Mbi “artistin në detyrë” dhe paranojën kombëtare: ç’thotë bota për ne!

Postuar në 15 Nëntor, 2016 14:57

Sot në disa media është përcjellë një raportim, apo ndoshta dy të tilla, i ekspozitës së Edi Ramës në New York. “The Guardian” dhe “The Telegraph”, citohen në mediat shqiptare për shkrime, apo qoftë edhe një shkrim i rishpërndarë, që është i mbushur me entuziazmin e një Edi Rame ekzotik.

Artist që është në pushtet, një gjë kaq e rrallë. Kjo bën përshtypje në Perëndim, duke na dhënë përshtypjen se politika aty e margjinalizon artin. Por ndoshta është edhe e kundërta: asnjë artist i vërtetë nuk do të bënte sakrificën e pasionit të vet për politikën. Ja që ndodh në Shqipëri, aty ku raportime si këto të gazetave britanike, i bëjnë jehonë një hierarkie shumë të gabuar, në mos të dëmshme: Arti që sheh bota në Shqipëri është ai i kryeministrit.

Në një vend të vogël e të varfër, një vend me shumicë myslimane, etiketë kjo që nuk ndahet në asnjë përshkrim për vendin tonë, kryeministri është një veçanësi. Një përjashtim. Nuk ka rëndësi këtu nëse kritiku Farrago që i shkruan këto di ndonjë gjë shtesë përveç mbresave të veta, as edhe fakti se në komentet ndaj shkrimit të tij në “The Guardian” ai kritikohet si i painformuar për realitetin e artit në ish-Jugosllavi, që e përdor si negativin e artit të vërtetë që po përfaqësohet aktualisht me Ramën e të tjerë.

Rëndësi ka që këto shkrime, apo kritika keqinformuese sillen në shqip pa i kaluar një filtri. Pa shmangur teprica shablloniste të shumëdëgjuara si kjo “filozofia origjinale” e krijuesit:

Nëse arti nuk e bën dot politikën më të arsyeshme, politika me marrëzinë e saj ndonjëherë mund të bëjë artin më të mirë”, citohet Edi Rama.

Si të merret kjo frazë: si rrëfim introspektiv, apo si vetëzbërthim biografik i një artisti që ndodhet në kryqëzimin e “përfitimit si artist nga marrëzia e politikës”, marrëzi që e ushqen vetë, sa kohë që nuk i dha dot arsye? Nuk ka asgjë thelbësore në këto akrobaci verbale që na thotë kritiku amerikan, i cili është i pafajshëm pasi i dejtohet publikuat të huaj dhe jo atij shqiptar. Por nuk është pa dobi të shohim se ky art që na implikon vetë shkrimi i tij, ekspozita e “filozofia e Ramës”, nuk shkojnë përtej disa vizatimeve dhe pikturave në zyrën e kryeministrit. Si të tilla ato hyjnë sa tek piktura, arti performativ, aq edhe te psikologjia prej të burgosuri që karakterizon këtë izolim estetik vetjak të Edi Ramës.

Si për të dhënë një goditje befasuese për lexuesin e huaj shembujt kontrastues nuk gjenden në botën e artit, por atë të politikës. Shikoni se çfarë shkruan kritiku në fjalë:

“Është i pari kryetar qeverie në detyrë që sigruon një ekspozitë në një prej galerive më të njohura në botë: edhe George W Bush, që nisi të pikturojë pasi la presidencën, nuk shkoi më larg se një ekspozitë në librarinë e tij në Dallas”.

Kështu raporton të paktën “shqiptarja.com”, për të cilën ka rëndësi që Rama është në diçka i pari. Një faull i vërtetë dhe i qëllimshëm. Bashkë me lapsusin frojdian se nuk po flasim për “artistin” por për kryetarin e qeverisë në detyrë që bën artistin. Faulli qëndron në faktin se Bush hapi ekspozitë pasi la detyrën. Mund të na thotë dikush: nëse do të pikturonte kur ishte president, galeria në fjalë do t’ia hapte dyert? Pse ta mohohjmë aspektin komercial: kur njeriu më i fuqishëm i botës publikon disa piktura, mendoni se ato do të vuajnë për t’u shitur? Kaq shumë është ngritur morali i shoqërisë sa të refuzojë dorën e pushtetit që stiset si penelatë artisti?

Por le ta kthejmë ndryshe: Nëse Edi Rama, që përlavdet kaq dendur, do të pikturojë George Bush në Fushë-Krujë, pavarësisht konceptimit të tij, a do të merrte edhe Bushi i shumëdiskutuar nga lavdia e këtij arti që sot përkëdhelet, përpara sesa të kalojë filtrin e kritikës? Dëshira për të sjellë në shqip atë që bota thotë për njërin apo tjetrin, pasqyron provincializëm por edhe një mungesë të theksuar të kritikës ndaj artit në Shqipëri. E bashkë me të edhe artit të Edi Ramës. Këtu nuk shtrohet fjala te diskutimi profesional për pikturat a skulpturat e Ramës, por tek instrumentalizimi propagandisitik që bëhet me këto shfaqje të kushtueshme, të cilat media shqiptare i riqarkullon pa i filtruar. Pikërisht sepse në Shqipëri nuk del asnjë kritik që të flasë për to.

Ne nuk kemi nevojë që ndonjë serb, a ndonjë britanik të na prezantojë kryeministrin, as ta shpallë atë artist në detyrë kryeministri, një kredencial që vetë Rama, si artist i vërtetë duhet ta kishte refuzuar. Duhet ta kishte refuzuar pasi është ky kompromis që e bën të dyshimtë kufirin mes angazhimit dhe pasionit të tij si artist dhe nevojës për të paralelizuar me një pol pozitiv atë profil të diskredituar në lëmin e qeverisjes. Arti kur i bashkëngjitet si zgjatim profilit të kryeministrit nuk kalon dot kufirin e kuriozitetit, një lloj udhëtimi eksplorues që bota e madhe i bën qosheve të saj të harruara, edhe pse llustra si këto në Shqipëri vijnë si zbulime të një kulture të vërtetë. Ndaj një minimum sinqeriteti me veten do ndihmonte të gjithë. Do ndihmonte edhe kryeministrin që në vend se të na lëjë një trashëgimi të çmuar, po ropatet për një çikë sukses.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.