Rikthimi i Vdekjes së Bardhë

Postuar në 21 Dhjetor, 2016 10:53
Drew Smith/PhD, universiteti i Kolorados

Ne jetojmë në një botë ku inovacioni i vazhdueshëm është gjendja normale e punëve. Ne presim që një fluks konstant i gjërave të reja, më të mira, do të mbështesin dhe fuqizojnë prosperitetin dhe zhvillimin tonë përherë në rritje. Por ky nuk ka qenë përherë rasti. Që nga agimi i historisë deri reth viteve 1800, të gjithë ishin fermerë, të varfër dhe kishte saktësisht zero rritje në të ardhura mesatare të qytetarit të botës. Ekonomia inovatore është diçka unike në historinë e njerëzimit.

Inovacioni ndodh kur një numër i madh njerëzish mblidhen afër njëri – tjetrit dhe ekspozojnë idetë dhe frymëzimet e tyre. Inovacioni varet nga kontaktet personale dhe rrjeti social. Varësia e inovacionit ndaj densitetit të ndërveprimeve sociale mund të përshkruhet me saktësi me ekuacione të thjeshta: të njëjta që përshkruajnë përhapjen e sëmundjeve epidemike.

Njësoj si disa inovacione, disa sëmundje formësojnë shoqëri dhe kultura të tëra, përkufizojnë limitet dhe mundësitë e tyre. Një sëmundje mund të bëjë më shumë sesa të shkaktojë vuajtje – ajo mund të ndalojë inovacionin, qytetërimin madje edhe specien.

Ndaj nuk duhet të çuditemi që kontrolli mbi sëmundjet infektive ishte thelbësor në zhvillimin e botës sonë të inovacionit të qëndrueshëm. Përpara këtij kontrolli, përqendrimi i domosdoshëm i mendjeve ndikoi po ashtu në përhapjen e sëmundjeve që e dëmtoi rëndë atë. Qytetet më të mëdha në botën e Iluminizmit në vitin 1800 banoheshin nga një popullsi prej disa qindra mijëra njerëzish. Banorët e tyre vdisnin më shpejt sesa të lindnin të tjerët dhe e mbështesnin jetën e tyre modeste vetëm duke migruar në vijimësi nga fshati.

Nga të gjitha sëmundjet që dhjetuan qytetet në zhvillim të asaj kohe, tuberkulozi(TB) ishte më e keqja. “Dhjetimi” – pra marrja e çdo 1 personi në dhjetë – është nënvlerësim. TB përfaqëson ¼- ën e të  gjitha vdekjeve në Europë dhe në qytetet e Amerikës së Veriut në fillim të shekullit të 19-të, me vdekshmëri 80% të të infektuarve. Njësoj si AIDS sot, TB ishte kaq shkatërrimtar sepse viktimat e tij të zakonshme ishin të rinjtë më dinamikë, më produktivë dhe inovatorë të shoqërisë. TB është arsyeja pse kaq shumë romane të periudhës Gjeorgjiane dhe Viktoriane portretizojnë jetimë dhe jetimore.

Epoka e Artë e Shëndetit Publik – diku mes 1860-1960 – përkon shumë me Epokën e Artë të Inovacionit dhe kjo nuk është rastësi. Uji i pastër dhe ushqimi krahas vaksinave, i bëri të banueshme qytetet e mëdha e të dendura dhe mundësoi nivele të paprecedenta të inovacionit dhe kreativitetit. Rënia e madhe e vdekshmërisë foshnjore i çliroi femrat nga barra e shumë fëmijëve dhe dhënies së ndihmës gjatë krizave të përsëritura mjekësore dhe kjo nxiti kërkesën e tyre për arsimim dhe një rol në jetën publike. E gjitha kjo ishte diçka e re në historinë njerëzore.

Vdekjet nga TB ranë ndjeshëm gjatë kësaj kohe njësoj siç ndodhi me sëmundjet e tjera infektive. Nga 1860 deri në vitin 1950, vdekjet nga sëmundjet infektive ranë me afërsisht 90% në Angli dhe në Uells. Kjo rënie ndodhi përpara qarkullimit dhe përdorimit të përgjithshëm të antibiotikëve. Mund të thuhet me siguri të madhe se kjo i atribuohet zbatimit të masave për shëndetin publik – kryesisht ujit të pastër dhe ushqimit si dhe zhvillimit të vaksinave. Ne dimë sesi të parandalojmë përhapjen e sëmundjeve infektive, një mendim qetësues ky në një botë në të cilën antibiotikët kanë nisur të humbasin pathyeshmërinë e tyre.

Ka një përjashtim në këtë rregull: ne nuk e dimë pse u dobësua TB. Disa arsye mund t’i atribuohen pasterizmit të qumështit përmes të cilit përhapej forma e TB-së që vinte nga gjedhi. TB nuk përhapet ndryshe përmes ushqimit, kështu që pastrami, higjena e thertoreve dhe zhvillimi frigoferik nuk kanë ndonjë ndikim.

TB ndryshe nga ethet e verdha apo malarja, nuk transmetohet nga insektet, ndaj tharja e kënetave nuk e pengon atë. Uji i pastër parandalon diaretë që merrnin kaq shumë jetë fëmijësh, por ai nuk parandalon TB-në, që përhapet nga personi te personi. Vaksinat ndalën vrasës të tillë si difteria apo lija, por vaksina e TB-së nuk është shumë efikase.

Historianët e mjekësisë kanë sugjeruar shkaqe të tjera. Sapo natyra ngjitëse e TB-së u sqarua nga mikrobiologu  gjerman Robert Koch në vitin 1882, u krijuan karantinat dhe sanatoriumet për të thyer zinxhirin e transmetimit. Por këto përpjekje ishin jo të qëndrueshme dhe sporadike dhe shumë studies dyshojnë nëse ato luajtën më shumë sesa një rol minor në kontrollin e TB-së. Po kështu, për shkak se shkalla e vdekshmërisë si pasojë e TB-së ishte shumë e lartë, për një kohë të gjatë, përzgjedhja natyrore si premisë për imunitetin e lindur është propozuar po ashtu si faktor për rënien e goditjes nga sëmundja dhe në fakt ka disa fakte që e mbështesin këtë tezë.

Thomas McKeown një mjek britanik dhe historian mjekësie, ishte skeptik për të gjitha këto shpjegime. Në vitet ’60-’70 të shekullit të 20-të ai publikoi një seri veprash duke argumentuar se TB ishte kryesisht – ndoshta ekskluzivisht – një sëmundje sociale, e tillë që nuk reagonte ndaj ndërhyrjeve mjekësore apo atyre në kuadër të shëndetit publik, po përmirësimit të kushteve të jetesës së popullsisë.

Argumenti i tij ishte se vdekjet nga TB-ja nisën një rënie të qartë kohë përpara sesa kjo të vihej re te sëmundje të tjera të transmetueshme dhe se shkalla e rënies korrespondonte me masat për mirëqenien sociale dhe aspak me prezantimin e ndërhyrjeve të ndryshme në shëndetin publik dhe në mjekësi. Pavarësisht arsimimit të tij si mjek, McKeown u kthye në diçka që mund të quhet nihilist mjekësor kur argumentonte se të gjitha ndërhyrjet mjekësore janë të kota dhe se fondet e dedikuara për “R&D” dhe zhvillimit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Britanik do të ishte më mirë që të shpenzoheshin për të ushqyer dhe strehuar të varfërit.

Teza e , McKeown përmban një apel intuitiv. TB u zhduk në një masë të madhe në vendet e zhvilluara dhe tani konsiderohet një sëmundje e varfërisë. Por studimet e mëvonshme, bazuar në analiza më të sofistikuara të të dhënave demografike dhe ekonomike, nuk i mbështesin pretendimet e McKeown dhe teza e tij sot është refuzuar në masë të madhe. Gjithsesi, asnjë shpjegim tjetër zëvendësues nuk ka gjetur miratim të gjerë.

Hedhja në qarkullim e antibiotikëve kundër TB-së në fund të viteve ’40 u duk se i zhvlerësoi këto argumente, me interes vetëm për historianët e mjekësisë. Me prodhimin e streptomicinës, më pas të isoniazdit dhe rifampinës, tuberkulozi mund të kurohej për herë të parë. Zinxhiri i transmetimit të tij mund të thyhej pa nevojën e karantinës. Nuk ishte më i nevojshëm angazhimi me detyrën e vështirë të furnizimit me ushqim dhe strehimin e duhur për të varfërit. Antibiotikët ishin efektivë dhe të lirë. Nëse ata i jepeshin çdo pacienti, atëherë kërcënimi i TB-së ndaj shëndetit njerëzor dhe qytetërimit mund të merrte fund, ndoshta përgjithnjë.

Për këtë arsye shfaqja e rezistencës ndaj antibiotikëve te tuberkulozi përbën një kërcënim unik, i ndryshëm dhe shumë më i madh sesa kërcënimi nga të ashtuquajturit Superbaktere. Shumica e baktereve multirezistente shfaqin një virulencë të reduktuar – që është shkalla e dëmtimit që mund të shkaktohet nga një mikrob – dhe rrallë infektojnë njerëz që përndryshe janë të shëndetshëm. Për shumicën e këtyre patogjenëve – MRSAs(Methicillin-resistant Staphylocoçus aureus), CREs(Carbapenem-resistant Enterobacteriaceae),VREs(Vancomycin-resistant Enterocoçus), ESBLs(extended-spectrum β-lactamases) – faktorët kryesorë të riskut për infeksione serioze dhe vdekjen, janë mosha e vjetër, hospitalizimi, rënia e imunitetit dhe përdorimi i afërt në kohë i antibiotikëve. Ata sulmojnë të moshuarit, të sëmurët dhe kategoritë e ekspozuara, por jo të rinjtë dhe të shëndetshmit.

Rezistenca e shumëfishtë ndaj ilaçeve te TB(Multiple drug-resistant (MDR)) është e ndryshme: marrja e tyre nuk e bën TB-në më pak virulent. Shumica e viktimave janë të moshës 25-45 vjeç, në kulmin e moshës. Faktorët kryesorë të riskut për infektimin me mikroorganizmat që shfaqin këtë lloj rezistence janë trajtimi i mëpërshëm për TB dhe statusi i refugjatit. Ky infeksion është i trajtueshëm por ai është i vështirë, i shtrenjtë dhe shpesh jo efektiv. 500 mijë njerëz u sëmurën nga ky infeksion në vitin 2015 dhe vetëm ¼ e tyre morën trajtimin e duhur dhe u rikthyen në normalitet.

Shumica e organizmave bëhen më pak virulentë ndërkohë që ata përhapen por është e besueshme të parashikohet se MDR –TB do të bëhet me virulente në mjedise me densitet të lartë popullsie. Nëse kjo ndodh, atëherë jemi në telashe të mëëdha. Ne nuk kemi ndonjë Plan B të qenësishëm për të kufizuar një shpërthim epidemik të formave të tuberkulozit që janë njësoj rezistente dhe më virulente. Ne nuk mund të fusim në karantinë miliona njerëz. Një higjenë më e mirë nuk do të japë rezultate, sepse sëmundja përhapet nga personi në person përmes mushkërive. Ndoshta seleksionimi natyror na ka bërë më pak të prekshëm nga infeksioni sesa paraardhësit tanë, por kjo është një shpresë, jo një plan.

Në një moment të caktuar TB mund ta bëjë shoqërinë tonë progressive, që udhëhiqet nga inoviacioni, të paqëndrueshme. Të njëjtat ndërveprime mes “prodhuesve”, te të cilët ne bazohemi për të drejtuar ekonominë ton, do të përhapin një sëmundje vdekjeprurëse, të vështirë për t’u trajtuar. Goditja më e madhe mes nesh do të jetë te të rinjtë, jeta dhe karriera e të cilëve do të ndërpriten, duke provokuar tensione të jashtëzakonshme në strukturën e shoqërisë sonë. Sistemi ynë ekonomik i ndërlidhur që e ka reduktuar varfërinë drejt niveleve më të ulëta të njohura në histori do të nisë të rrëzohet, duke krijuar një cikël pozitiv mbështetës për shkatërrimin dhe sëmundjen.

Sigurisht, asnjë prej këtyre mund të mos ndodhë. Por konsideroni skenarin më të keq: format e reja të TB kombinuar me të korra të këqija si pasojë e klimës, me rezultat migrime në masë. Kjo mund të hedhë farën e një epidemie të pandalshme që do t’i jepte fund ekonomisë moderne. Ne jemi më të ekspozuar nga sa mendohet: Vdekja e Bardhë mund të riktehet mes nesh sërish.

https://aeon.co/ideas/return-of-the-white-death-the-threat-of-new-strain...

Përkthimi: ResPublica 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.