Data e Çlirimit, Nishani, ballistët, Kosova dhe ne

Postuar në 30 Tetor, 2016 09:29
Ben Andoni

Mekja e jehonës së lajmit ndaj dekorimit të ballistëve prej presidentit po pret ngjarjet e radhës që do të ndodhin. Dhe, vendi ynë është kaq i plotë me to, saqë të krijon qenësinë në një karusel të pandalshëm, që kanë harruar ta stakojnë. Me shumë gjasë do plasë diçka e re, që do të lërë në hije ngjarjen e mëparshme, duke krijuar një debat të ri po shterpë. Një nga më të afërtit, pa asnjë mëdyshje, do të jetë ai që lidhet me datën e Çlirimit, një nga paradokset më të mëdha kombëtare, ku vetëm disa orë (lexo ikjen e ushtarëve të huaj) ndajnë konceptualisht, atë që mendojnë ana e djathtë me atë të majtë, lirimin e vendit nga pushtimi fashist. Dy datat, 28-29 Nëntor, janë bërë gati si një makth, ushqim bjerraditës dhe debat i pashterur për politikën, e cila e ka kaluar në plan të dytë rezistencën e popullit ndaj fashizmit. Sak atë akt të madh, që pavarësisht formës që po i vishet, nëse nuk do të ndodhte, Shqipëria me patjetër do të ishte e cunguar. Duhet konsideruar si një fat jo i vogël që i gjithë spektri politik shqiptar, por edhe konglomerati i organizmave që i urrejnë dhe i duan komunistët, ka shprehur respekt për rezistencën. Dhe, nuk kanë pse të mos bëjnë ndryshe kur Fuqitë e Mëdha Perëndimore, garantueset e pavarësisë sonë, ishin të rreshtuara me anti-fashizmin.

Ka pak gjasa të ndodhë që presidenti Nishani në angazhimin e tij kryesisht protokollar, ta zgjidhte ditën e Çlirimit në mënyrë që të unifikonte qëndrimin kombëtar për kremtimin. Regjimi dikur e kishte bërë gati në formë arbitrare, kurse ai, si i propozuar nga e djathta, por in person me një sfond të majti, s’arriti të unifikonte diçka. Njësoj dhe paraardhësit e tij. Në fakt, edhe në parashikimin më të çmendur nuk mund të besohet prej tij, dhe këtë e shikon në formën e ngurtë të ligjërimit të vet dhe në performancën presidenciale.

Për ta lehtësuar shtjellën e argumentit tonë: Fuqitë e Mëdha kanë zgjedhur një ditë të fitores së tyre, 9 majin, kur kapitulluan njësitë e fundit rezistuese të Wehrmacht-it, anipse njësitë gjermane vazhdonin luftën në Pragë. Dhe, zgjidhja e vendeve të pushtuara si ne (Shqipëria në fakt prej gjermanëve nuk njihej si e tillë!!! – një problem tjetër) e që vuajtën pushtimin kanë zgjedhur datën e çlirimit të kryeqytetit të tyre. 17 Nëntori është dita e pamohueshme e çlirimit të kryeqytetit shqiptar. I mjaftonte pra, me një konsultim dhe një këshillë, që kësaj date t’i jepte vendin që meriton, kurse Shqipërisë, zgjidhjen e njërës prej ngërçeve të shumta të saj. Të mendosh është një datë që nuk kundërshtohet sot e kësaj dite nga askush. Njeriu që organizon ceremonitë solemne shtetërore, do t’i jepte me këtë rast staturë institucionit të tij, që për këtë presidencë nuk është mbajtur dhe nuk do mbahet mend për asgjë.

Duket se nuk e bën dot. E para prej mungesës së individualitetit dhe e dyta nga kompleksi i forcës nga vjen. Kësaj i shtohet panjohuria e luftës, kohës kur kolaboracionistët fashistë shqiptarë vepronin krejt ndryshe nga kolegët e tyre të vendeve të huaja, që synonin administrimin dhe shtimin e territoreve të tyre. Kolaboracionistët tanë mendonin vetëm futjen nën pushtimin italian. Presidenti duhet të kujtohet se pasojë e kësaj ishin qindra-mijëra kolonë, gjurmët e të cilëve janë edhe sot në traditën vendase të punëve bujqësore, që parashikoheshin të vinin në vend. Dhe kjo u sanksionua edhe me dekretin nr. 194, nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Dhe, Shqipëria lilipute u shpalli luftë Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!!! Po ndërsa komunistët e ngritën strukturën e tyre, Balli hyri në skenë në nëntor 1942, dhe atëherë vetëm me një pozicion vëzhgimi. Mbase s’është nevoja për histori, por Lëvizja Nacionalçlirimtare kundër të huajve arriti dhe u bë faktor, kurse në dhjetorin e vitit 1942 erdhi edhe një lajm pozitiv kur ministrat e Jashtëm të tri Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist, deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Përveç përfaqësuesit anglez, i cili kërkonte që kufijtë të rishiteshin pas lufte. Historia ka nxjerrë në pah se ishin interesat greke për “Epirin e Veriut” dhe premtimi britanik, pas këtij qëndrimi. Ka një lëvizje interesante të nacionalistëve shqiptarë, që të njohur me këtë realitet, mendonin se në një kohë më të përshtatshme do të ngriheshin ndaj lakmive territoriale greke.

Por historia sërish do t’i nxirrte blof, pasi gjërat duheshin zgjidhur në luftë. Këtë e kuptuan komunistët. Pak vite më vonë, Konferenca e Paqes e vitit 1946 do të provonte interesin grek dhe etiketimin si pro-fashiste, që i ngjitën Shqipërisë. Ballistët, segmente të tyre, duhen vlerësuar se kundër krerëve të tyre do të luftonin, paçka peshës së vogël specifike. Pak muaj më vonë, duket se Balli e pati një as tjetër në dorë, këtu erdhi çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i saj kundër forcave gjermane. Dhe akuzat vazhdojnë deri më sot mes palëve. Ballit i mjaftonte bashkimi i Kosovës, si realizim i platformës së Rilindjes dhe pohimi se lufta s’duhej kundër gjermanëve por kundër çetnikëve dhe komunistëve serbë. Ndërkohë që komunistët mendonin luftën kundër fashistëve, sepse në fakt, nëse do vazhdohej kështu, Kosova do t’i kthehej normalisht Jugosllavisë, e cila paçka formës së regjimit, ishte aleate e kampit të madh antifashist. Por komunistët i bënë po ashtu llogaritë gabim, sepse aleatët e tyre jugosllavë nuk e respektuan vendimin e Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Paçka se historianët e vendosin gishtin e fajtorit te njerëzit e Titos, që e transformuan rezolutën e Bujanit, dhe dritëshkurtësia e komunistëve.

Historia s’ka më surpriza. Balli Kombëtar e tejkaloi zyrtarisht kur në shtator të vitit 1943 ishte në kompromis me qeverinë kuislinge të Tiranës, fakt që e bëri të qarkullonte lirisht në qytetet e vendit me kushtin që të mos prekte gjermanët. Ballistët gjatë dimrit 1943-1944 jo vetëm s’i prekën, por bashkëpunuan haptas me ushtritë hitleriane në operacionin ndëshkimor, që pothuaj i fshiu komunistët. Megjithatë, ata mbijetuan, kurse Balli Kombëtar dhe liderët e saj, në masë, përfunduan në kampet e refugjatëve nëpër Evropë. Historia s’e ka vendosur në vendin e vet Ballin, porse ai i duhuri është realisht shumë larg anti-fashizmit.

Këtë duhej ta kuptonte pa kompleksin e tij presidenca shqiptare dhe të shpallte një rezolutë për mbrojtjen e luftës dhe vlerat e anti-fashizmit. Të mendosh, në ditët që jetojmë, problemi i vetëm është se asnjë nga presidentët e vendit nuk mundi të zgjidhte një gjë të thjeshtë nga ku do të fillonte pajtimi i shqiptarëve, një akt që me sa duket do të dojë shumë e shumë kohë. Kthejeni 17 Nëntorin në lartësinë që meriton…

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.