Rivendosje e lidhjeve për të mos lejuar asimilimin e arbëreshëve*

Postuar në 12 Dhjetor, 2016 08:56
Fatmir Toçi - deputet i Parlamentit shqiptar

Në Itali, që prej më shumë se 600 vjetësh është vendosur dhe jeton një komunitet shqiptar i ardhur përgjatë rrjedhave të kohës nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga arvanitasit e Greqisë, kryesisht zona e Peloponezit, Epirit, dhe ishujt e Jonit. Shkaqet kryesore të këtyre dyndjeve të mëdha ishin luftërat midis Lindjes e Krishterimit, luftërat dhe grindjet e brendshme, si dhe gjendja e vështirë ekonomike e popullsisë së këtyre trevave dhe banorëve shqiptarë në rajonin e Ballkanit në epokën paramesjetare dhe Mesjetë.

Historia përgjatë këtyre 600 vjetëve njeh rreth 10 periudha të valëve emigruese masive të shqiptarëve drejt Gadishullit të Apenineve. Por tre prej tyre, ato të viteve pas vdekjes së Skënderbeut, kanë qenë determinuese për formimin dhe kompaktësimin e një komuniteti që do të dinte të ruante me dashuri e fanatizëm gjuhën, kulturën, besimin, mënyrën e jetesës, doket, zakonet, e do t’i dallonte si shqiptarë të Italisë me emrin tingëllues arbëresh.

Arsyet e mbijetesës të identitetit shqiptar me të gjithë elementët që e përbëjnë atë janë të shumta, si forca e karakterit të njerëzve që përbëjnë këtë komunitet, dashuria dhe krenaria për vendin nga ku kishin ardhur, por edhe kompaktësia e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën, si dhe një farë vetizolimi në marrëdhëniet me vendasit, të favorizuara nga periudha mesjetare kur u vendosën këto ngjarje.

Arbëreshët e ardhur nga Shqipëria u vendosën kryesisht në Jug të Italisë, duke u shpërndarë me komunitete kompakte në Abruzzo, Molise, Campagna, Basilicata, Puglia, Calabria e Sicilia, dhe identifikoheshin lehtësisht nga vendasit për shkak të gjuhës së veçantë që përdornin në të përditshmen e tyre. Disa komunitete shqiptare të ardhura, ata që u vendosën më pranë zonave urbane të banuara nga vendasit, përgjatë dekadave e shekujve, nuk mundën t’i shpëtojnë asimilimit. Sipas studiuesve të ndryshëm, rreth 30 lokalitete arbëreshe janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën dhe identitetin e origjinës duke u integruar në atë italiane.

Sot, në të gjithë Italinë, njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe apo shqiptarë të Italisë, siç njihen ndryshe. Nga këto 41 komuna dhe 9 fraksione (qendra të vogla banimi), të shpërndara në 7 qarqe (regioni) të Italisë së Jugut dhe ishujve në Jug rezultojnë që jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë.

Sipas censusit të vitit 1921 rezultonin mbi 82.000 arbëreshë, sipas atij të vitit 1997 rezultonte një popullsi shqiptare prej 197.000 banorësh, edhe pse në vitin 1998 Ministria e Brendshme e Italisë e ka përcaktuar minorancën shqiptare në Itali në 98.000 vetë.

Qarku (Regione) ku shqiptarët janë vendosur masivisht, madje në zona shumë pranë njëri-tjetrit, është Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos. Në Puglia janë vendosur pak arbëreshë, 4 komuna, me rreth 12.000 banorë, të përqendruar kryesisht në Foggia, Casalvecchio e Chietti, në provincën e Tarantos në San Marzano, por edhe në qytetin e Barit e Cassani delle Murge.

Komunitete më të vogla arbëreshe janë të vendosur edhe në Molise (Campomarino, Ururi, Montecilfone e Portocannone); Basilicata (San Paolo Albanese, San Costantino Albanese, Barile, Ginestra e Maschito), por edhe në Campania e Abruzzo.

Komunitetet arbëreshe më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe territorit janë Piana degli Albanese (Hora Arbëresh) në Palermo, Spezzano Albanese, San Demetrio Corone (Shën Mitri), San Giorgio (Mbuzat), San Sofia d’Epiro (Shën Sofia e Epirit), Vaccarizzo (Vakarici) në provincën e Kozencës, San Marzano di San Giuseppe në Taranto etj.

Komunitete të konsiderueshme arbëreshë gjenden edhe në qendrat e mëdha të metropolit në Itali, si në Milano, Torino, Napoli, Bari, Cosenza, Crotone dhe Palermo. Gjithashtu, komunitete arbëresh që mbijetojnë fort dhe mbajnë akoma të gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën e jetesës të vendit të tyre të origjinës gjenden edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë dhe Brazil, si rrjedhojë e emigrimeve të vendeve të Evropës drejt kontinentit amerikan dhe si pjesë e emigracionit italian, kryesisht në fund të shek. XIX e fillim dhe përgjatë të shekullit XX.

Arbëreshët, këta shqiptarë të Italisë kanë mundur të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Qëndresa e vetëdijshme dhe krenare e tyre i kanë bërë ata si një nga rastet unikale në botë e në të gjitha kohërat, që një sfond historik i një shoqërie të tërë në periudhën e Mesjetës të sillet e konservuar deri në ditët tona, si një relike dhe njëkohësisht si një pasuri e rrallë, jo vetëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore botërore.

Por në kohën e sotme, për shkak të tendencave globalizuese në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore, problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara të ekonomisë në Jugun e Italisë, nevojave për punësim drejt Veriut të Italisë apo vendeve të tjera, nevojat për shkollim drejt metropolit, por edhe ndikimi i jashtëzakonshëm i mediave dhe mjeteve të tjera të komunikimit publik në gjuhën italiane, ka sjellë si rrezik potencial fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve dhe, për rrjedhojë, mospërdorimin e gjuhës, asimilimin e ngadaltë e bjerrjen e identitetit.

Ka një ligj italian (që quhet edhe ligji “Buttiglione”, duke marrë emrin e ministrit të Politikave të Komuniteteve të kohës kur u miratua ky ligj), i cili mbron të drejtat e minoriteteve dhe mundëson e mbështet edhe mësimin e gjuhëve të pakicave në shkollat e sistemit shtetëror italian, ku këto pakica ekzistojnë.

Ky ligji italian e ka klasifikuar arbërishten midis gjuhëve minoritare të mbrojtura nga shteti, së bashku me gjermanishten e Alto Adige dhe sllovenishten, si gjuhë kryesore dhe kroatishten, greqishten etj., si gjuhë të dyta. Ajo gëzon të drejtën e mësimit në shkolla, të mbrojtjes përmes institucioneve të veçanta universitare dhe komunale, përdorimit si gjuhë zyrtare në organet komunale etj.
Ka një fond të caktuar dhe të konsiderueshëm për implementimin e atij ligji.

Faktikisht, arbërishtja përdoret si gjuhë e folur dhe zyrtare në komunitetet arbëreshe kompakte të Kalabrisë, Bazilikatës, Molizes, Sicilisë, si dhe në komuna të izoluara si në San Marcano të Tarantos, Greci të Kampanjës etj.

Në dhjetë vitet e fundit, favoret që krijohen nga ligji janë përdorur kryesisht për investime në infrastrukturën e komunave arbëreshe, në organizimin e veprimtarive kulturore, në punë kërkimore, apo botime shkencore. Veprimtaria arsimore ka qenë sporadike dhe e kufizuar. Vetëm në pak komuna dhe klasa ka pasur një mësimdhënie sistematike dhe nga persona kompetentë. Puna kryesore në këtë drejtim i është lënë sporteleve linguistike, të cilat kanë organizuar kryesisht veprimtari kulturore me folklorin, apo kulturën arbëreshe. Rezultati kryesor i kësaj pune ka qenë ruajtja e shpirtit identitar arbëresh, e traditave kulturore dhe e monumenteve, por jo e gjuhës.

Është një fakt krejt i dukshëm që gjuha arbërisht po humbet terrenin midis moshave të mitura, ndërkohë që flitet midis të moshuarve mbi 40 vjeç në familje, por edhe në rrugë e takime miqësore. Kjo bën që të shkëputet kontakti midis brezave, që është garancia për ruajtjen e gjuhës.

Ndërkohë, veprimtaria universitare e katedrave të gjuhës shqipe në Kozencë, Palermo, Napoli dhe Romë është e përqendruar vetëm në studime dhe nuk ka asnjë drejtim pedagogjik me brezin e ri të popullsisë arbëreshe. Situata rrezikon të përkeqësohet në vitet e ardhshme dhe të shkojë drejt zhdukjes së arbërishtes së folur në 20-30 vitet e ardhshme.

Ky është dhe shqetësimi i vazhdueshëm i arbëreshëve në Itali, i banorëve, drejtuesve të komunave arbëreshe, intelektualëve, studiuesve dhe i katedrave të gjuhës shqipe që funksionojnë në universitetet e Kozencës, Palermos, Napolit e Romës.

Është fat i madh dhe një bonus mjaft i rëndësishëm dhe për t’u vlerësuar që kolegji i San Demetrio Corone (Shën Mitri) në Kalabri, i cili ka meritën e formimit të gjuhës letrare arbëreshe dhe të krijimit të sistemit modern të arsimit publik shqiptar, ku ka dhënë mësim edhe De Rada e ku kanë studiuar nga personalitetet më të ndritur të Rilindjes e kulturës shqiptare, midis tyre edhe Aleksandër Xhuvani, Luigj Gurakuqi, Kostaq Cipo etj., është rikonstrukturuar e ringjallur. Dhe jo vetëm kaq, por i ka kaluar në administrim të plotë komunës arbëreshe të Shën Mitrit. Është rasti dhe janë të gjitha mundësitë që ky kolegj të kthehet në lavdinë e dikurshme dhe të bëhet pikëtakimi, qendra e arsimimit dhe e kulturës shqiptare.

Në të gjitha takimet dhe vizitat e nivelit të lartë që janë zhvilluar në vitet e fundit në komunat ku jetojnë arbëreshë, si dhe në kontakte e takime të tjera, janë vlerësuar qëndresa dhe forca identitare e shqiptarëve të Italisë në shekuj. Janë vlerësuar roli dhe kontributi i shumë figurave arbëreshe në historinë dhe Rilindjen kombëtare të të dyja vendeve, si dhe roli i sotëm i komunitetit arbëresh në Itali si faktor pozitiv dhe urë e rëndësishme në rrugën integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Në të gjitha rastet arbëreshët kanë ngritur shqetësimin dhe kanë kërkuar mbështetje konkrete nga shteti shqiptar për rrezikun e humbjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe në kushtet globalizimit dhe integrimit në shoqërinë italiane e atë evropiane, papunësinë si fenomen kronik dhe, si pasoje, braktisjen e trojeve arbëreshe drejt metropolit, nevojën për tekste shkollore dhe intensifikimin e shkëmbimeve kulturore – shkencore, prezencë gjithmonë e më të madhe të faktorit shqiptar në komunitetin arbëresh për njohjen më të mirë të njëri-tjetrit.

Është theksuar nevoja e ndërtimit, forcimit dhe zgjerimit në kushtet aktuale të hapjes së Shqipërisë të marrëdhënieve mbi bazën institucionale, fusha me interes të përbashkët, siç janë shkëmbimet tregtare, përvoja në bujqësi dhe përpunimin e produkteve bujqësore, investimet e biznesmenëve arbëreshë në Shqipëri, në fushën e turizmit, sidomos atij historik e kulturor.

Nevoja për forcimin, zgjerimin dhe mbajtjen e lidhjeve të përhershme dhe institucionale me komunat arbëreshe, si dhe institucionet e tjera studimore, kulturore e ekonomiko-shoqërore, duke koordinuar edhe kontaktet me institucionet përkatëse në Republikën e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë.

Në të kundërt, gjithë kjo pasuri e vyer dhe unikale e trashëgimisë sonë kulturore, e një komuniteti kompakt dhe me një histori mbresëlënëse qëndrese, që e ka mbajtur në të gjitha kohërat me krenari emrin shqiptar të origjinës, do të bjerret e do të shuhet dalëngadalë, siç ka ndodhur përgjatë historisë me shumë popuj, kultura e identitete në epoka të ndryshme.

*Titulli origjinal: Arbëreshët e Italisë, midis krenarisë së qëndresës dhe rrezikut të asimilimit

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.