Adhamudhët e paezauruar të koalicionit PS-LSI

Postuar në 19 Dhjetor, 2016 11:45

Oferta PS-LSI për të qeverisur edhe 4 vjet Shqipërinë sipas ish-ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto ka vlerë për sa kohë të dyja partitë nuk i kanë ezauruar potencialet e tyre. Në cilësinë e sekretarit për programin elektoral të LSI-së, Haxhinasto thotë se të dyja partitë jo gjithmonë kanë patur konsensus për reformat, por kjo nuk i pengon të vazhdojnë bashkëpunimin.

"Koalicioni ka akoma potencial të paezauruar, mund të kishte krijuar sinergji më të mëdha për të arritur një ritëm më të lartë të realizimit të premtimeve të veta për të realizuar një rritje më të madhe ekonomike dhe nëpërmjet rritjes ekonomike të kishte siguruar një punësim më të gjerë, më të qëndrueshëm dhe me të ardhura më të larta", tha ai në një intervistë për "Mapo". 

Por çfarë i dhanë PS dhe LSI qeverisjes së vendit në mandatin e parë në mënyrë që edhe pritshmëritë që thotë Hashinasto të jenë deri diku të justifikuara? LSI dhe ministri në fjalë emëruan drejtor rajonal të Transporteve në Sarandë, Kelmend Balilin, njeriun më të kërkuar sot si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Partia e Ilir Metës që në raste të tilla bën sikur nuk kupton, i lau duart me një shkarkim verbal të zyrtarit të saj nga ministri që përflitet se ka udhëtuar me të në Dubai, Ylli Manjani. Zullumi u trash edhe më shumë nga hezitimi i Prokurorisë dhe Policisë për ta arrestuar. Këto rezultate prodhoi sinergjia PS-LSI në nivel drejtorësh, ku LSI regjistron rekordet më flagrante të korrupsionit dhe klientelizmit, si rasti i ish-drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Pjerin Xhuvani i përfshirë në skandalin e barnave apo dhe shumë drejtorëve të tjerë.

Nga ana tjetër Partia mëmë e koalicionit na bëri peshqesh deputetë si Armando Prenga, Arben Ndoka apo pushtetarë lokalë si Elvis Roshi e Artur Bushi, ndërsa LSI nxorri nga fondi i saj politik Shkëlqim Selamin, për të cilin ka dyshime se ka ndërruar mbiemrin dhe në vitet 90 është marrë me trafik qëniesh njerëzore. Ky pak a shumë është kontigjenti me të cilën qeveria PS-LSI kreu punët në shërbim të popullit si lart ashtu dhe poshtë. Edhe vetë ministri që flet ka drejtuar një ministri, agjencitë e së cilës nuk kanë zbatuar vendimet e Gjykatave duke krijuar kushtet për aksidente me pasojë vdekjen e fëmijëve, siç ishte rasti i dy fëmijëve në Gosë të Kavajës në maj të këtij viti. Edhe këtë muhabet LSI e mbylli pa probleme, duke ecur me filozofinë e një qeverie Adhamudhësh, "krre njërin që të shpëtojë tjatri" dhe puna vazhdon.

Ministri në fjalë do të mbahet mend për luftën me furgonët, të cilën e trajtoi si shumë çështje licensash që kishte në dorë, për të cilat ka patur denoncime, që ndoshta kanë merituar të hetohen. Dhe ajo që është më kryesorja këto dy parti dështuan të plotësojnë kushtet që i mundësonin vendit hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, sepse nuk luftuan krimin e organizuar, drogën, korrupsionin, nuk garantuan një një administratë publike të papolitizuar, nuk avancuan në zgjidhjen e çështjes së pronave dhe nuk bënë zgjedhje sipas standardeve.

Atëherë cfare mbetet për t'ua ezauruar nga PS-LSI?

Në këtë panoramë dështimesh Haxhinasto flet edhe për punën e tij si ministër Transportesh, duke fajësuar mungesën e fondeve nga buxheti, që sipas tij nuk i lejuan të arrinte objektivat madhore që kishte si ministër.

"Objektivat e mia në kuadër të qeverisë ku unë kam bërë pjesë deri para pak kohësh kanë shumë më të larta se sa janë realizuar. Do ishin realizuar shumë më tepër në qoftë se do të kishte pasur mundësi më të mëdha buxhetore nga buxheti i shtetit. Akoma infrastruktura e vendit ka nevojë për mbështetje shumë më të madhe sesa ka realisht për të përfunduar shumë vepra që janë akoma të papërfunduara", shtoi ai. 

Sa keq pra që Ilir Meta e mbajti Haxhinaston vetëm për LSI-në dhe nuk e la edhe për pak në shërbimin tonë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.