Massafra: Shteti të imitojë kishën për rigjykimin e historisë

Postuar në 23 Tetor, 2016 10:13

“Shteti shqiptar të imitojë kishën për rigjykimin e historisë”. Kështu ka deklaruar dje Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult, monsinjor Angelo Massafra, gjatë prezantimit të kalendarit të aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të lumturimit të 38 martirëve nga Vatikani raporton Gazeta Shqiptare.
Në konferencën për shtyp, ai tha se lumnimi i martirëve është një shenjë mirënjohjeje për ata, të cilët u dënuan dhe u torturuan padrejtësisht. Arqipeshkvi, i pyetur nëse është momenti që shteti shqiptar të dënojë krimet e komunizmit, u shpreh se mundet që të imitojë kishën katolike, e cila bëri gjyqin në Vatikan për 38 martirët. “Unë shpresoj që me festën e 5 nëntorit ne kemi bërë gjyqin tonë, që ka filluar në vitin 2002 dhe u mbyll në vitin 2010 në Vatikan për 38 martirët. Gjyqi është shqyrtuar shumë mirë nga Vatikani me ekspertët. Është lexuar krejt materiali prej 2.500 faqesh. Të gjithë martirët janë dënuar nga inati ndaj fesë i sistemit të atëhershëm. Nuk ka as arsye politike, as kombëtare, por vetëm fetare për dënimin e tyre. Mendoj që mund të jetë një nxitje apo një shtyrje që shteti shqiptar të imitojë atë që ka bërë kisha katolike. Lartësimi i martirëve është lartësimi i të gjithëve atyre që kanë vuajtur, të krishterë ose jo. Katolikët kishin vuajtje të mëdha, edhe pse nuk ishin një bashkësi e madhe, por janë torturuar në mënyrat më të tmerrshme nga shteti monist. Shpresoj që shteti ta imitojë kishën në këtë situatë rigjykimi të historisë”, pohoi kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.