Gjithë populli gazetar!

Postuar në 27 Tetor, 2016 02:15

Mediat sociale dhe ato online kanë njohur një shpërthim të jashtëzakonshëm këto vite. Edhe në Shqipëri, ku zakonisht gjërat mbërrijnë vonë. Arsyet pse kjo përhapje janë shumë dhe me gjasë do të kërkojë një sociologji më vete. Por nëse po na lejohet një autokritikë e shëndoshë, ndoshta te ne kjo përhapje lidhet me dembelizmin dhe atë vesin fatkeq të kohëvrarjes.

Shqipja ka një mundësi të artë shprehjeje për këtë dukuri, trashëgimi pardoksale nga koha e Diktaturës së Enver Hoxhës, që ishte mbi të gjitha Tirani e Fjalës. Gjithë Populli Gazetar! Ose në daçi: Gjithë Populli Fjalëtar!  

Kjo është një mënyrë për të përshkruar këtë që po ndodh, por nuk është çudi që në ndonjë skutë partie të jetë edhe devizë. Pse kështu krijohet pa shumë lodhje ai përroi i zhurmave që mbyt Fjalën e vërtetë, nëse kjo pati ndonjëherë jetë në këtë vend; por edhe sepse kështu fitojmë tjetërkund, atë që nuk e marrim dot te Ligji.

Të gjithë janë të barabartë para ligjit! Kështu na mburret Republika Parlamentare me një parim. Por e dimë po ashtu, sa pas kësaj kapardisjeje qëndron një shkelje syri. Janë vallë të gjithë të barabartë, apo ka disa më të barabartë si na thotë ai libri i famshëm?

Ndaj kur nuk ke pulën, ha sorrën. Madje pa zjerë fare. Facebook, tëeetër, blog, instagram, një pafundësi mundësish për të shprehur e shpërfaqur veten, paralel me krijimin vullnetar të një lloj gazetarie bruto, llafesh e thashethemesh, shfryrjesh e fryrjesh që në kohë reale, krijon e shkatërron mjedisin social virtual. Po shohim atë që nuk na e priste mendja: edhe gjakmarrje apo hakmarrje me origjinë Facebooku. Divorce për një like pa profilaktikun e duhur, apo edhe luftë me lagje virtuale tifozësh e militantësh, grumbuj statusesh, teori historike, atentate morale dhe politike, punime serioze. Çfarë të duash. Një Klik larg botës që po plastifikohet në limbon e kohës që komandohet edhe me emotikone tanimë: e sotmja, e djeshmja dhe e nesërmja janë kërleshur keqas. Nuk shpleksen më. Ama mund të likujdohen, fshihen, delete, remove, deactivate. Dhe ja, mundësia e krijimit nga e para.

Gazetaria tradiocionale e ka ngrënë karremin këlltup, ashtu siç ia dhanë, edhe pse gazetarë tradicionalë nuk ka më me thënë të drejtën. Deri më dje ankoheshim se lajmi nuk konfirmohet me dy burime, sipas një parimi të vërtetësisë relative. Sot ke disa burime, një që e ndesh në terren – dhe tjetri në rrjet. Iku edhe ky telash. E raporton, e hedh e publikon, ta morën direkt. Share, modifikim, ilustrim, titull tjetër, një citim dhe ja, lajm – sallami u prodhua. S’di njeriu i shkretë se çfarë profesioni është ky tashmë.

Në këtë botë që deri para disa kohësh dukej se ishte e prerë për ca “snoba” kanë mësyrë edhe politikanët, apo politikejtë siç u thonë së fundmi. Ndërrojnë fotot, hedhin pamje, statuse të mençura, tinëzare, lëshojnë mufka, postojnë video, shfaqen në takime, janë kudo e me të gjithë. Kanë krijuar atë realitetin e tyre me kufij të rinj, edhe më të gjerë sesa dje, në botën e vjetër. Në atë botë vetëm citoheshin apo intervistoheshin. Sot referohen dhe i referojnë. Ata shkëlqejnë me numrin e pëlqimeve dhe shikimeve. Dhe mbi të gjitha, shkruajnë dhe flasin me emrin e tyre. Sepse në këtë botë Emri është kapital. Jo se nuk ka qenë deri dje, por sot Emri lidhet me një sërë aftësish: deri dje mund të ishe dikush si mjek, fizikan, apo edhe inxhinier e jurist. Sot ama mundet edhe që më “kohën e lirë” të jesh fenomen në rrjet. Talent krejt i ri. Madje ka edhe një letërsi që zhvillohet në këtë formë dixhitale. Po ecet edhe me programe që kanë aftësi të shkruajnë si shkrimtarët. Apo imitojnë stilin e dikujt. U zgjidh edhe problemi moral e ligjor i plagjiaturës: shkarko softin, jepi lëndën, të nxori perlën. Postoje. Rezulton kokë shteti. Figurë, fenomen.

Kësaj i them unë – edhe si USER po të doni - Zonë e Lirë. Por jo vetëm e tillë.

Këtu një apologji të vockël për portalet që i quajnë kazanë. Padrejtësisht kur shikon gjithë këtë kombinat riciklimi që folëm më sipër.

Ka një dukuri të përhapur në portalet shqip – të paktën ato që kanë drejtimin politik. Në to sundon Anonimati. Shkrime, shënime, komente, pa emër. Mund të ketë shumë arsye për këtë. Një arsye është se portalet nuk prodhojnë lajme të vetat, por rishkruajnë informacione të marra nga redaksi të tjera. Një arsye tjetër është se këto media i kanë populluar gazetarë, ose operatorë po i quajmë, lajmesh, që e kanë punë të dytë e të tretë. Një tjetër është se shumë pak në këtë sektor kanë ambicien e të afirmuarit si opinionist e analist, pasi e dimë se radha nuk i bie kujt më për një dy dekada akoma.

Por një arsye është edhe se reporteri është dënuar me harresë në këtë vend. Pasi nga kjo që po ndodh e që folëm, “lajmi dihet”. Duhet të jesh i zoti ta mbash me vete të paktën sa ta shkruash.

Kjo nuk është edhe aq etike dhe profesionale, por ka arsye të qenësishme që ndodh. Me vetëm emra për faqet portalet po rrezikojnë të marrin identitetin pezhorativ që u jep pushteti. I cili mjaftohet të lëshojë bajgat pasi atë punë di të bëjë mirë. Kazani mediatik i bashkëlidhet si nëntekst vetëm disa portaleve që si të tillë janë shqetësim, pavarësisht oqeanit informativ të mediave sociale.

Anonimati ka vendin e vet, në mos në histori, në kronikën e ngjarjeve. Ai është shpesh burim i vyer: Anonimi i Tivarit, i Gjirokastrës, qoftë edhe Bibla e gjetur më 1947 nuk ka autor. Anonime janë edhe proverbat popullore. Këto për të thënë se anonimati nuk ka pse të jetë kompleks. Vetëm se prodhon një paradoks që nesër nuk do të zgjidhet dot kollaj. Në gjithë këtë vëllim pune që prodhoet parreshtur, katalogimi dhe vlerësimi është një punë pothuajse e pamundur. Për median print kjo ishte krejt tjetër gjë, por për median online është pazgjidhshmërisht e lidhur me identitetin. Pasi edhe pse shqetësimi i vetëm i pushtetit sot është ky format, atëherë biem dakord se qysh tani, media online po kontribuon në memorien e shoqërisë. Vetëm se çfarë do rezultojë nesër është thuajse e pamundur ta marrësh me mend në këtë kaos. Paradoksi është se ndonëse sot e dimë shumë se çfarë thotë kryeministri apo ish – kryeministri, nesër pakkush do të marrë për referencë statuset e videot e tyre. Do të jetë i detyruar të zhytet e “zhgërryhet” në kazan – atë tonin – për të gjetur njëherë njërin, e njëherë tjetrin, bashkë me shokët që rendin nga pas. Do të jetë pastaj, për shkak të anonimatit të sotshëm, në vullnetin e tij të përcaktojë statusin e asaj që gjen në kazan.

 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.