Zyrtarizohet pazari me turqit për konçesionin mbi lumin Vjosë , garë me një ofertues dhe një fitues

Postuar në 31 Tetor, 2016 17:09

Qeveria ka injoruar tërësisht shqetësimet e shoqatave ambjentaliste brenda dhe jashtë vendit, por edhe thirrjet e  grupimeve brenda parlamentit Europian për anullimin e konçesioneve mbi lumin Vjosë. Top Channel raporton se ministria e Energjisë zyrtarizoi marrëveshjen e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës. Lajmi bëhet publik në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, sipas së cilës, Ministria i ka dhënë kompanisë turke “Kovlu Energy” të drejtën për ndërtimin e HEC-it me fuqi të instaluar 95 megavat.

Procedurat për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit nisën në korrik të vitit 2015, kur qeveria pranoi propozimin e pakërkuar të një kompanie turke me emrin “Cinar”. Pasi e shpërbleu me bonus sa 8 për qind të pikëve kompaninë turke, në fillim të këtij viti qeveria shpalli tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin e hidrocentralit. Por në garë u paraqit vetëm një ofertë, ajo e kompanisë “Cinar” në konsorcium me një tjetër kompani turke të quajtur “Ayen”.

Oferta u shpall fituese, duke i dhënë kompanive turke të drejtën për ndërtimin e hidrocentralit dhe shfrytëzimin e tij për 35 vite. Ai i Poçemit është hidrocentrali i dytë që ndërtohet mbi lumin Vjosë, pas atij të Kalivaçit.

Pak javë më parë  228 shkencëtarë nga 33 vende të ndryshme nënshkruan një memorandum ku i kërkuan kryeministrit Rama të tërhiqet nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosa të paktën për tre vitet e ardhshme. Ata konsiderojnë, se gjatë kësaj periudhe duhet kryer një vlerësim i duhur për ndikimin mjedisor të këtij projekti në lumin Vjosa. "Vjosa është me rëndësi të madhe për shkencën. Askund tjetër nuk është ende e mundur për të hetuar se si punon dinamika natyrore e lumenjve dhe  shërbimet e shumta që ofron ekosistemi: bazën prodhuese të peshkimit, tokën pjellore, biodiversitetin, ujë e pijshëm të pastër, mbajtjen e përmbytjeve, apo përvojat e natyrës. Hidrocentrali i Poçemit mund të shkatërrojë këtë vlerë unike në një goditje të vetme” - shprehet Dr. Martin Pusch nga Leibniz-Instituti i ujërave të ëmbla ekologjisë në Berlin. Por Ministria e Energjisë thotë se HEC-i i Poçemit ndodhet poshtë atij të Kalivaçit dhe nuk e prek rrjedhën kryesore të lumit Vjosë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.