Ballkani sërish vijë konflikti

Postuar në 13 Dhjetor, 2016 22:38

Një shashkë e radhës është hedhur në Ballkan. Gazeta kroate “Vecernji List” shkruan se është në dijeni dhe ka parë një dokument që flet për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Ballkan. Ndërhyrja lidhet me potencialin e konflikteve etnike, si duket në Bosnje – Hercegovinë më së shumti ku pritet një referendum nga Republika Srpska në vitin e ardhshëm. Dokumenti që citohet nga gazeta kroate flet për dy rreziqe: sjellja ruse në rajon dhe radikalizmi. Vlerësime që po mbushin të pakëtn 3 vjet që shkruhen e raportohen. Gazeta shton se dokumenti është pranuar nga ministrat e Jashtëm të Aleancës këtë muaj, çka do të thotë se atë e ka parë edhe Ditmir Bushati.

http://www.b92.net/eng/news/region.php?yyyy=2016&mm=12&dd=13&nav_id=99946

Ky lajm vjen ndërkohë që në Tiranë ka qenë për vizitë kreu i CIA-s, John Brennan, ndonëse axhenda e tij mbetet e paqartë përtej konfirmimit se ka të bëjë me çështje të sigurisë. Sot që po flasim, qeveria shqiptare është kujtuar të bëjë diçka për zhvillimet në Maqedoni, teksa nga zyra e kryeministrit shqiptar Edi Rama është shitur lajmi se “qeverinë e re në Shkup po e “bën” Tirana”. Flitet për negociime e për ndërmjetësime, ndërkohë që në Shkup kreu i opozitës Zoran Zaev ka bërë thirrje për të mos krijuar koalicion qeverisë me Nikolla Gruevskin. Do të shihet se nga do të anojë vendimmarrja e partive shqiptare për të vlerësuar ndikimin e Tiranës zyrtare.

Një tjetër lajm me rëndësi vjen nga Serbia, vendi që përjeton sot presionin më të madh të brendshëm e të jashtëm. Vetoja kroate e vuri në pozicion të vështirë kryeministrin serb, Alexander Vuçiç, i cili u largua nga mbledhja e sotme në Bruksel. Ai ka deklaruar se “Serbia do të flasë ndryshe”. Një mesazh që mbetet për t’u zbuluar se çfarë do të thotë.

Por në një kohë kur BE-ja këmbëngul në kërkesën për standarde duke deklaruar në thelb pamundësinë e Ballkanit Perëndimor për të ecur siç duhet, kërkesat me natyrë strategjike nuk mungojnë. Agjencia serbe e lajmeve, “B92”, raporton se unioni i ka kërkuar Beogradit të mbyllë qendrën e përbashkët serbo-ruse në Nish, e cila zyrtarisht është me qëllime humanitare, nëse dëshiron të hyjë në BE. Kjo kërkesë është bërë publike nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një vizite në Serbi, i cili tha se BE-ja e sheh qendrën si pikë spiunazhi.

Në përgjithësi BE-ja i kërkon Serbisë të sillet si lideri malazez i cili ka tradhëtuar të gjitha premtimet e tij, ka tradhëtuar Rusinë pavarësisht faktit se Rusia nuk i ka bërë ndonjë të keqe

tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic ka pranur se konsiderimi i kësaj qendre si pikë spiunazhi është absurd dhe ka sqaruar se statusi i saj do të jetë objekt diskutimi gjatë vizitës së Vuçiç në Rusi më 21 dhjetor.

http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2016&mm=12&dd=13&nav_id=99943

Duket se rrethi për Serbinë dhe lojën e saj të neutralitetit po shtrëngohet ndjeshëm. Pavarësisht një momenti hapjeje dhe ofensive diplomatike, Beogradi zyrtar duhet të merret në thelb me probleme që vijnë nga e shkuara: Kosova, integrimi si dilemë mes BE-së dhe Rusisë, marrëdhëniet me Kroacinë, qëndrimi ndaj krimeve të luftës dhe menaxhimi i serbëve të Bosnjes. Mbi të gjitha Serbia duhet të gjejë rrugën nga do të shkojë. Kursi i saj përcakton në një masë edhe stabilitetin rajonal, rolin e Rusisë dhe të BE-së, edhe pse gazeta kroate referon zyrtarë anonimë që theksojnë "dokumenti ka natyrë parandaluese".  

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.