Bakllava “made in Albania” për paqen në Ballkan

Postuar në 08 Dhjetor, 2016 16:38

Kryeministri i Shqipërisë ka bërë një kthesë të madhe në profilizimin e vetes si politikan krahasuar me periudhën e opozitarizmit. Asokohe, Edi Rama ishte një ndër njerëzit e politikës që fliste më pak nga të gjithë për politikën e jashtme, duke vlerësuar në mjedise private për pamundësinë e Shqipërisë për të thënë diçka për punët e kësaj bote. Mirëpo ja që kohët ndryshojnë dhe ato i bëjnë të kuptojë shumëkujt se ka patur gabime.

Prej disa muajsh Edi Rama ka nisur një fushatë personale në drejtim të politikës së jashtme, politikë e cila nuk ka prodhuar ndonjë gjë, veçse retorikë dhe kontraktim në disa raporte me fqinjët. Të sqarojmë menjëherë diçka: jo se çdo gjë që ka thënë kryeministri ka qenë gabim, apo e padrejtë. Por mënyra e shtrimit të tyre, si gjetje personale, ngritur mbi axhenda të paqarta, minojnë besimin se kemi të bëjmë me ndonjë strategji të mirëmenduar.

Në këtë përpjekje ka edhe rrëshkitje në pohime joreale, si ky që Rama bëri sot me rastin e hapjes së Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, pjesë e procesit euro-integrues të Berlinit dhe vazhdimit në Vjenë dhe Paris mes vendeve ballkanike.

Mund të bëjmë së bashku atë që francezët e gjermanët bënë për Europën. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë në rajon. Ky rajon mbeti për një kohë të gjatë si fuçia e barutit të Europës. Lumenjtë e gjakut dhe dasitë, kanë përcaktuar raportet për shumë vite. Sot jemi në një atmosferë tjetër, paqeje në rajon. Edhe pse nuk jemi dakord në gjithçka me njëri-tjetrin”, tha Rama. Një pohim që bart kontradikta dhe nuk i përgjigjet realitetit: atij rajonal, por edhe atij që ka të bëjë me fuqinë e Shqipërisë për të iniciuar procese me ndikim në Ballkan.

Së pari Shqipëria dhe bota shqiptare është një hapësirë e pa-paqëtuar brenda vetes, qoftë në raport me historinë e afërt, qoftë për nga dinamika e gjeopolitikës fetare shumë komplekse, qoftë edhe për nga drejtimi strategjik i politikës.

Së dyti, Ballkani edhe sot që flasim, por edhe gjatë Luftës së Ftohtë, kur një entitet si Jugosllavia impononte një raport forcash që e favorizoi paqen, nuk ka qenë dhe nuk arrin të jetë përgjegjës për sigurinë dhe paqen e vet. Luftërat në ish-Jugosllavi prodhuan dy misione paqeruatjeje ndërkombëtare: SFOR dhe KFOR, respektivisht në Bosnje dhe në Kosovë, prodhuar nga dy kontrata ndërkombëtare dhe ndërhyrje ushtarake.

Vetë Shqipëria me qeverinë aktuale, ka prodhuar një seri problemesh me fqinjët, të cilët pavarësisht patologjive atavike të këtyre të fundit në raport me shqiptarët, kanë të drejtë të ngrenë akuzën se z. Rama dhe qeveria e tij, i është drejtuar nacionalizmit për të adresuar disa çështje të ndjeshme. Deklaratat e fundit nga Greqia, deri edhe qëndrimet qesharake, por ballkanikisht xanxare të ministrave të saj, flasin për të kundërtën e asaj që sot thotë kryeministri shqiptar.

Së katërti, kryeministri nuk ka tagër që të promovojë këtë realitet “idilik” kur vetëm për deklaratat e fundit në Beograd, iu desh thuajse të kërkonte falje në Kosovë. Më tej akoma, kryeministri shqiptar nuk ka thuajse asnjë kontakt, apo asnjë vëmendje ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, një vend ku tatohet pulsi i paqes ballkanike.

Së pesti, është e paqartë edhe për opinionin shqiptar se cila është natyra e marrëdhënies së tij me Turqinë dhe presidentin e saj Erdogan. Pavarësisht të gjithave, kemi një vend anëtar të NATO-s, presidenti i të cilit deklaron se nuk njeh një traktat ndërkombëtar si ai i Lozanës. Edhe sikur të jetë një rast që për momentin po izolohet, ai evokon një brengë të Turqisë që hap një spirale delegjitimimi në Ballkan. Kush prej shqiptarëve e aprovon Konferencën e Londrës, kush prej serbëve apo kroatëve e pranon Konferencën e Dejtonit?

Së fundmi është edhe rreziku rus, të cilin e amplifikon edhe një ish këshilltar i qeverisë Rama. Rreziku rus është shumë specifik nëse i besojmë teorizimeve të Perëndimit për luftën hibride. Një doktrinë që bazohet te subversioni politik përmes angazhimit të opozitave të radikalizuara, apo antiperëndimore, që janë prezente kudo, përveç botës shqiptare në pjesën më të madhe.

Këto faktorë kanë shtuar prezencën ndërkohë që integrimi dhe hyrja në BE është një prirje që po zbehet në Ballkan. Ajo ka qenë politikë dominuese për 20 vjetët e fundit, por asnjëherë aq konsensuale sa të ketë nënkuptuar një pakt strategjik të ballkanasve për të lënë pas të shkuarën në emër të një të ardhmeje të re. Neutraliteti i Serbisë, problemet fetare që ndikojnë edhe në vendimmarrjen e BE-së, si dhe një kapacitet defektoz i shteteve në rajon për të siguruar mekanizma dhe institucione që korrigjojnë shumë gabime, e ekspozojnë Ballkanin ndaj të njëjtave ethe të së shkuarës. Nuk po përmendim shqiptarët, por konfliktin historik mes serbëve e kroatëve, njësoj si ndarjen në Mal të Zi.

BE-ja ka bërë të qartë se nuk do të pranojë brenda vetes probleme ndërkufitare apo drogën dhe krimin. Ky është një apel për kapjen e standardeve, por që aktualisht promovohen nga elita të korruptuara të rajonit. Ndaj ngjan thuajse e pabesueshme sesi në një vend si Shqipëria ku konsensusi për BE-në shkon deri në 90%, të flitet për rrezikun rus në zgjedhje. Kjo ndodh sepse politika e jashtme udhëhiqet nga axhenda personale, në të cilat hyn edhe armiku i jashtëm. I cili është artificial pasi nënvizohet në një vend ku ai mirërpritet më pak se kudo. Nuk mund të transformohet një rajon me histori kaq komplekse në katër vite të një Rilindjeje, diku larg, aty “në koshtin shkëmbor të Europës Juglindore”. E mira e kësaj dalldie është se shumëkush e ka kuptuar “lojën e Edit”, një lojë që nuk mund të merret seriozisht, pasi ajo synon vetëm një objektiv: 18 qershorin 2017.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.