S'ka projekte për rrugë të reja, qeveria shtyn për mandatin e dytë përfundimin e disa akseve

Postuar në 10 Nëntor, 2016 11:39

Qeveria Rama është akuzuar se nuk ka nxitur asnjë projetkt të ri infrastrukturor dhe se ka treguar shumë pak vëmendje ndaj rrjetit rrugor, për shkak të fokusimit në projektin e rilindjes urbane që ka të bëjë me qendrat e qyteteve. Sipas "shqiptarja.com" në Buxhetin e Shtetit, që u është paraqitur deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, është paraqitur edhe një platformë e detajuar për punimet në infrastrukturën rrugore të vendit. Ajo që të bën përshtypje është fakti që, për herë të parë, jepet me hollësi viti i fillimit të realizimit të projektit për secilin segment dhe parashikimi për vitin kur do të përfundojë. Një nga projektet më madhore i nisur nga qeveria e mëparshme, aksi Tiranë-Elbasan parashikohet të përfundojë në vitin 2018. Edhe segmenti që niset nga Kardhiqi i Gjirokastrës për të përfunduar në Delvinë do të përfundojë në 2018. Ky segment e shkurton së tepërmi udhëtimin drejt Sarandës dhe zonave të tjera turistike në rivierën e Jugut. Ai filloi në vitin 2007 nga qeveria "Berisha" por u ndërpre papritmas prej saj dhe më pas askush nuk e zuri më me dorë. Sipas ekspertëve të infrastrukturës, ndërprerja e punimeve ka bërë që edhe traseja e punuar tashmë duhet të bëhet në shumë raste nga e para. By Pass-i i Fierit nuk do të mbarojë para vitit 2019, ndërkohë që punimet për atë të Vlorës do të zgjatin gjithashtu deri më 2019. Më skandaloz duket fakti që rruga në bregun e liqenit të Ohrit parashikohet të përfundojë më 2019-ën, pasi ka filluar gjashtë vjet më parë. Rruga nga Korça në Ersekë do të shtyhet deri në vitin 2019, ndonëse ka filluar më 2011-ën. Kurse Unaza e Madhe e kryeqytetit nuk ka një afat të përcaktuar mirë. Në Projektbuxhet, projekti i nisur më 2010 datën e përfundimit e ka “2019+”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.