Për ku drejtohet kultivimi i bimëve narkotike në Shqipëri?!

Postuar në 08 Nëntor, 2016 22:29
Diana Ndrenika

“Dy oficerë të policisë së Lezhës që zbuluan magazinën me 4.2 ton hashash janë transferuar menjëherë nga detyra. Ilir Sula, shef i sektorit të krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së Lezhës është dërguar në Elbasan. Ndërsa Agron Cullhaj, me detyrë shef seksioni i drogës në drejtorinë e policisë së Lezhës është transferuar si specialist në një sektor tjetër në Lezhë.Sula dhe Cullhaj ishin në krye të operacionit të policisë së Lezhës që zbuloi magazinën me drogë. Zyrtarisht policia nuk jep asnjë të dhënë për transferimin e tyre. Por burime të rezervuara të lapsi.al thanë se kjo lëvizje ka qenë “shpërblimi” për oficerët që zbuluan sasinë e madhe të drogës në magazinën ku punonin 31 persona, 9 prej të cilëve gra.”

Lajmi i mësipërm i shkëputur nga media shqiptare të bën pashmangshmërisht kurioz : Përse janë transferuar e jo promovuar policët që drejtuan këtë operacion të suksesshëm?! A  punojnë drejtuesit e Ministrisë së Brendshme me dy standarde? A kemi të bëjmë me dekriminalizim de facto të kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri?!

Ku e ka destinacionin droga e kapur së fundmi  në magazinat e Rrëshenit?  A eksportohet ajo? Dhe nëse po cilat janë rrugët e këtij trafiku? A përbën ky një trafik të rregullt të organizuar e të kontrolluar në mënyrë klandenstine ?  Cilët janë kontrolluesit e tij? Ku shkojnë të ardhurat?  A ka shteti pushtet mbi këtë? Për më tepër lajmi mbi konfliktin e dukshëm  midis komisariateve të Lezhës dhe asaj të Rrëshenit për ndalimin dhe arrestimin e përpunuesve e pronarëve të depos ku u sekuestruan mbi 4,2 ton cannabis sativa të bën të ngresh disa pikëpyetje : A kanë eprorë të ndryshëm komisariatet e Lezhës dhe të Rrëshenit, a marrin urdhra të ndryshme e punojnë në respekt të ligjeve të ndryshme?! Apo disa prej tyre veprojnë me rregullore të brendshme të fshehta që veprojnë në ligjin dhe mbi të? ! Me një logjikë të thjeshtë mund të mendosh se në një sipërfaqe si të Shqipërisë kapaciteti për të kontrolluar territorin dhe për ta patur nën kontroll atë është katërcipërisht ekzistent dhe i mundur.

E lindur, rritur dhe shkolluar në Shqipëri, në asnjë nivel të jetës sime në asnjë rrethanë midis miqsh shkokësh, në ambiente familjare a shoqërore festash a grumbullimesh të tjera nuk më ka ndodhur të më kenë ofruar, të kem provuar apo tymosur ndonjë substancë narkotike të ndonjë lloji. Kudo që kam udhëtuar në cdo cep të vendit për detyrime profesionale apo partiake, nuk më ka ndodhur të ndeshem me ndonjë bar apo kafene që tregton ndonjë subtancë narkotike apo psikoaktive, po kështu në rrethin tim shoqëror e familjar nuk më ka qëlluar të dëgjoj për të tillë konsum.  Aq më shumë, në media nuk raportohet nga Ministria e Shëndetesisë as nga Ministria e Arsimit për probleme të varësisë nga droga të të rinjve apo grupmoshave të tjera.

Por droga jo rrallë bëhet prezente nëpërmjet medias që njofton për operacione të herëpashershme  të policisë që konstaton dhe ndalon  kultivues apo përpunues kryesisht  të bimës të njohur si cannabis sativa duke shkulur e shkatërruar qindra rrënjë të saj në fusha apo në ambientet ku përpunohet e depozitohet me sa duket përpara se të tregtohet apo trafikohet. Kryeson Lazarati, “i mirënjohur si kështjella e cannabis-it “, që për çudi operacionet e policisë në vite nuk kanë arritur ta vënë përfundimisht nën kontroll.

Por nëse konsumimi i drogave të buta apo të forta e substancave psikoaktive nuk është  i përhapur në vendin tonë për ku është e synuar  droga  e depozituar për shembull në magazinat e Rrëshenit?!

Legjislacioni shqiptar dhe më konkretisht ligji nr.7975  “Për barnat narkotike dhe substancat psikotrope” i vitit 1995 ndalon e penalizon kultivimin e çdo lloj bime narkotike duke lejuar licensimin e prodhimit të substancave narkotike nga grupe farmaceutike prej Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit për qëllime rreptësisht të kufizuara shëndetsore dhe shkencore.  Më pas në po këtë ligj të azhurnuar në vitin 2004  është dekriminalizuar e lejuar kultivimi i kërpit ose kannabisit për nevoja industriale.   A krijon ky ndryshim në ligj një hapësirë tolerimi e spekulimi që i hap shteg kultivimit të cannabis-it për qëllime tregtimi e trafikimi ? Sigurisht që po. Është cannabisi industrial i domosdoshëm për ekononominë apo thjesht një makinacion në ligj për t’i hapur rrugë kultivimit të kannabisit për qëllime përfitimi?   Po kështu në ligjin nr. 8750 të vitit 2001 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope” i hapet rruga agjentëve të infiltruar dhe me mbulim të cilët mund të përdorin gjeneralitete të rreme duke punuar si bashkëpunëtorë me trafikantët  apo kultivuesit e bimëve narkotike. Ky ligj e konkretisht neni 15 i tij ngre shumë pikëpyeje për bashkëpunimin e implikimin e policisë dhe të shtetit në këtë trafik. Në të kundërt përse do të ishte i nevojshëm infiltrimi dhe blerjet e stimuluara nga punonjësit me mbulim? Ky fakt flet shumë. Është tregues i një bashkëpunimi dhe implikimi të qëllimtë nga ana e shtetit kur kontrolli i territorit i doganave dhe i telekomunikimit do të mjaftonte për ta patur situatën 100 për qind nën kontroll që në kultivim duke zhdukur çdo mundësi të zhvillimit të bimëve narkotike që në rrënjë që në fillim.  Pa patur nevojë për të lejuar zhvillimin e rrjeteve dhe infiltrimin në ta. Infiltrimi në ta do të thotë ndryshe inkurajim. Në të kundërt lind pyetja nëse shteti bashkëpunon e toleron nëpërmjet agjentëve të infiltruar, ku shkojnë të ardhurat dhe deri në ç’masë përfiton ai?  Kush e ka paketën kontrolluese? Drejt cilave vendeve drejtohet eksporti? A janë bashkëpunuese komisariatet e doganat e vendeve Europiane në këtë trafik? A rrezikon kështu ky vend të kthehet në depo droge për vendet europiane të cilat e lejojnë tregtimin për qëllime shëndetësore si edhe nëpër klube anëtarësie e kafene si dhe përdorimin vetiak të substancave narkotike e psikoaktive në sasira të vogla por jo kultivimin e tyre? Nëse Evropa nuk e lejon kultivimin përse Shqipëria e bën? Është ky një tjetër hap përveç importimit e riciklimit të mbetjeve prej saj në kthimin de facto të vendit në Afrikën e Europës?! Ku të zinjtë e Europës punojnë për të prodhuar lëndët e para dhe pastrojnë në të gjitha kuptimet mbetjet e saj duke e kthyer ekonominë e vendit në depon e ekonomive të tyre? Këto janë kostot dhe kushtet e anëtarësimit për ne?!  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.