Gjyqi ndaj dy shoferëve të Ministrisë së Jashtme, si gënjyen për pasaportat dhe materialin që transportonin. Shteti shqiptar nuk caktoi avokat

Postuar në 19 Nëntor, 2016 11:35

Dënimi i dy nëpunësve të ministrisë së jashtme shqiptare nga Gjykata e Janinës për futjen në Greqi të materialeve ku propagandohej Shqipëria e Madhe ka gjetur jehonë edhe në mediat e vendit fqinj, të cilat kanë zbardhur detaje nga seanca gjyqësore në ngarkim të Agim Asllanit dhe Altin Tafës.

Ka qenë dëshmia e një punonjëseje të doganës greke në Kakavijë ajo që ka fundosur dy nëpunësit e ministrisë së jashtme. Sipas saj Agim Asllani dhe Altin Tafa kishin deklaruar në doganë se po  transportonin material diplomatik në ambasadën shqiptare në Athinë, por përfaqësuesja e doganës së Kakavijës nguli këmbë që mjeti të kontrollohej pasi nuk figuronte me targa diplomatike.

“Pashë në libra hartën që tregonte Shqipërinë deri në Prevezë, Janinë, Kostur dhe Follorinë. Madje ku shkruhej edhe Çamëria”-deklaroi punonjësja e Doganës.

Doganierja dëshmoi se dy drejtuesit e mjetit thanë se kishin pasaporta diplomatike,por  nga kontrolli rezultoi se ata ishin të pajisur vetëm me pasaporta shërbimi. Në gjyq ishin të pranishëm edhe dy përfaqësues të ministrisë së Jashtme shqipare dhe konsulli shqiptar në Janinë Sofokli Vasili, i cili kishte kërkuar të përfaqësonte shtetin shqiptar, por nuk u lejua. Gjykata e Janinës vlerësoi  se shteti shqiptar mund të kishte caktuar një avokat për dy të akuzuarit, por nuk e bëri një gjë të tillë. http://www.ioanninatv.gr/index.php/news/video/news-18-11-2016-6

Reagon PDIU: Akt, burracak

Pas vendimit të Gjykatës së Janinës për të dënuar dy shoferët e Ministrisë së Jashtme ka reaguar edhe Partia Për Drejtësi Integrim dhe Unitet që e ka quajtur akt burracak këtë vendim.

“Abetaret, ushqim mendjeje për 6 vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj. Ngjan si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame,po i hedhin turmave të paditura dy gladiatorë imagjinarë të armikut. Gladiatorët në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq”-thuhet në reagim.

PDIU i kërkon autoriteteve shqiptare “të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinjë, por deri më tani Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka bërë asnjë reagim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.