Kotzias e Steinmeier diskutojnë për Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek: Duhet tejkaluar logjika hoxhiste për minoritetet

Postuar në 05 Dhjetor, 2016 11:31

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka folur edhe një herë për marrëdhëniet me Shqipërinë. Gjatë një takimi me homologun gjerman, Frank ëalter Steinmeier në Athinë, Kotzias iu është referuar përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve të mbartura nga e kaluara me fqinjët, “sa më mirë dhe në mënyrë sa më produktive”, siç tha. Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, Kotzias tha se kohët e fundit po bëhet një punë sistematike në drejtim të zgjidhjes së problemeve. Në këtë kuadër, shefi i diplomacisë greke vërejti se ka patur “trajtime të papërshtatshme edhe nga ana e Komisionit Europian”. Kotzias e kishte fjalën për incidentin e fundshtatorit, kur komisioneri Hahn përfshiu në problematikën e marrëdhënieve greko-shqiptare edhe çështjen çame, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Athina.

Edhe pse ministri i jashtëm gjerman nuk është prononcuar, duket se në takim është diskutuar edhe për Shqipërinë. Pas dhjetë ditësh do të mbahet samitit i liderëve europianë, prej nga Tirana shpreson në marrjen e një lajmi të mirë që do të lidhet me negociatat për anëtarësim të vendit në BE. Kotzias ka vënë në dukje se në Shqipëri ka një tendencë në rritje të nacionalizmit në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe e ftoi vendin fqinj që të ulë tonet e të ndjekë rrugën europiane, ndërsa shtoi se Greqia dëshiron anëtarësimin e Shqipërisë në BE, përderisa do të përmbushë kriteret që janë kërkuar edhe në pranimin e anëtarëve të tjerë të rinj. Kotzias rreshtoi edhe njëherë reformën në drejtësi dhe atë administrative, përballimin e krimit të organizuar dhe më konkretisht masa për luftimin e drogës, si dhe respektimin e të drejtës së pronës dhe mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri. “Duhet kapërcyer logjika e regjimit komunist të Hoxhës se minoritar është ai që jeton brenda një zone të caktuar dhe se popullime të mëdha që janë shumicë në disa zona, nuk kanë të drejta si minoritet. Këto mund dhe duhet t’i përmbushë Shqipëria dhe ne mundim dhe duhet të ndihmojmë”, përfundoi ministri i jashtëm grek.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.