërsa biznesi  derdhi në arkën e bashkisë nga 18 mijë në 37 mijë lekë në vit. Thuajse një vit nga ky vendim i Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës pranoi për herë të parë publikisht se Taksa e Infrastrukturë Arsimore u vendos për të financuar një koncesion me vlerë mbi 6.2 miliardë lekë ose rreth 46 milionë euro, deri më tani i mbajtur i fshehtë. Asokohe kryetari Veliaj kishte deklaruar se shkollat do te ndërtoheshin nga privatët, por jo në formën e nje konçesioni.

"Taksa do të përdoret për të financuar një skemë partneriteti publik privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet," - tha Enkelejd Musabelliu, drejtor i Çështjeve Ekonomike në Bashkinë e Tiranës, gjatë një takimi me Dhomën Amerikane të Tregtisë. Sipas Musabelliut Bashkia ka përfunduar studimin e fizibilitetit për këtë koncesion dhe aktualisht po pret vetëm miratimin nga Ministria e Financave.

Partnerët privatë do të ndërtojnë me fondet e tyre 17 shkollat. Në momentin e dorëzimit të objekteve të ndërtuara Bashkia do u paguajë këstin e parë me paratë e mbledhura nga taksa e infrastrukturës arsimore dhe kështu me radhë për 7 vite, aq sa është edhe afati i kësaj takse -  zbuloi Musbelliu.

Për vitin 2016, Bashkia ka mbledhur 360 milionë lekë nga taksa e infrastrukturës arsimore.  Me paratë e mbledhura gjatë këtij viti do të paguhet shpronësimi i terreneve private, ku do të ndërtohen shkollat. Nga viti i ardhshëm bashkia do të fillojë pagesën e 7 kësteve deri sa të shlyejë plotësisht koncesionarin privat, që do të ndërtojë shkollat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.