Nishani refuzon rimandatimin e Shefit të Shtabit, ka vepruar pa lejen e Presidentit për pronat e ushtrisë

Postuar në 20 Nëntor, 2016 10:58

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për dhënien e një mandati të dytë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos. Propozimi ka mbërritur pak ditë më parë në zyrën e kreut të shtetit, pas përfundimit të mandatit trevjeçar të gjeneralmajor Bazos. Panorama shkruan se Presidenti Nishani ka refuzuar t’i japë një mandat të dytë shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos, për shkak të shkeljeve kushtetuese që ky i fundit ka kryer gjatë mandatit të tij 3- vjeçar. Sipas të njëjtave burimeve, motivacioni me të cilin kreu i shtetit ka refuzuar emrin e gjeneralmajor Bazos është:
Mosrespektimi i Kushtetutës dhe shkelje të ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura. “Gjatë tri viteve nuk ka raportuar as edhe një herë të vetme te Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (Bujar Nishani) dhe nuk ka dërguar asnjë informacion të vetëm apo realizuar një konsultë për dokumentet, planet e përhapjes, strukturat dhe FA-të”,
Gjithashtu, sipas Presidentit, “Shefi i Shtabit ka nxjerrë jashtë përdorimit nga Forcat e Armatosura me qindra prona, pa marrë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm të FAve, detyrim që e la në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese pas ankimimit që iu bë ndryshimeve në ligjin për zinxhirin komandues të FA-ve”, sqaron në arsyetimin e tij kreu i shtetit. Mandati trevjeçar i Jeronim Bazes ka skaduar më 7 nëntor, ndërkohë që kërkesa e Kryeministrit Rama për një mandat të dytë për gjeneralmajorin mësohet të ketë mbërritur disa ditë më pas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.