Gënjeshtari që po i kushton shtrenjtë Shqipërisë

Postuar në 29 Nëntor, 2016 13:30

Kjo që po shohim së fundmi të ndodhë është një dhuratë falas për fundvitin. Mjaftoi një jo nga Gjermania për të gjunjëzuar kryeministrin e kapardisur të Shqipërisë, i cili po bombardon opinionin me fjali që nuk bëjënë sens. Nga njëra anë kemi këmbënguljen për të thënë se nuk ka një "jo", nga ana tjetër thuhet se do të duhet të presim dhjetorin për të parë një dritë jeshile.

Nga njëra anë thuhet se ka vetëm një kusht, Vettingu, nga ana tjetër kryeministri sot flet për dëmtimin që opozita po i bën imazhit të Shqipërisë. Le t’i hedhim një sy pretendimeve të këtij nxënësi kaq të dobët që nuk di të justifikohet se përse nuk ka mësuar.

Sot kryeministri tha:

Kam të pamundur të bëj sikur nuk shoh atë që po bën PD për të rrënuar imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë në mënyrë që të bllokojë rrugën e negociatave, duke shpifur e duke u përpjekur të bindë Brukselin se Shqipëria është Kolumbi, është gropë e të gjitha të zezave ku të gjithë duan të arratisen, thjesht opozita jonë i ka ngritur Shqipërisë, një mur që ndalon çeljen e negociatave se ka bllokuar ligjin e Vettingut. Kjo reformë fillon me Vettingun. por që nëse nuk zhbllokohet nuk ka çelje. PD ta heqë murin që i kanë vënë Shqipërisë dhe të nisim të zbatojmë ligjin e Vettingut.

Së pari, përmes cilave kanale dhe cilave instrumente opozita shqiptare po dëmton imazhin e Shqipërisë duke e cilësuar atë si Kolumbi të Europës? Ka demarshe në kancelari të huaja, ka hulumtime dhe publikime dokumentesh? Jo, asnjë nga këto. Opozita mbahet me RD-në, dy portale dhe Facebook-un e Berishës. Si mund të nxijnë këto imazhin e Shqipërisë? Kryeministri dhe bejlurçina që i shkon pas nxituan të shpërfillin deklaratat e një deputeti gjerman, duke e cilësuar deputet skutash.

Kur vjen puna te droga, qeveria ka me vete zërin e fortë të njësive me autoritet ndërkombëtar, të cilat publikojnë siç na është thënë raporte pozitive për luftën ndaj drogës. Po kështu vendet e BE-së që do të shprehen në dhjetor nuk i marrin të dhënat e tyre nga portalet e PD-së në Shqipëri, por nga agjencitë e specializuara, disa prej të cilave janë partnere me policinë që duam të Sajmir Tahirit. Si ndikon atëherë opozita? 

Edhe më absurde është qasja ndaj argumentit me bllokimin e ligjit të vettingut. Kryeministri sot cilëson bllokim trajtimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese, referimi ndaj së cilës mundet edhe të jetë taktikë, por është e ligjshme. Kryeministri po cilëson si bllokim shqyrtimin e një ligji, i cili mund të shkruhet edhe ndryshe, e që shqyrtimi i të cilit është e drejtë e patjetërsueshme e opozitës. Çfarë konsensusi po kërkon këtu Edi Rama? Një konsensus në kurriz të sistemit, duke shitur një variant për vettingun si rrugën e vetme për hapjen e negociatave. S’është e vërtetë. Ligji për vettingun mund të amendohet – dhe këtë tashmë e vendos Gjykata Kushtetuese – dhe mund të amendohet edhe pse mund të mërziten Donald Lu, apo Romana Vlahutin. Dhe më tej akoma: nuk pranon të njohë si bllokim refuzimin e tre ligjeve në kohën kur ishte kryeministër. 

Edi Rama mund edhe të rendte në një pazar me PD-në për këtë çështje. Nëm të të jap, dhe kjo mbyllej. Por është e qartë si drita e diellit se kjo lojë prej viktime që po luhet sot, i shërben PS-së dhe qeverisjes së korruptuar deri në skaj që ajo mban në këmbë, për t’u thënë edhe njëherë në zgjedhje njerëzve se Saliu po na mban larg nga Europa. Jo më kot dje u fol për një Shqipëri të Berlinit që u shkëput nga forcat antiperëndimore - për të qeshur dhe për të qarë në të njëjtën kohë. Ndaj edhe sot kryeministri falenderoi dy pishtarët e integrimit: Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin. 

Një përpjekje e fundit dhe antishqiptare pra që ta shesë dështimin si sukses, të imponojë përrallën e bllokimit nga opozita, ndërkohë që e dimë të gjithë se Shqipëria nuk është gati dhe as ka standardin për të hyrë në BE. Se kjo qeverisje është e korruptuar në kulm e se droga po kthehet në kulturë kombëtare për faj dhe përgjegjësi të saj. Një qeverisje për të cilën mund të përdorim si metaforë atë projektin e Lungomares që nisi me pompozitet, u zvarrit për katër vjet për ta sjellë si sukses në zgjedhje, e që rrugës po merr edhe jetë njerëzish për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.