Fundi i elitave politiko-mediatike të pas Luftës së Ftohtë dhe një “zë i ri” politik nga të dy anët e Atlantikut

Postuar në 10 Nëntor, 2016 10:52

Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve”. Ky ishte thelbi i fjalës së parë të Donald Trump pas fitores së tij shkatërrimtare në zgjedhjet e 8 nëntorit. Kundërshtarët e tij politikë, Hillary Clinton dhe Barack Obama njohën rezultatin dhe i uruan Trumpit suksese, duke shtuar se: “Ai është presidenti ynë”.

Por nën këtë sipërfaqe të lëmuar komunikimi ka zhvillime të cilat mund të shiheshin më qetë dhe natyrshëm, nëse mediat kryesore nuk do t’u shtonin atyre edhe stimulimin e dramacitetit grafik e visual që u bashkëngjitet edhe tubimeve më minimale. Shohim sot dhe dje një frymë alarmizmi që merr jetë nga njëra faqe online në tjetrën, nga një televizion i njohur në shkallë botërore në tjetrin. Një histeri që buron nga sugjestionimi i vetes dhe turmave me pasiguritë hipotetike që i bashkëlidhen emrit të Trump. Nga kjo pikëpamje për humbësit fushata elektorale vazhdon dhe këto janë ndoshta të parat zgjedhje presidenciale në SHBA që vazhdojnë edhe postum votimeve.

Ka protesta në Çikago e në Kaliforni, ndërkohë që disa reagime nga liderë botërorë janë më të natyrshme nisur nga fakti se Donald Trump ka deklaruar se nuk do të vazhdojë “ta shtyjë edhe ca kohë me status quonë”. Kjo klimë kalimtare dhe krejt pa vend anashkalon dy momente që janë thuajse epokale e që po vihen re prej shumëkujt:

Së pari, Trump nuk fitoi vetëm një garë për President. Ai nxori nga skena elitën e pas Luftës së Ftohtë, e cila riciklonte veten në një qark të mbyllur vendimmarrjeje që më 8 nëntor mori goditje fatale. A do t’i atashohet presidenti i ri kësaj elite, kjo mbetet për t’u parë. Por ai nuk është outsider për sistemin amerikan, sa kohë është një biznesmen dhe showman i njohur. Nëse i hedh një sy intervistave të hershme të tij sheh të njëjtat pikëpamje dhe qëndrime, pavarësisht lëvizjeve koniunkturale me njërën apo tjetrën parti. Nuk ka pra arsye një suprizë në këtë drejtim.

Pse atëherë vihet në plan të parë sugjerimi i frikës dhe pasigurisë? Kjo kuptohet fare lehtë në një sistem bipartizan siç është ai amerikan e ku humbësit janë vetëm një: ata të përhershmit. Me fjalën elitë tashmë kuptohet edhe media kryesore, e cila mbështet dhe mban me serum hierarki të mbyllura siç janë klanet Clinton e Bush, që marketojnë sigurinë si fjalëkyçin e lirisë. Një liri që është iluzion kur nuk kalon nga zgjedhja e vërtetë. Dhe këtë e shohim fare mirë sot. Një herë që amerikanët votuan ndryshe dhe liria e tyre, pavarësisht se mund të ngjajë papërgjegjshmëri, po sulmohet nga histeria dhe mosaprovimi irracional. Dy reaksione negative ndaj ndryshimit që ka ndodhur edhe me median vetë: media sociale po konkuron dhe zhbën atributet monopolizuese të opinionbërjes që mbante deri më tani media tradicionale. Dhe ky fakt, i shpalosur kaq fort, imponon ristrukturime masive, që do të thotë ndryshime të mëdha edhe në rendin e vlerave apo të rolit të disa kategorive. Media tradicionale nuk po duket se mund të mbijetojë vetëm duke filtruar, pasi në kohën e sotme të shpërthimit të një gazetarie vetjake, ajo shndërrohet në censurë edhe kur nuk është e tillë.

Korrektesa politike funksionon si regjim despotik”, citonte në një shkrim të vetin te “National Interest”, autori Robert W. Merry. Në artikullin me titull: “Si e zëvendësoi Trump konsensusin global të Amerikës me sensiblitetin nacional”, autori i referohet gjerësisht shkrimtarit Shelby Steele, sipas të cilit “Trump bëri shumë nga ato punë të pista që miliona amerikanë do të donin t’I bënin por që nuk kishin platenë/platformën e duhur”.

Trump zbuloi përmes fushatës së tij shpesh donkishoteske se miliona amerikanë bindin dakord me të se kërcënimi real vinte nga elitat sunduese të vendit të të dyja partive që janë përgjegjëse për rënien nacionale dhe inercinë ekonomike…”, vijon autori(http://nationalinterest.org/feature/how-trump-replaced-americas-globalis...).

Një konstatim ky që na sjell ndërmend atë që ish-presidenti amerikan Jimmy Carter deklaroi pak kohë më parë: “Amerika nuk është më një demokraci, por një oligarki”.

Shikoni sesi pasqyrohet kjo bindje për “natyrshmërinë e dominimit dhe madje drejtësisë së vlerave morale” te ky fjalim i Hillary Clinton, e cila sot u detyrohet një ndjesë të gjithëve:

Së dyti, kemi një aktor të ri në lojë. Një realitet që u shpëtoi edhe kompanive të sondazhit, që vijnë në këtë vështrim si instrumente të pushtetit, politik dhe mediatik. Sondazhe të ndërtuara mbi kampionimin e njerëzve të angazhuar politikisht, I anashkalojnë dhe neglizhojnë atë shtresë njerëzish që shohin se nuk përfaqësohen fare. Në një shkrim të vetin në “NewScientist”, autori Timothy Revell nënvizon pikërisht këtë gjë. Sipas tij numri i madh i sondazheve jepte një siguri relative në parashikim, aq sa në vitin 2012, një faqe, “Nate Silver’s FiveThirtyEight”, agregoi qindra prej tyre, duke ndërtuar një simulim që dha parashikim të saktë në 50 shtete.

Pse kësaj radhe kompanitë dështuan?

Ndryshimi është i vështirë të matet…Njerëzit që u përgjigjen pyetjeve janë të pazakonshëm...shumë të përfshirë në jetën politike në një mënyrë apo në një tjetër, çka nuk reflekton popullsinë e përgjithshme”, shkruan Revell.

Njësoj si në rastin e Brexit, gabimi u evidentua nga nënvlerësimi i rolit të njerëzve që nuk u përfshinë në sondazhe, çka në provon se në të dy anët e Atlantikut drejtimi politik po imponohet një faktor i ri të cilin sondazhuesit duhet të nisin ta dëgjojnë”, shton ai. (https://www.newscientist.com/article/2112208-a-new-world-order-is-defyin...).

Është ndryshimi pra që i ka behur me të gjithë mungesën e taktit që e karakterizon, duke shkallmuar modelet që konsideroheshin të ngulitura deri më tani. Në një panoramë më të përgjithshme, kjo rënie ekononike, kjo inerci karakterizon edhe aleatët e SHBA-së, që sot janë të kapur në pasigurinë e pritmërive të Trump. Pa një plan rezervë dhe në varësi të plotë nga pesha e një vendi si Amerika që sot ndoshta nis të shohë ekskluzvisht punët e veta. Ai ndryshim që u kujton të gjitha vendeve dhe njerëzve se nuk ka asgjë të amëshuar tek elitat që duken shpesh të paprekshme, e që sidomos sot po provojnë se nuk po dinë të përshtaten e ta kapin ndryshimin e madh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.