Feja në arsim, shkollës po i kanoset një aventurë e re

Postuar në 19 Dhjetor, 2016 08:47
Prof.dr Hulusi Hako

Nga janari 2017, me plan pilot të Ministrisë së Arsimit, futet në 10 shkolla të vendit, një lëndë e re me emërtim të bujshëm “Kulturë fetare”. Sesi shkrepi një ide kryeministrore, si ato fanepsjet e ëndrrave të profeteve, dhe, o burra, t’a vëmë në jetë. Dhuratë më të shëmtuar për nxënësit prej babagjyshit të kësaj radhe, nuk është dëgjuar. Me këtë hap shkelet parimi i laicitetit, kjo arritje madhështore e njerëzimit, e realizuar në rrugëtimin e tij, të vështirë e të përgjakur të progresit dhe emancipimit. Laiciteti është kusht i frymëmarrjes mormale të shkollës. Po ndaj feve, tërësisht problematike, bota është ndarë më dysh, njera, ajo prej apologjeti (besimtarë e politikanë), që përgjërohet e shkrihet për të, tjetra, ajo prej mospërfillësish të prerë (laikë e njerëz të amancipuar). Përveç trajtimit të privilegjuar gjithfarsojësh, debulesa fetare ka çuar ujë edhe në mullirin e kompromisit të madh Shkencë-Fe, shkelje kjo, që pllakos edhe shkollën, duke krijuar një precedent problematik. Për divorcin Shkollë- Fe janë bërë përpjekje gjigande, me argumente parimore, të sintetizuara në mendimin njerëzor. Në shekullin 21, nga politika është ndarë mendja të bëhet një përmbysje konceptuale e karakterit të shkollës; injorim i iluminizmit, mesazheve konstruktive të Rilindjes Europiane, traditave të Rilindjes Kombëtare. Është një hap konkretimi i idesë, përcaktuar bindshëm prej të ndierit Sabri Godo: nga monizmi në tranzicion, u kalua nga njeri ekstrem në tjerin, nga mohimi i çdo gjëje që lidhej me fenë, në servilizëm banal të qeverisë ndaj saj; po demonstrohet, në mënyrën më flagante, edhe simbioza e panatyrshme Politikë-Fe.

T`i bësh vend fesë në shkollë, do të thotë, statusin e saj si “një çështje personale”, ta kthesh në “vlerë shoqërore”; remineshencën primitive të lashtësisë, në tërheqje, ta servirësh si një dukuri të perspektivës; dukurinë anësore dhe të varur, kthyer në mjet, ta riciklosh në faktor dhe qëllim; të shkelësh parimin e lirisë së ndërgjegjes, të kalosh në riciklim të padijes dhe mediokritetit. Favorizimi i ri politik i fesë, është marrëzia e re e shekullit, që nuk justifikohet me çfarëdo zbukurimesh qeveritare, të cilat janë falco e bëhen të sforcuara. Gjyshja nuk bëhet dot nuse! Kot nuk është thenë: ç’të bën qeveria, s’ta bën dot as perëndia! Hapi tragjik, është pasojë e trajtimit shtrembër e favorizues të feve, këto shekujt e fundit, si vlerë, liri dhe e drejtë njerëzore. Se ç`është punuar me anën e feve e në emër të tyre, kombi shqiptar ka përvohën më të hidhur. Pse në shpirt dhe në shpinë të tij rëndoi koshi i feve me tërë peshën e karakterit negativ, historikisht, poshtë, u vendosën raportet më të duhura, sidomos, me mbajtjen e tyre sus dhe me zdrugimin e kthetrave agravuese, traditë që nuk u integru në politikë.

Ndaj dhe Republikës së Shqipërisë i takon të ketë statusin e raporteve Shtet-Shoqëri-Fe, me vlerat me përgjithësuese, me imazhin më konstruktiv, si model orientues edhe për forcat politike-intelektuale të trojeve amtare. Si ka rrjedhur historia, si paraqitet sot tabloja e botës, fjalët e Epikurit të lashtë: E ndershme është, jo të bashkohesh me paragjykimet e masës për perënditë, por të hedhësh dritë mbi këto paragjykime, janë vlerë e mesazh me aktualitet. Kundër nismës qeveritare në fjalë, u ngrit zëri i shoqërisë civile, i indinjuar e me artilerinë e rëndë të argumenteve, shoqëruar, sidomos, me stigmatizimin e kalbësisë së dogmatikës fetare. Qindra qytetarë, studjues dhe intelektualë, njerëzit e thjeshtë, s`pyesin, as për qeverinë, që s`respekton as veten. Mendimeve brilante të gurrës popullore, plotësisht diverguese me synimet qeveritare, të përputhshme me aspiratën e njerëzimit e atë kombëtare, u shtojmë dhe ato të shumë njerëzve të shprehur jopublikisht, na del një mikro-referendum spontan, me shpërthime të natyrshme e të sinqerta, të mjaftueshme për politikanët, që t`i vënë gjishtin kokës. Shkollën pa fe e kërkon parimi i madh i laicizmit, bashkë me lirinë e ndërgjegjes e të mendimit, të realizuara nga mendimi botëror, i indriçuar prej orientimit: Dija është forcë, shkolla jep dije, ato ndryshojnë botën.

Këto arritje i dhanë shtysë shkencës, shkollës, iluminizmit e ateizmit, që u bënë dhefaktorë të divorcit të pa revokueshëm të tyre me dogmën fetare e faltoren. Këto kishte në program edhe Rilindja jonë kombëtare, e cila u udhëhoq nga idetë shkencore e atdhetare: Lëreni më nj`anë fenë, të shikojmë mëmëdhenë; Vetë krishti ndë na thëntë, se “jam grek, jakni pas meje, do t`i themi “pa mblidh mëntë, se shqiptari s`vjen pas teje”; Jo për kishë e për xhami, po për mësim-qytetëri, vritemi për Shqipëri; Vëllezër qemë e jemi, s`kemi për t`u ndarë, besë e fe ne kemi kombin shqipëtar; Tjetër është feja, tjetër kombësia; Feja e shqiptarit është shqiptaria. Po, realiteti botëror tregon se, ndërsa historikisht dhe teorikisht, binomi Shkollë-Fe, quhet i ezauruar e i shpërbërë pa kthim, praktikisht dhe politikisht, jo. Vetëm rendi socialist në Shqipëri i qëndroi besnik parimit të laicizmit, iu hoq bashkësive fetare dhe përkujdesjet e koracimet e tepërta, sot, me restaurimin e kapitalizmit në Shqipëri, nisën përsëri zërat dhe kërkesat për penetrim fetar në shkollë.

Ndërkohë, ndërsa qeveritë, s`i përmbahen prerë standarteve, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me seli në Tiranë, një organizëm i kësaj periudhe të restaurimit kapitalist, e ka gjetur daljen për indoktrinimin e mendjes së njomë të fëmijëve të moshave 6-12 vjeç, duke çelur kurse verore tremujore të “mësim-besimit dhe të gjuhës arabe”, diku në zona të thella të Tiranës (Ibë, Ferraj, Qinam), në Vulçan të Librazhdit etj. Ende pa u ushtruar mirë në gjuhën amtare, të miturve u injektohen porosi të profetit dhe ajetet kuranore. Predikuesit kapardisen se po i pajisin me vlera besimi dhe virtyte islame, si garanci e ecjes në rrugën e mbarë. Të tilla kurse u shfaqën edhe në Pejë të Kosovës, të ndarë në dy grup-mosha: 6-9 dhe 9-14 vjeç. Po nëqoftëse besimi islam dhe ai katolik, e ezauruan rolin e tyre, në përdorimin si mjet rrethanor i barrikadës dhe rezistencës kundër ortodoksizimitpërkatësisht sllavizimit dhe helenizimit, amplifikimi sot i fanatizmit fetar, nga kushdo dhe në cilindo drejtim, kthehet në faktor negativ.

Kishomania serbe në Kosovë këto 25 vjetët e fundit, është politike, ndaj dhe objektet janë quajtur “bomba të kurdisura e të pashpërthyera të Milosheviçit”, ku është gjithnjë e pranishme edhe dora e Moskës ortodokse, si mjet i ekspansionit të saj pan-ballkanik. Kjo gjendje e ka tërhequr vëmendjen e intelektualëve patriotë ... Janë edhe një seri librash që turbullojnë mendjet e njerëzve. Me kësi lloj botimesh kapardisen edhe nëpër panaire librash. Tipike, është përdorimi i realizimeve shkencore kundër vetë shkencës, i aktit të Krijimit kundër Evolucionit, manipulimi dhe futja e gjithshkaje në klishetë e fesë islame. Kjo përbën një shembull çmendurie, shtrembërimesh e falsifikimesh flagrante dhe shprehjesh aluçinacionesh që veç letra i duron. Rrënjosja e fesë u intereson pa masë politikave zyrtare, ato ngazëllehen kur banori Strugës apo Ohrit të thotë shqip: “jam truk, turçeli!” Shtimi numerik i një etnije, nëpërmjet asimilimit fetar, është zbritje në etninë tjetër. Parë në tërësi, feja, nga qëllimi, është bërë mjet, dhe, ideja bazë, orientimi shkencor për gjykimin e rolit të sistemeve fetare në kohët tona moderne, mbetet ajo e Henri Kisinger, se: Kërkesat fetare janë pretekste për qëllime politike e strategjike (Diplomacia, f. 93). Motivimi kryeministror së mësimi i fesë në shkollë bëhet që të qartësohen fëmijët për fenë “e pastër e paqësore” që të mos bien pre i xhihadizmit.

Është absurditet, një pretekst i montuar, produkt i filofetarisë dhe nostalgjisë personale. Fetë, në përmasa vendi, rajoni e planetare, prodhojnë probleme e shqetësime serioze. Këto nuk janë të rastit. Indoktrinimi, shpëlarja e trurit, e ka bërë të vetën në cilindo besimtar pa përjashtim. Fanatizmi në fe, tipik e ulur këmbëkryq; siç ka viktimizuar në kohët antike, ca më shumë në Mesjetë, ashtu po vret edhe në kohët moderne, me dëme të pallogaritshme, duke i prishur popujve paqen e qetësinë. Aktualisht, me terrorizmin, si problem global, bota përjeton një makth të vërtetë. Fryma dhe gjuha kërcënuese është sanksionuar në Bibël dhe Kuran. Krishterimi dhe islami, në substancë, janë gatuar si përjashtuese, mbartin urrejtje e intolerancë të ndërsjelltë, madje, edhe midis degëzimeve kryesore brënda secilës. Ndarja e xhihadizmit nga islamizmi, është falsifikim i thelbit të fesë, një pretekst i sajuar vetëm për shpalosjen e favorizuar të saj në shkollë. As një herë nuk kanë munguar vatra shpërthyese të fanatizmit fetar, luftra vëllavrasëse, me gjakosje të egra dhe akte vandale. Fetë nuk i bën politika “të këqija”, ajo i njeh mirë ato si të tilla, ndaj dhe i instrumentalizon. Krerëve myslimanë, në Shqipëri dhe kudo në botë, faktikisht, u takon t`i vrasë ndërgjegjja, të skuqen dhe jo të “distancohen” nga xhihadizmi, jo të lajnë gojën me një fjalë goje!

Shtrembërim i shekullit është edhe pleksja zyrtare e termave kulturë e fe. Me termat ”qytetërim”, “kulturë” dhe “fe”, është thurur një pështjellim konceptual, për më keq, shprehjet “qytetërimi i krishter”, “qytetërimi islam”, janë bërë kaq të zakonshme, sa shumë mendojnë sikur është vërtetë kështu. Nga këto terma të opinionit të rëndomtë, nuk shkëputen dot as politikanët. Fakt është se besimet e larmishme të oazeve njerëzore në xhungla apo, deri dhe fetë botërore - krishterimi dhe islami, që u përhapën nëpërmjet shpatës, insistimit të pushtuesve dhe misionarëve (veçori që i ndan nga kultura e mirëfilltë), në klasifikimin e përgjithshëm të dukurive sociale, i përkasin krijimit emocionaldogmatik, afrojnë e përgjasojnë me kulturën, më shumë se me çdo dukuri tjetër të krijimit njerzor. Të ushtrosh kultin dhe mënyrën fetare të jetesës, është “kulture” e një lloj të jetuari. Po kjo është një afërsi vetëm formale. Thelbësore mbeten dallimet midis tyre. Ajo lloj kulture, gjëndet në paradhomën e kulturave të mirëfillta. Në se kultura e mirëfilltë, zhvillon e ndryshon në një trajektore spirale, me arritje, vlera kolosale, që bëhen shtylla e mjete të progresit, kjo nuk ndodh me besimet; ato janë ngurosur dhe mbeten “bathe-bathë, po një kokërr”.

Parë hollë-hollë, mozaiku dogmatik e ritual i botës, bashkudhëtar i kulturave, është bërë maja e ndërsimeve midis qytetërimeve të mirëfillta. Në qofshin kulturë magjitë, horoskopi, qindra bestytni, bashkë me paragjykimet për macen e zezë, ç’mbetet për t’u quajtur antikulturë, apo, të paktën, kulturë e deformuar? Doktrinat fetare dhe kulturat me bosht shkencën, janë dy forma të veçanta të ndërgjegjes njerëzore, të dallueshme dhe të ndryshme. Ndaj, ideja, sikur Historia e feve, është histori e qytetërimeve, do të duhej të formulohej Historia e feve është histori e diversionit klerikal dhe përdorimit të ngushtë të kulturës e arteve në dobi të përcjelljes më komode to dogmave. Nuk është feja meritore ndaj kulturave e qytetërimeve, anasjelltas, mjetet kulturore e qytetëruese, janë përdorur për rritjen e kredibilitetit të fesë. Nuk bie erë kulturë kur vetë bashkësitë fetare bëjnë përpjekje, sforcime e presion për mbijetesë, duke shfrytëzuar, si epitetet- kallp (qiellore, hyjnore, e shenjtë), ashtu dhe disa dobësi të vetë gjendjes njerëzore (padija, dobësitë, dëshira e ndonjë vazhdimësie të jetës etj.). Në këtë sfond e kontekst, ç`mesazhe dalin nga Kulturkampf i Bismarkut? Si duhen vlerësuar reformat iluministe të Mustafa Qemal-Ataturkut, bashkë me fjalinë e famshme të tij “fetë nuk na bashkojnë”? Mos vallë, edhe Lenini duhej shpallur si tepër tendecioz, që e cilësoi fenë “anti-kulturë”? Ndaj, ajo që duhet hulumtuar, është, jo në se i jep gjëkafshë ky parazit kulturës njerëzore, por sa e si e ka bërë Kisha uzurpimin e kulturës dhe artit të kohës, për interesat e veta të rrënjosjes së dogmave primitive. Ajo që preokupon sot njerëzimin është si të “çminojë” ngërçet dhe stërkëmbshet e shkaktuar prej feve. Progresit, që e synojmë dhe e duam, i bie ndesh mozaiku fetar, (i përkedhelur, shpesh, edhe si “kolorit pluralist”, zbukurues e lezetues). Ky mozaik, përveç si gjëndje latente për armiqësim, është pengesë e sfidë edhe për proceset integruese e globalizuese.

 

"Shekulli"

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Remineshence dhe jehone e nje te kaluare jo-fetare por po aq obskurantiste si ajo qe kaloi Shqiperia e gjore nen sundimin e nje klike qe duke bere ateizmin flamur, persekutoi ne emer te ateizmit plot e plot njerez qe vertet ishin fetare, por nuk ishin as kriminele, as xhihadiste. Zoti Hulusi Hako eshte nje prej perfaqesuesve tipike te tellalleve ateiste te rregjimit "iluministo"-komunist qe shkerdheu kë mundi ne emer te dogmave, pa shih pa shih JO fetare, te maksizem leninizmit.

Se perse eshte profesor, e aq me shume DOKTOR, ky zoteria une nuk e di se nuk i njof ndonje kontribut real ne kulture, shkence apo ne ndonje veprimtari tjeter te dobishme njerezore, perveç gerthitjeve mohuese dhe nxitjes se urrejtjes kunder njerezish pergjithesisht paqesore, qe edukojne ne emer vlerash sublime, duke shfrytezuar faktin qe edhe prej kesaj bashkesie dalin bastarde qe pikerisht duke abuzuar me vlerat shnderrohen ne djaj qe aplikojne kundervlerat.

Ajo qe ky zoteria shtjellon e mbron ne kete shkrim duke thene psh:

"Fetë, në përmasa vendi, rajoni e planetare, prodhojnë probleme e shqetësime serioze. Këto nuk janë të rastit. Indoktrinimi, shpëlarja e trurit, e ka bërë të vetën në cilindo besimtar pa përjashtim. Fanatizmi në fe, tipik e ulur këmbëkryq; siç ka viktimizuar në kohët antike, ca më shumë në Mesjetë, ashtu po vret edhe në kohët moderne, me dëme të pallogaritshme, duke i prishur popujve paqen e qetësinë."

Eshte njelloj sikur une psh te them:

SHKENCAT, në përmasa vendi, rajoni e planetare, prodhojnë probleme e shqetësime serioze. Këto nuk janë të rastit. Perdorimi i armeve berthamore, produkt direkt i kerkimit shkencor ne Fizike, shkaktoi me mijera viktima ne Hiroshima dhe Nagasaki. Po ashtu Lendet Helmuese Luftarake produkt i zhvillimit te vrullshem ne shkencen e Kimise kane shkaktuar me qindra mijera viktima te pafajshme. Mos valle edhe armet konvencionale me te cilat xhihadistet bejne kerdine i hodhi allahu nga lart? etj. etj. Rezultate te kerkimit shkencor siç kane viktimizuar në kohët antike, ashtu po vrasin edhe në kohët moderne, me dëme të pallogaritshme, duke i prishur popujve paqen e qetësinë."

Ajo qe dua te them ketu eshte qe i njejti mjet mund te perdoret edhe si lopate, per te ndertuar, edhe si pushke, per te vrare. Keshtu mor zoti Hulusi feja mund te perdoret si arme, ashtu sic thua zotrote, por perdoret edhe per te dhene paqe e qetesi shpirterore, njelloj si fuqia e atomit mund te perdoret per te vrare, por edhe per te dhene prosperitet. Nejse, edhe indoktrinimi me mosindoktrinim perben nje indoktrinim te nje lloji tjeter, apo jo Zoti Profesor?

Submitted by arkaiku (not verified) on

Ee hu, o Hulusi, i ke rene aq gjate, sa fetaret gezohen nga te tilla sterhollime! Troc muhabeti, ata i kane hypur kalit pa frena dhe koken e tyre kane per gremisur! Problemi eshte se dallkauket tane, Sali Rama dhe Edi Berisha, ia kane hapur kanatat me dysh ideologve fetare te Turqise dhe vendeve te tjera, (kupto dhe politike), dhe nuk do te jete e larget dita ku ligjet e bastarduara gjate viteve te fundit te ndrrohen me nje ligj sheriati; dhe ajd shendet!

Submitted by SHQIP (not verified) on

Më mirë të dish se të mos dish.
Mendoj se eshte me mire qe mbi Fenë dhe historine e zhvillimit te saj te mesohet ne shkolle se ne ambiente te tjera. Kjo edhe per arsyen se diçka e ndaluar behet me ndjellse dhe me e kerkuar.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Pa diskutim, qe ne shkolla duhet mesuar mbi fene, qe do te thote: te mesohet mbi historine e saj. Kete e mesonim edhe ne ne shkollat e sistemit "socialist", kete e mesojne edhe ne France dhe shume vende te tjera. Keshtu mesohet si lindi besimi prej disa fenomeneve natyrore, dhe vazhdohet me tej me mesimin e feve te ndryshme. Gjithe kjo duhet. Mirpo sot nuk behet fjale per mesimin mbi fete dhe historite e tyre, por behet fjale per mesimin e fese, qe do te thote se sejcili nxenes te mesoje njeren nga fete e ndryshme, apo dhe dy bashke, po te doje, ku mesuesit jane kryesisht vete fetare, pra te dale nga shkolla fetare, panvarsisht se keto jane te lindjes apo perendimit. Kjo quhet ideollogjizem me nje nga fete e caktuara, gje te cilen shkolla nuk ka pse t'ua mesoje nxenesve. Po te duan prinderit, le ti cojne, (sic edhe po i cojne sot), femijet e tyre tek hoxha dhe prifti, e t'ua paralizojne trurin me paqen e madhe inatcore per te tjeret, qe u shtijne ne tru!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.