Berisha thotë se e kishte paralajmëruar Edi Ramën për pasojat e 21 Janarit

Postuar në 13 Dhjetor, 2016 09:23

21 Janari mbetet ende një nga ngjarjet e pazbardhura dhe me shumë pikëpyetje për rolin e ish-qeverisë së Partisë Demokratike si dhe ish-opozitës socialiste në protestën që u mbyll me katër të vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Partia Socialiste vijon ta konsiderojë si një ditë homazh dhe angazhim të saj politik zbardhjen e së vërtetës, ndërsa Partia Demokratike si një sulm kundër institucioneve kushtetuese që u mbyll me një bilanc tragjik.

Në hetime u angazhuan edhe Shtetet e Bashkuara, por procesi gjyqësor për këtë ngjarje u mbyll me dënimin e ish gardistit Llupo dhe ish-shefit të gardës, Ndrea Prendi, ndonëse u kërkua që të kishte edhe hetim të organizatorëve të 21 Janarit. Ish-shefi i opozitës socialiste, tani kryeministër, Edi Rama thotë se drejtësia nuk është vendosur ende për shkak të problemeve me gjyqësorin edhe pse 4 vite më parë u zotua të pajtonte një studio ligjore për të ndjekur çështjen. Familjet e të vrarëve janë trajtuar me pension të veçantë nga qeveria e tanishme që e ka kthyer 21 Janarin në një ditë politike, duke e pëkujtuar atë ngjarje si një revolte popullore kundër “regjimit” të Sali Berishës.

Të gjithë e mbajmë mend se atë ditë kryeministri Rama nuk i priu turmës dhe nuk qëndroi asnjëherë në krye të protestuesve, por diku në mes të saj. Këtë qëndrim të tij ai e shpjegoi me faktin se revoltën e udhëhiqte populli dhe Partia Socialiste në opozitë iu bashkua popullit në këtë marshim antiqeveritar.Por 5 vite më vonë, ish-kryeministri Berisha, personi ndaj të cilit u krye protesta zbulon se ish-kreu i opozitës ka patur dijeni për pasojat fatale që mund të kishte cënimi i kryeministrisë. Në një intervistë për Top Stury ai tha se e kishte paralajmëruar Edi Ramën për reagimin që do të pasonte në rast të mësymjes së dhunshme kundër institucioneve.

Kam shprehur dhimbje dhe keqardhje për ata njerëz, por institucioni nuk dorëzohej nga Sali Berisha. Ishte zgjedhje e gabuar nga Edi Rama. Ishte jashtë diskutimit që unë të lëshoja zyrën time. Kam shprehur dhimbjen më të madhe për viktimat, por as 1, as 3, as 300 nuk do të pushtonin zyrën time. Nuk e kisha konceptuar deri në atë ditë kurrë si armik, por të nesërmen ashtu siç i pata çuar fjalë nëse nuk do të përmbahej ai nuk do të ishte më. Ai u soll si armik. Më rrethoi me qëllimin që të vinte dhe të mbante një fjalim te zyra ime- u shpreh Berisha.

As Berisha dhe as Rama nuk kanë dëshmuar për 21 Janarin dhe ndoshta një rihapje e procesit do të ndihmonte në zbardhjen e së vërtetës dhe rolin e këtyre dy personazheve në protestën me 4 të vrarë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.