Vizitë e një ministri, apo korrier në Ankara?

Postuar në 27 Tetor, 2016 12:27

Askush nuk di të thotë se cili është qëllimi i vërtetë i vizitës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Turqi. Sipas njoftimeve zyrtare shohim një zyrtar të shtetit shqiptar që takon homologun e tij, Cavushoglu dhe më tej, presidentin e vendit, Reccep Tayyip Erdogan. Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton ndër të tjera se në takimin me Erdogan “ministri Bushati shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me popullin dhe qeverinë turke për angazhimin në vendosjen e rendit kushtetues në vend”.

Pikë së pari ky është një takim disi i pazakontë. Bushati përfaqëson një shtet që nuk ngre peshë në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që Erdogan është president i një vendi që është një nga nyjet më të diskutuara strategjike të globit dhe me një politikë të jashtme që nuk parashikohet. Pritja e Bushatit nga presidenti jep një mesazh për rëndësinë e vizitës që nuk përligjet dot nga njoftimi zyrtar për “forcimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë, energjetikës...”. Dhe kjo rëndësi ndoshta do kërkuar te vlera e posaçme që ka Shqipëria në sferën e interesave turke në Ballkan.

Bushati shkon në Turqi pasi investimet turke kanë marrë goditje në Shqipëri: së pari Kurum është larguar dhe së dyti, kompania turke që fitoi koncesionin e rrugës Durrës – Kukës u spostua me marifete proceduriale për t’i lënë vendin një konsorciumi shqiptar. Nisur nga ajo që thuhet në njoftim, pra nga mbështetja për rivendosjen e rendit kushtetues, mund të hamendësohet se ndoshta largimi i kompanive në fjalë lidhet me ndikimin e Fetullah Gulen në to. Por nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim dhe nëse është kështu, atëherë qeveria shqiptare po pranon të kryejë punë vasali në kundërshtim me ligjet në fuqi. Le të kujtojmë këtu se kryeministri aktual, Edi Rama, deklaroi me të madhe se kontratat për HEC-et nuk zhbëhen dot për shkak se shteti shqiptar do të gjobitet në arbitrazh. Por edhe bizneset e Gulen në Shqipëri funksionojnë mbi bazën e një kontrate dhe mundet të penalizojnë vendin nëse ndiqet politika e Erdogan ndaj tyre edhe këtu.

Këto zhvillime i japin prezencës së Bushatit në Turqi, ku ambasador është Gazheli, dikur drejtues i agjencisë kundër pastrimit të parave, karakterin e një misioni prej korrieri personal të Edi Ramës, i cili ka me Erdogan një marrëdhënie të pasqaruar për publikun shqiptar. Edhe në planin zyrtar krijohet një dilemë e madhe e cila nuk gjen shpjegime veçse në interesa okulte. Ministri po na thotë se së shpejti do të nënshkruhet dokumenti i partneritetit strategjik me Turqinë, i cili u fol se do të përpilohej që në vitin 2013. Askush nuk e di pse u shty një gjë e tillë dhe askush nuk di të thotë po ashtu se për cilat arsye Shqipëria nxiton të firmosë një traktat të tillë, në një kohë që Turqia po shënon hapa të mëdha pas në fushën e demokracisë, duke ecur shpejt edhe në tjetërsimin kushtetues të shtetit. Platforma neootomane e Ankarasë apo nacionalizmi fetar i saj nuk janë më spekullime mediatike, as drafte teorike apo monografi si ato të ish-ministrit të Jashtëm, Davutoglu.

Sot që flasim të gjithë aktorët kryesorë e shohin përfshirjen e Turqisë në Mosul si shprehje të interesave strategjike, por edhe planeve që burojnë nga nostalgjia osmane. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter deklaroi dy ditë më parë “rëndësinë vitale të veprimit të çdo vendi në respekt të plotë të sovranitetit të Irakut”, një mesazh ky “direkt për turqit”, siç raporton BBC. Shqipëria edhe mund të qëndronte larg këtyre implikimeve, pasi nuk ka as interesa reale dhe as fuqinë që të angazhohet. Por nuk është kështu. Ne po shohim të kundërtën.

Me këtë diplomaci ndaj Turqisë, apo për Turqinë, shohim edhe një kontradiktë mbi të cilën nevojitet transparencë. Qeveria aktuale shqiptare ishte e para që vendosi t'u jepte armë kurdëve peshmerga, një kërkesë e qartë kjo e amerikanëve, e që çoi në pritjen në Washington, me nderime të posaçme të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Edhe angazhimin shqiptar në Egje në kuadër të NATO-s, Kodheli e njoftoi së pari në takimin e vet me homologen gjermane. Ende nuk dihet nëse fatura e pjesëmarrjes në operacionet në Egje, do të paguhet nga buxheti, apo si përherë nga miqtë. Sot që flasim jemi në kushtet kur ShBA ka refuzuar të ekstradojë Gulen, duke shtuar edhe se politika e Turqisë në Irak nuk do të pranohet nëse ajo godet kurdët. Ankaraja vrau 250 kurdë në 18 bombardime ditë më parë, duke bërë të qartë se një nga drejtimet e politikës së saj në Lindjen e Mesme synon parandalimin e çdo projekti politik kurd. Projekt që po evidentohet si interes amerikan edhe për të presuar Sirinë. A mundet të prekë afilimi kaq i ngushtë me Erdogan marrëdhëniet me ShBA? Ndoshta qeveria shqiptare po mendon të luajë edhe këtu “në mënyrë sovrane”, duke ndjekur interesat e veta. Ajo pranoi muxhahedinët iranianë për llogari të amerikanëve, por po ecën shumë afër edhe me Erdogan qoftë edhe në spastrimin që ky po i bën Turqisë nga Gulen.

Çështja është se cilat janë këto interesa? Ato të vërtetat që fshihen pas frazave “investime në bujqësi, energjetikë...”. Janë interesa shtetërore, apo aty kanalizohen interesa personalë? Askush nuk di të thotë gjë për momentin në këtë grumbull lëvizjesh që ngjajnë pa sens dhe në kundërshtim me njëra – tjetrën. Një fakt gjithsesi nuk shpëton dot pa rënë në sy: ministri i Jashtëm shqiptar që takon presidentin e një vendi si Turqia. Kjo kërkon leximin e vet. Do të davaritej çdo gjë, sikur ministri apo ministria të sqaronin konkretisht për ndonjë marrëveshje, apo kontratë. Pasi fjalët e përgjithshme të një “korrieri” thjesht shtojnë dyshimet dhe padijen. Të mos harrojmë se hamendësimet për Turqinë e Erdogan në mediat kryesore të botës janë gjithfarëshe dhe jo pa shkak.

Comments

Submitted by Di SHumi (not verified) on

Eshte e vertete qe ne mediat botereore fliten fjale jo sh te mira per Erdoganin

Madje thone qe eshte mbeshtetesi kryesor i ISISIT dhe Al Nusras pra atyre qe presin njerez ne qafe dhe i bejne video

thone qe ne Antep nje Qytet ne Turqi eshte dedikuar komplet ISISit ATY ATA kane spitalin e tyre ku sherojne te plagosurit etj

Erdogan = ISIS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.