Teza e Kryeministrit: “Kush del nga universiteti është një shërbëtor i ditur i këtij populli dhe këtij shteti”

Postuar në 24 Tetor, 2016 18:55

Gur gur bëhet kalaja. Kjo është një fjalë që na thotë se avash avash, hap pas hapi bëhen gjëra të mëdha. Por këtë fjalë të urtë, mund ta marrim e ta përshtasim edhe për gjërat pa vlerë, apo budallallëqet, të cilat po ashtu si gjërat me vlerë, nisin e zënë vend, njëherë si pa mendje, njëherë si spontanisht, derisa duken sikur kanë qenë përherë ashtu.

Kështu mund të karakterizonim ta zëmë edhe disa shfaqje të qeverisë e të kryeministrit, të cilat njëherë si kot, njëherë tjetër nga halli për propagandë, më shpesh pse aq është vizioni dhe kaq e kërkon interesi, na përshfaqin një reliev kodrinor mrrokullash nga ato jashtë "listës së gjelbër", por që riciklohen e riciklohen në pafundësi. Ja se çfarë ka thënë sot Edi Rama, kryeministri i konçesionimit të thuajse çdo shërbimi publik, kampioni i privates, madje klientelizmit dhe njeriu që nuk ka një parametër ku ta klasifikosh për nga kriteri qeverisës:

Ky është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë, jo më e lehtë për të siguruar që kush del nga universiteti  është një shërbëtor i ditur i këtij populli dhe  këtij shteti. Sepse efekti zinxhir i këtij shkatërrimi që fillonte nga klasa e parë nuk përfundon kur studenti del nga universiteti, por vazhdon kur studenti merr diplomën, fiton të drejtën të marrë në dorë fatet e njerëzve. Dhe çfarë është mbjellë korret pastaj në kurriz të atyre që me të drejte presin që të kenë një shtet që shërben me cilësi, të kenë një tërësi institucionesh që projektojnë të ardhmen dhe administrojnë të tashmën”, u shpreh Edi Rama në krah të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Që konkurenca duhet ashpërsuar nuk ka asgjë të keqe, sikur ajo të jetë e shoqëruar dhe paraprirë nga rregulla që nuk ndryshojnë sipas psikës verore të qeverisë. Që arsimi ka prodhuar shkatërrim edhe ky është një problem i vërtetë. Por te ajo që thotë kryeministri, vetëm kaq mund të gjesh që ta përkrahësh. Pasi të tjerat nuk dihet se nga kanë hyrë në kokën e zotërisë që shfaqet si babai i shqiptarëve dhe guruja i ëndrrave të tyre.

Është padyshim shumë e pavend t’i thuash një të riu a të reje se masat që po merren sot janë për “të siguruar që kush del nga universiteti  është një shërbëtor i ditur i këtij populli dhe  këtij shteti”. Këtë edhe Enver Hoxha nisi ta thoshte me shumë takt, ndoshta në aktivitete partie. Pasi ai që hyn në shkollë, në mos nga inercia siç ndodh në Shqipëri, hyn sepse ka ambicie personale dhe jo se pret të bëhet shërbëtor i popullit e ca më keq, i këtij gjoja shteti. Në shkollë shkohet sepse ke aftësi, ka ambicie dhe ke ëndrra, jo sepse populli të ka ngritur këngë e se nesër do jesh një biçim komisari i dritës.

Sa për atë që kryeministri thotë për shërbimin me cilësi dhe projektimin e së ardhmes, me siguri që është duke gënjyer si zakonisht. Pasi mjafton të shohim garat e FRESSH-it, për të kuptuar se çfarë po i poftis në derë Shqipërisë ky njeri. Në fushën e shërbimeve shtetërore mungon shtrëngimi i rripit dhe ndëshkimi, që nuk ka sesi të vijnë kur e mbush administratën me militantë. Njerëzit për të bërë një punë mediokre siç është ajo e nëpunësisë, nuk mungojnë. Janë vendimet të shtrembërta, e kjo mund të shihet edhe nga cilësia e kabinetit qeverisës.

Le të shihet edhe sesi ky njeri nuk arrin dot të kuptojë, sa për takt, fjalën privat dhe treg kur flet për arsimin, duke na zbuluar se qeveria e tij, na qenka nisur gjoja të bëjë reformë se kështu do ndreqë cilësinë e atyre që nesër do jenë në politikë. Po pse vallë nuk ka presion nga tregu për cilësinë e të diplomuarve, këtë pyetje di t’ia bëjë vetes zotëria? Në shkollë nuk hyjnë vetëm më të mirë dhe edhe këta, nuk janë të lidhur detyrimisht me sistemin e notave që na përcjell shkolla e mesme shqiptare.  Një eksperiment vulgar i cili nuk meriton të trajtohet edhe shumë, pasi me siguri të djelën tjetër do shurdhohemi duke dëgjuar për reformat që për 25 vjet nuk u bënë. 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Prisni, prisni se nuk keni pare gje akoma. Eshte ngritur redaksia per botimin e veprave te Edvin Kristaq Rames. Se shpejti botohet vellimi i pare. Nga burime te mireinformuara mesohet se permbajtja ka te beje me periudhen kur Edvini planifikonte te behej piktori me i madh i Ballkanit. Ne forme shtojce jepen edhe disa shkarravina te Edvinit kur Edvini ishte kater vjeç.

Si vellime jashte kolanes se veprave planifikohen edhe "Kujtime nga kampi i pionereve Durres", "Demagogjia e Fatos Nanos si Demagogji","Ilir Meta dhe tradhetia e Madhe", "Patriotizmi serb i Vuçiçit eshte antipatriotizem shqiptar", "Shenime pariziane rreth pjates me makarona", "Si organizova nje veterrahje dhe pastaj ia ngjesha Doktor Rrumpalles" etj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.