Si ta kuptosh këtë qeveri? "Ka amnisti, por nuk ka amnisti. Kredi për bujqësinë, por kemi probleme me shlyerjen e kredive nga fermerët!!!"

Postuar në 30 Tetor, 2016 15:51

Gjobat ndaj biznesit që janë regjistruar nga sistemi e-tax do të fshihen. Kështu thotë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një interviste për Vizion Plus. Është e çuditshme gjithsesi, arsyetimi i minitrit.

Rasti i 33 mijë gjobave të vëna sipërmarrjes, nuk ishte për faj të sistemit, por sepse bizneset nuk njihnin sistemin e ri”, thotë ministri, ndërkohë që nga bizneset ka pretendimet se afatet për regjistrimin e NIPT-it në sistem janë më të vogla sesa njohja e regjistrimit si administratorm duke krijuar një pamundësi për zbatimin e ligjit.

Përtej kësaj, ministri ka përsëritur atë që tashmë dihet: nuk do të ketë falje të gjerë, por vetëm ato gjoba në tatime e dogana që janë deri në fund të vitit 2010. Për të tjerat ka një skemë lehtësuese, diçka absurde po të mendosh se ishte vetë qeveria që hodhi idenë e një faljeje të gjerë. Aktualisht po thuhet se është Fondi Monetar Ndërkombëtar që ka ndërhyrë për ndryshimin e bërë që e nxjerr shumë keq qeverinë në raport me biznesin, por edhe premtimet e saj.

Një tjetër paradoks verifikohet nga sektori i Bujqësisë, ku çfarë thotë kryeministri nuk e thotë ministri Panariti, i cili vjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një dalje sot, ky i fundit ka deklaruar se:

Qeveria shqiptare, Ministria e Bujqësisë po punon me vullnetin e mirë në mënyrë që disa financime që janë bërë nëpërmjet grantit japonez, por që qeveria shqiptare e asaj kohe i përdori si kredi, çoi që fermerët të mos ishin konkurrues, pavarësisht se shumë prej tyre kanë arritur të shlyejnë mbi gjysmën e kredisë ndodhen në vështirësi. Qoftë nëpërmjet ristrukturimit të kredive, qoftë nëpërmjet amnistisë, ne t’i kthejmë ata në cikël prodhues. Ky është qëllimi. Jo t’u sekuestrojmë investimet e tyre, por t’i fusim përsëri në cikël prodhimi”(http://www.tematv.al/2016/10/30/panariti-ndihm%C3%AB-fermer%C3%ABve-q%C3...).

Përveç faktit që granti japonez u përdor si kredi, e askush nuk mban ndonjë përgjegjësi, kemi ministrin që na pohon se fermerët kanë probleme dhe vështirësi me shlyerjen e kredive. Dhe qeveria shqiptare do na dalë garante për lehtësimin e tyre. Ky fakt bie në kontradiktë me propagandën e përditshme të kryeministrit që u thotë fermerëve se “kreditimi është zgjidhje për gjallërimin e sektorit bujqësor”. Madje Edi Rama sulmoi dy ditë më parë edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, që ka hedhur idenë e subvencionimit dhe jo të kreditimit, madje me një shifër prej 100 milionë dollarësh në total. Për Ramën kreditimi është zgjidhje sepse ia lë vetë fermerit iniciativën, ndërkohë që subvencionimi krijon hapësira për abuzime. Logjikisht kjo duket se qëndron, por pohimi i ministrit Panariti se kredia ka probleme për fermerët, shtron problemin se këto kredi mundet që nesër të hyjnë te kreditë e këqija, çka na thotë se kjo nuk është politikë efikase. A është ky një tjetër terren ku PS-ja me LSI-në konkurojnë me deklarime alternative, apo kemi dy qasje që shohin ndryshe trajtimin e tij? Nuk dihet, sikundër shumëçka në këtë qeveri nuk është e qartë. E qartë është vetëm se ka një vëmendje të shtuar për fermerët dhe bujqësinë, por pa një politikë që të ofrojë diçka reale.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.