Lufta e votave PS-LSI më e fortë se ajo e konçesioneve

Postuar në 15 Dhjetor, 2016 10:31

Dy nisma ligjore të qeverisë kanë ngecur në rrjetën e LSI-së, duke vënë në pozitë të vështirë kampin e drejtuar nga kryeministri Rama që siç dihet nuk bën dot pa votat e Illir Metës. Pasi ka imponuar mbajtjen në sirtar të dekretit të Presidentit për Ligjin e Mbetjeve, dje me anë të një letre drejtuar Kuvendit Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar pezullimin e financimit të projektit të partneritetit publik-privat për laboratorët spitalorë gjatë vitit të ardhshëm.

Në kërkesën e bërë nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili,  parashtrohen tre arsye ku mbështetet kërkesa dhe thuhet se: "Fondet e përcaktuara për projektin PPP të laboratorëve të rialokohen brenda të njëjtit program për projektet e tjera sipas vetë vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë”. Koncensioni i laboratorëve parashikonte të merrte një fond prej 8 milion eurosh dhe të zgjaste për 10 vjet.

Nga ana tjetër, sqarimi i LSI-së për të mos kaluar në seancë dekretin e Presidentit për Ligjin e mbetjeve është se “shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara”-siç shpjegoi pak ditë më parë Ilir Meta.

Por a janë qëndrimet e LSI-së parimore ashtu siç i prezantohen publikut apo refuzimi hyn në llogaritë elektorale të Ilir Metës? Pak muaj para zgjedhjeve LSI ka zgjedhur të qëndrojë në anën e atyre që janë kundër importit të mbetjeve dhe infermierëve që kanë kundërshtuar ashpër dhënien me konçesion të laboratorëve spitalorë. Ky qëndrim ekspozon edhe më shumë qeverinë Rama që pritet të shkojë në zgjedhje me garancitë e PDIU-së, pasi e ardhmja me LSI-në mbetet e kushtëzuar nga të tjera zhvillime.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.