Zgjedhjet e qershorit 2017, karikaturë e asaj që po ndodh në Maqedoni

Postuar në 12 Dhjetor, 2016 14:45
Zamir Alushi

Të gjithë ata që nuk iu pëlqen situata në Shqipëri, nuk do të donin të na ndodhë edhe këtu si në Maqedoni. Duke parë zgjedhjet në Maqedoni fare mirë mund të bësh një projeksion të përafërt të zgjedhjeve të ardhshme në qershor 2017, në Shqipëri. Vendin tonë mund ta krahasojmë vetëm me vendet e vogla fqinjë, për nga niveli i zhvillimit dhe problemet që përballen shoqëritë tona. Po të vihet re, edhe në Malin e Zi u konfirmua qeveria nga zgjedhjet e para disa javëve. Edhe pakicat etnike në Malin e Zi arritën të marrin më pak se sa vitet e kaluara, një fenomen që konstatohet, po ashtu në Maqedoni. Por, ka ndodhur një dukuri politike që shqiptarët janë përfaqësuar në parti malazeze apo maqedonase, një fakt që nuk të bën përshtypje me grekët në Shqipëri, që e gjejnë veten herë si deputetë e ministra të PS dhe herë të PD-së, duke fuqizuar mazhorancat. Çfarë tregon kjo? Vjen një moment dhe njerëzit e thjeshtë lodhen me parulla nacionaliste, duan thjesht të zgjidhin problemet e tyre. Është e vërtetë se shqiptarët humbën mandate në këto dy vende, por nuk kanë fituar më shumë të drejta apo të mira materiale kur kanë qenë të përfaqësuar nga disa deputetë më tepër në parlament.

Duke u kthyer tek fillimi, duhet ta theksojmë përse këto zgjedhje në Maqedoni ngjajnë me ato që do ndodhin në 2017-n në Shqipëri. Mbi të gjitha, opozita jonë këtu i ngjan asaj maqedonase të Zajevit, me stilin investigativ të të ndjekurit të problemeve, me mënyrën e zhvillimit të protestave dhe të raportit me parlamentin. Hapja e PD-së, një metodë e re që mundohet të aplikojë kjo parti për të afruar njerëz, ngjan pak a shumë me rrugëtimin e opozitës maqedonase, e cila dukej sikur përfaqësonte gjithë pakënaqësinë e popullit ndaj skandaleve të qeverisë Gruevski, por në fakt nuk ngjallte besimin tek pjesa gri (tek qytetarët që nuk shkuan të votojnë, afro 34 %).

Stili i Zajevit duke flirtuar me shqiptarët, duke rrezikuar të quhej edhe “tradhtar” nga nacionalistët maqedonas, është si dy pika uji me afrimin e së djathtës PBDNJ, madje duke mbrojtur marrëveshjen e detit që e ka hedhur poshtë gjykata e vendit të tyre. Por, ka më shumë rrethana që e përforcojnë këtë ide. Kur vijmë të faktori shqiptar në Malin e Zi dhe në Maqedoni, pavarësisht se u morën më pak deputetë nga parcelizimi në 5 lista zgjedhore, nuk mund të mos dallohet faktori progresiv. Nëse distancohemi nga idetë konspirative të ndikimit rus apo turk, (për aq kohë sa nuk janë të verifikuara), mund ta themi me plotë gojën se shqiptarët në këto vise treguan  forcë për lindur forca të reja si “Besa”, që nuk ia ulin aspak fuqinë faktorit shqiptar, por e diversifikojnë përfaqësimin e tyre. Këtë forcë nuk po e shohim në Shqipëri, ku partitë e reja lindin si foshnjat nën peshë.

Duke parë aksionin politik të partive “Libra” apo “Sfida”, nuk është akoma e qartë nëse këto do ta kapërcejnë pragun e partive të vogla. I vetmi faktor i ndryshëm në ekuacionin shqiptar është forca e tretë, që është LSI. Për momentin LSI nuk ka dhënë sinjale se do të dalë nga koalicioni, lëvizja e saj nga koalicioni i majtë thjesht do të fuqizonte partinë e çamëve PDIU, aleate e natyrshme e kryeministrit Rama. Ka një faktor tjetër në Maqedoni, që na shpjegon përse LSI ka më shumë gjasa të qëndrojë në koalicionin e majtë. Ky është Vetting-u. Në Maqedoni, procesi nisi me nxitjen e opozitës, por Gruevski e nisi zbatimin e masave me shpejtësi, madje e bëri një nga parullat e qeverisjes së tij, pavarësisht rezultateve në terren (edhe atje ka bllokime).

Në këto zgjedhje, e majta do ta përdorë fort kartën e Vetting-ut, të cilën (nënkupto Drejtësinë), shqiptarët e duan. Në këtë pikë, LSI siç e ka shprehur me veprime, do të donte të ishte përkrah atyre që mbajnë flamurin e Vetting-ut, sepse kartat e tjera elektorale, si vende pune, rrugë, ujësjellësa, rroga, pensione, kompensime, në zgjedhjet e 2017-s nuk do të besohen nga elektorati. Pse nuk mund të ndodhë fenomeni ”Trump” edhe në Shqipëri. Fjala vjen, në Itali ndodhi që elektorati gri vendosi kundër kyeministrit Renzi. Po në Shqipëri? Shqipëria politike, për fatin tonë të keq, i ngjan Italisë së viteve ’90, kur bëhej beteja me mafian në pushtet, ndërsa na mungon një Beppe Grillo që të tërheqë fort të pavendosurit. Në këto kushte, ajo që ka më shumë gjasa të shohim në zgjedhjet 2017, do të jetë një karikaturë e zgjedhjeve në Maqedoni.         

"TemaTv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.