Qeveria del hapur, i bën presion Gjykatës Kushtetuese për Vetting-un

Postuar në 11 Nëntor, 2016 18:05

Nuk është e panjohur që kryeministri ynë është arrogant në raport me publikun dhe të tretët që janë  hallkë ndërlidhëse mes tyre. Deri në një farë mase kjo kuptohet për shkak të karakterit të tij dhe mungesës së qetësisë për të mos ndërfutur cenet personale në detyrat institucionale.

Ai ka dhënë dëshmi të emocionalitetit të pakontrolluar dhe kjo i është përkthyer në ndonjë rast edhe si meritë për rendimentin e batutave që ka prodhuar në teatrin e parlamentit apo takimet me popullin.Por arroganca e kryeministrit nis të kërcasë dhe të kthehet në kërcënim për sistemin kur prek institucionet kushtetuese dhe për më tepër gjyqësorin, gjë që kryeministri ka nisur ta bëjë.

Ndonëse ndodhet në Nju Jork për hapjen e një ekspozite personale, stafi i tij nuk ka hezituar të postojë një status shumë kompromentues për qeverinë shqiptare. I kërkon Gjykatës Kushtetuese të çlirojë Ligjin e Vetingut.Një deklaratë që cënon hapur pavarësinë e gjyqësorit dhe e vendos qeverinë në një llogore të rrezikshme, ndonëse aspiron të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.

“Shqipëria vend i respektuar për reformat dhe i mirëpritur në tryezën e negociatave për anëtarësim.Gjykata Kushtetuese të çlirojë sa më parë Ligjin për Vetingun e Gjykatësve e Prokurorëve dhe të nisë puna për zbatimin e tij”-thuhet në deklaratë. Pra kryeministri na thotë se për të fituar hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian na pengon procedura kushtetuese e shqyrtimit nga Gjykata të një ligji, në rastin konkret atij të Vetting-ut.

Dhe për t’i mundësuar kryeministrit një sukses propagandistik dhe politik në prag të zgjedhjeve duhet të anashkalohen procedurat dhe parimet e shtetit ligjor që më pas kryetari i qeverisë të krekoset me ndonjë foto në tryezën e të mëdhenjve të Brukselit. Deklarata në fjalë është një presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe lë të nënkuptohet se kryeministri përveçse ka dështuar për të marrë një datë për hapjen e negociatave nuk ka asnjë shans t’i hapet dera e BE-së pa zbatuar paketën ligjore të reformës në drejtësi. Si të thuash, Edi Rama ndodhet i zënë mat në një grackë ku i duhet të presë në kushtet kur nuk ka kohë.

Në këto kushte ai kërkon me arrogancë pamvarëisht procedurës,  të vjedhë kohën dhe “frutin magjik” të hapjes së negociatave duke shkelur mbi institucionet. Në planin e brendshëm kjo duket e vetmja pengesë (për momentin e pakapërcyeshme) pasi pa folur Gjykata Kushtetuese, qeveria nuk ka çfarë të aspirojë. Rregullat demokratike e duan që Gjykata të shprehet nëse ligji i hartuar nga qeveria është në shkelje ose jo të Kushtetuës.Por kjo nuk është e vetmja pengesë, një veto e mundshme e Athinës mund t’i përplasë derën në fytyrë kryeministrit edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tij.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.