Çështja çame sipas optikës greke, propagandë dhe nacionalizëm

Postuar në 30 Tetor, 2016 18:59

Për çështjen e shumëdebatuar të Çamërisë, Huffingtonpost ka folur me profesorin e Universitetit të Janinës, Athanasios Gotovos, i cili është dhe  autor i librit me titull “Çamëria, identitete në Thesprotinë e pushtuar dhe roli i pakicës myslimane”. Siç shpjegon Gotovos bëhet fjalë për  një çështje shumëplanëshe dhe të shtrirë në disa faza historike. Për të kuptuar këtë çështje të vështirë thotë ai kërkohen njohuri, jo vetëm në rrafshin  historik, por edhe në disiplina të tjera të ngjashme të shkencave sociale.

Sipas tij, injoranca ose padija rreth kësaj çështje nuk është rastësi, por vjen si rezultat i pamençurisë së autoriteteve greke për të mos integruar në programin mësimor disa nga ngjarjet që ndodhën në Epir në periudhën nga viti  1913 deri në vitin në 1944.

“Kjo ka bërë që brezi i ri të tregohet i ndjeshëm ndaj rrëfimeve ose historive të cekëta, vërtetësia e të cilave mbetet shumë për t’u diskutuar. Mes tyre është edhe retorika e nacionalizmit ekstrem, e  kthyer tashmë në propagandë shtetërore nga shteti fqinj dhe jo vetëm” - thotë Gotovos.

Ai argumenton se qasja e të dyja palëve për këtë çështje është e bazuar në pozicionet ideologjike dhe interesat e gjithësecilit në kohë të ndryshme. Për ringjalljen e kësa çështje në Shqipërinë fqinje, Gotovos  shkruan se pas viteve ’90 sistemi arsimor shqiptar nuk ishte në gjendje të shkëputej nga tonet e propagandës politike të regjimit të mëparshëm, por u shndërrua në një vatër edukimi të rrezikshëm nacionalist me prirje të qartë anti-greke dhe anti-evropiane.

"Ky nuk është vetëm vetëm konstatimi  im. Ka më shumë se një dekadë që Instituti i Edukimit për Grekët Jashtë Vendit dhe Arsimimit Ndërkulturor është marrë me çështjen e teksteve të Historisë dhe Gjeografisë së Shipërisë në të gjitha nivelet e arsimit, duke propozuar masa konkrete që fatkeqësisht kanë rënë në veshë të shurdhët”-thotë ai.

A ju shkaktojnë befasi deklaratat e zyrtarëve të qeverisë austriake, zhgënjimi i qeverisë greke, padija për ngjarjet e kohës nga një pjesë e madhe e popullsisë, qasja e disa prej tyre intelektualëve dhe historianëve tanë dhe mungesa e plotë e ngjarjeve të tilla në librat e historisë?

"Mendoj se më e keqja e përmendur edhe prej jush  është mungesa e programeve në shkollat greke dhe manualeve që i referohen përfshirjes së muslimanë çamë të Thesprotisë në Luftërat Ballkanike dhe ngjarjet e pushtimit nazi-fashisht. Të rinjtë greke nuk mësojnë në shkollë në lidhje me rolin e këtij minoriteti në të dy këto periudha kritike dhe për këtë arsye nuk janë  të përgatitur për të vlerësuar pretendimet e propagandës shqiptare. E njëjta gjë vlen edhe për fushën akademike dhe atë gazetareske, e cila në shumë raste për të qenë i sinqertë nuk është shumë e ndryshme nga qasja shqiptare. Dhe arsyeja kryesore për këtë ngjashmëri nuk  është se ka agjentë shqiptarë të futur në universitetet greke dhe redaksitë e gazetave, por janë të dominuar ideologjikisht nga periudha e Luftës Civile.”

Nga pikëpamja historike Gotovos veçon rolin e pakicës së çamëve myslimanë dhe thotë se koneksti i gjithë përplasjes është fetar dhe politik, duke ndarë periudhën e luftërave ballkanike pas vitit 1913 dhe atë të Luftës së Dytë Botërore. Ai flet për një islam konservator në radhët e popullsisë myslymane të kësaj zone.

"Ky është Islami me pamje ultra-konservatore mbi një sërë çështjesh, më e rëndësishme është pozita e gruas në familje në shoqëri dhe arsimimi i saj. Rezistenca e një pjesë të konsiderueshme të kësaj popullsie në një përpjekje për integrimin në shoqërinë greke dhe modernizimin social-kulturore përmes edukimit pas vitit 1913 legjitimohej nga ky lloj islami konservator”-thekson ai.

Sipas tij është e njohur se gjatë çlirimit të Thesprotisë në kontekstin e luftërave ballkanike, muslimanët çamë luftuan së bashku me ushtrinë turke, kështu që çlirimi i zonës nuk ishte një ngjarje e dëshirueshme dhe e lumtur nga perspektiva e tyre.

"Dhuna nuk ndodhi as për të kënaqur urrejtjen, as për të grumbulluar pasuri. U krye për të zhbërë ose për të hequr popullsinë e krishterë të rajonit dhe për të lehtësuar shkëputjen e tij nga Greqia”-shkruan Gotovos

Me ardhjen e forcave pushtuese italiane në Thesproti pas prillit të vitit 1941, jeta e përditshme e popullsisë së krishterë të Thesprotisë u përmbys. Asgjë nuk ishte më e sigurtë në lidhje me pasurinë dhe jetën e tyre. Një përshkrim të gjallë të terrorizmit të ushtruar për të hequr popullsinë e krishterë të rajonit e jep Efstratios Zakkas duke folur për një nga organizatorët kryesorë të kësaj fushate, Jasin Sadiku.

“Ky njeri, Jasin Sadiku i rikthyer pas futjes së ushtrisë italiane në Thesproti si kryetar i muslimanëve të armatosur të Çamërisë ndërmori krime të tmerrshme kundër të krishterëve grekë, duke përfshirë në bandën e tij kriminelë, kontrabandistë të njohur dhe të dënuar për armëmbajtje të paligjshme ”-shkruan Gotovos në librin e tij.

Edhe pas sulmit të  Gjermanisë dhe nënshtrimit të Greqisë, çamët  sërish u përfshinë në dëbimin e popullsisë së krishterë nga Thesprotia. Vranë, masakruan, përdhunuan, dorëzuan te pushtuesi dhe spiunuan mijëra grekë. Dogjën fshatra dhe  grabitën çdo gjë, mjete bujqësore, kafshë, bizhuteri, enë kuzhine, mobilje, para, veshje etj..

"Dhuna e institucioneve të administratës shqiptare në Thesproti gjatë pushtimit fashist sigurisht që përfshin dimensionin etnik, kulturor dhe fetar. Por nuk manifestohet për shkak të këtyre dallimeve. Qendra e bërthamës është politike dhe përfshin planin për aneksimin e zonës në Shqipërinë e Madhe, siç e premtoi në fillim Mussolini dhe më pas Hitleri”-thotë ndër të tjerash profesori i Historisë në Universitetin e Janinës.

Ka akuza se ndaj popullsisë civile janë kryer krime barbare?

"Pastrimi i Thesprotisë nga enklavat e armatosura shqiptare nuk ishte humane. Përveç muslimanëve të cilët u vranë në përleshjet e armatosura me luftëtarët e seksioneve të rezistencës greke, ose u dënuan me vdekje nga shtabi i andartëve, gjithashtu vdiqën dhe qytetarë myslimanë në Paramythía, e Karvounari, Parga dhe Filat në periudhën Qershor 1944 -Shtator 1944. Në raste të tilla flasim për hakmarrje nga të afërmit e viktimave të popullsisë së krishterë, të cilat nuk kishin për qëllim domosdoshmërisht vetë autorët që u paraprinë krimeve, por bashkëkombasit e tyre, pa shqyrtuar nëse dhe në çfarë mase ishin përgjegjës për krimet. Këto forma të "drejtësisë", që lidhen me dëbimin e pakicave që u treguan filonaziste megjithatë, janë vërejtur jo vetëm në Thesproti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në krahasim, me viktimat e këtyre lloj  hakmarrjeve - në thelb të dhunës etnike – siç është rasti i sudetëve në Çeki, pastrimi i Thesprotisë nga seksionet e armatosura të çamëve myslimanë dhe evakuimi i civilëve nuk ishte veçanërisht i përgjakshëm dhe në asnjë mënyrë nuk përbën "genocid", siç u mësohet nxënësve shqiptarë në librat shkollorë”

Një nga pikëpamjet mbizotëruese në favor të çamëve është se ata u bënë aleat me forcat pushtuese nga nevoja e mbrojtjes prej sulmeve të ndërmarra nga  EDES, në kontrast me rolin e luajtur nga ELAS.

"E di këtë pikëpamje. Por unë nuk mund ta di nëse ky gabim është produkt i mashtrimit apo guximit të tyre. As në vitin 1941 as në 1942, as deri në mesin e vitit 1943 çamët  myslimanë nuk ishin të rrezikuar nga grupet e Zervas, sepse ata thjesht ose nuk ekzistonin ose ishin aq të paktë në numër se nuk përbënin një kërcënim real. Për më tepër, nëse ka qenë Zerva që ka shkaktuar këtë bashkëpunim, si shpjegohet bashkëpunimi i çamëve muslimane me forcat pushtuese në zona të tilla si fshatrat e Filatit, në të cilat operonte ekskluzivisht EAM-i dhe ELAS-i? Si shpjegohen dhjetëra viktima në ato fshatra? Edhe atje muslimanët  bënë aleancë me pushtuesit nga frika presioni i ELAS? Ky është argument qesharak. Protagonistët e dhunës çame në Thesproti janë Nuri Dino, vëllai i tij Mazar Dino dhe nipi Rexhep Dino. Në të njëjtin kontekst veprojnë të gjithë anëtarët e Këshillit Shqiptar, dmth organit politik të udhëheqjes shqiptare, kamandanti i Xhandarmërisë,  Ahmed Avduli dhe një numër të propagandistësh dhe informatorësh që veproknë kryesisht në  Filatit, Igoumenitsa Paramythia, Janina dhe Korfuz”

A u dënua ndonjë ish-ushtarak Gjerman për krimet në këtë periudhë?

I vetmi ushtarak gjerman që u çuan në gjyq në vitin 1947 si pjesë Gjyqit të  Nurembergut, në të ashtuquajtutin  " rast i pengjeve ", ishte gjenerali Lans . Ai u dënua  me 12 vjet burgim në vitin 1948, por në vitin 1951 u lirua pas faljes nga amerikanët.  Megjithatë, vendimi nuk kishte të bënte me krimet e kryera në Epir, por me masakrën e të burgosurve italiane në Kefalonia dhe Korfuz në shtator të vitit 1943. Aleati kryesor i muslimanëve në Thesproti,  koloneli Josef Remolnt jo vetëm nuk u shqetësua nga gjykatat gjermane, por pas luftës dhe kthimit të tij nga Bashkimi Sovjetik u  bë shefi i Policisë së Mynihut. Më vonë ai pati mundësi të udhëtojë për në Turqi për t’u takuar me miqtë dhe shokët e vjetër, si Nuri Dino, duke bërë edhe  një libër me kujtime romantike nga këto udhëtimeve.

Shënim: Arsyeja e botimit të ketij materiali lidhet me nevojën për të kuptuar edhe optikën e palës greke mbi këtë çështje. Duke besuar se askush nuk e ka të vërtetën është e rëndësishme që të paraqiten të dyja versionet, gjithnjë duke njohur si legjitime kërkesën e çamëve për pronat, por duke mbetur mendje hapur për të lexuar atë që thonë aktorët grekë, që nuk mund të përfshihen të gjithë nën një etiketë.

http://www.huffingtonpost.gr/2016/10/28/afieroma-tsamides-_n_12655756.ht...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.