Beteja jonë me hackerët, bloggerët, komentuesit e urrejtjes

Postuar në 14 Dhjetor, 2016 15:00

Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes njofton se sot është zhvilluar Konferenca e dytë e Forumit Shqiptar të Sigurisë, e cila “synon të nxjerrë në pah panoramën e sotme të kërcënimeve ashtu si edhe strategjinë, metodat dhe zgjidhjes së zbulimit, vlerësimit, menaxhimit dhe trajtimit të rrezikut, bazuar në trinomin: teknologji – njerëz – proces”.

Në këtë aktivitet ka mbajtur një fjalë edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cila është ndalur në sfidat kryesore që shteti shqiptar percepton dhe vlerëson se afektojnë sigurinë e tij. Në ndryshim nga sa është dëgjuar së fundmi, ministrja ka preferuar të flasë për kërcënimet kibernetike në krye të së cilës qëndrojnë sipas saj “hackerët e hapësirës ish-sovjetike”.

Për t’u theksuar janë risitë në fushën e teknologjisë së informacionit, që kanë ndikuar në lindjen e fenomeneve të reja si sulmet kibernetike apo spiunazhi kibernetik. Hackerët e hapësirës ish-sovjetike, janë po aq agresivë sa dhe etërit e tyre gjatë Luftës së Ftohtë. Duke parë këtë dimension shumëplanësh, Ministria e Mbrojtjes në vitin 2014 ka hartuar edhe një strategji për mbrojtjen kibernetike, duke pasur tashmë një dokument të hartuar sipas standardeve të NATO-s. Ky dokument synon adresimin e prioriteteve kryesore në luftën kundër krimit kibernetik, duke përfshirë ruajtjen e një mjedisi operimi elektronik të sigurtë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm, vendosjen e standardeve për përdorimin e sigurtë të hapësirës kibernetike si dhe garantimin e sigurisë dhe progresit për strukturat dhe sistemet e ndërlidhjes dhe informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes

tha Kodheli.

Ky është një komponent i ri në politikat e sigurisë së Shqipërisë që shtron menjëherë pyetjen nëse kemi ne, qeveria, personelin dhe strategjinë e përshtatshme të përballemi me një kërcënim kaq kompleks. Sipas Kodhelit një tjetër kërcënim që ndërlidhet me botën dixhitale është radikalizmi fetar ndaj të cilit Shqipëria siç tha ajo nuk është imune. Sa i përket përhapjes së forcave tona të armatosura në misione shumëkombëshe, Kodheli parashtroi një lidhje, në dukje të pakapshme, mes angazhimit të Shqipërisë dhe rrezikut kibernetik

Gjithashtu ne jemi prezent edhe në kufinjtë lindorë të NATO-s me stërvitje dhe angazhime të ndryshme ushtarake. Ndërkohë që nga viti i ardhshëm ne do të jemi prezentë në mënyrë të vazhdueshme në Letoni, me një togë, pjesë të Forcës së përparuar të NATO-s për t’ju kundërvënë rreziqeve që vijnë nga Lindja. E dikush do të pyesë më shumë të drejtë, se ku qëndron lidhja mes prezencës ushtarake shqiptare nëpër botë dhe sigurisë kibernetike. Por prapë tentoj të jap përgjigje të thjeshta: nga kufinjtë e këtyre zonave ku ne jemi prezent ushtarakisht, vijnë dhe sulmet më të mëdha kibernetike ndaj demokracive tona. Betejat e sotme janë me hackerët, bloggerët, komentuesit e urrejtjes, për të përgatitur terrenin e nevojshëm, në mendjet e qytetarëve tanë dhe në aksesin tek të dhënat e tyre, për konfliktet frontale.

Fjali të dëgjuara tjetërkund, të cilat ministrja thjesht i ka përsëritur mekanikisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.