Politika e veçantë e PD-së për kuksianët: Nuk do paguajnë tarifë për të kaluar në rrugën Durrës – Kukës

Postuar në 03 Dhjetor, 2016 15:03

Një tjetër premtim për ndrshimin e tarifave konçesionare vjen nga politika. Njësoj si kryeministri i tanishëm, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premton se do të heqë tarifat për rrugën Durrës – Kukës për banorët e Kukësit.

Kukësi është në varfëri të plotë. Papunësia ka prekur çdo familje dhe rreth 6 mijë prej tyre jetojnë me ndihmë sociale.  Pagesa që qeveria vendosi për Rrugën e Kombit do të dyfishojë çmimin e biletës të udhëtimit, do të rrisë koston e lëvizjes së mallrave, dhe do t’i izolojë kuksianët nga pjesa tjetër e vendit. Ju premtova kuksianëve se unë dhe Partia Demokratike nuk do të pranojmë që ata të paguajnë për Rrugën e Kombit. Rruga e Kombit duhet të jetë e lirë, duhet të jetë rruga që na bashkon dhe jo rruga që na izolon

ka thënë Basha sot në Kukës. 

E thjeshtë ta thuash. Por kreu i opozitës duhet të sqarojë sesi do të realizojë rinegociimin e termave kontraktualë me fituesin e konçesionit. Nëse ka miq pronarët e kompanive dhe ka në mendje “të futet si mik i kuksianëve” te ta, kjo është njëra anë. Por për të tjerët që nuk e dinë sesi vepron e çfarë ka ndërmend kreu i opozitës, është e nevojshme të sqarohet ky moment.

Nga ana tjetër, është e drejtë të mendosh për politika sociale për një kategori njerëzish, apo për një komunitet – që rastis të jetë komunitet ku fiton PD-ja – por nuk ka sesi të pranohet një politikë e tillë selektive në parim. Rruga Durrës – Kukës është aks kombëtar, i bërë me paratë e buxhetit të shtetit e që ka kushtuar shtrenjtë. Ose paguajnë të gjithë, ose ndryshe kjo qasje ka vetëm një emër: politikë votash. Lehtësimi i komunitetit mund të bëhet në forma të tjera. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.