Tirana nuk është kurrfarë qendre e shqiptarizmës*

Postuar në 18 Tetor, 2016 11:18
Imer Mushkolaj

Thellë, aq thellë janë zhytur gazetarë e opinionistë në Tiranë, në përpjekje për të mohuar qenien e Kosovës shtet, sa që nuk po ngurrojnë të shpërfaqin animozitet e marrëzi nga më të ndryshmet. Njëri ndër ta, madje, shkoi aq larg sa që kosovarët i vinte para dilemës nëse janë "me cicat e Cecës" apo me Nënë Terezën. E kishte fjalën për folk këngëtaren serbe, të venë e Zeljko Raznjatovic-Arkanit, udhëheqësit paramilitar famëkeq që kreu masakra në Kosovë. I njëjti nuk nguronte t'i quajë "titistë" të gjithë ata që e duan shtetin e Kosovës, ata që duan që ky shtet të forcohet e të përparojë, ata që duan që ky shtet të prezantohet denjësisht në botë.

T'i quash të tillë ata që kërkojnë dhe i ofrojnë shtetit të vet atë që e bën secili njeri normal në botë është marrëzi, është injorancë. Siç është injorancë e dashakeqësi të provosh që dashurinë ndaj shtetit të Kosovës, të qytetarëve të vet, të përpiqesh ta krahasosh me nostalgji ndaj ish-Jugosllavisë.

Ata që i vënë shqiptarët e Kosovës para dilemës Cecën ose Nënë Terezën nuk janë gjë tjetër veç ca tipa të kompleksuar që patriotizimin e kanë hobi dhe me këtë "sport" merren veç kur iu del hesapi.

Logjika ua thotë se, në rastin më të keq, kosovarët nuk duhet të kenë shtet, kurse në rastin më të mirë kosovarët edhe mund të kenë shtet, por kurrsesi identitet shtetëror, as kombëtare futbolli, as gjë tjetër. Sepse, këtë të drejtë e paska vetëm Shqipëria.

Ata që i vënë kosovarët para dilemës Cecën ose Nënë Terezën janë soj i atyre që edhe në kohën e luftës së Kosovës nuk kanë reshtur që dëgjuari muzikën e saj, soj i atyre që nuk bëjnë dasma pa e kënduar edhe një potpuri këngësh serbisht, soj i atyre që dalldisen në salla koncertesh kur këndon Zdravko Colic, soj i atyre që iu dhurojnë çelësa qytetesh goranbregovicëve.

Ata, të cilët shqiptarët e Kosovës që nuk bëjnë ndonjë faj pse duan shtetin e tyre i konsiderojnë jugonostalgjikë, e huqin edhe historinë, nuk dinë shumë për kohën e Jugosllavisë, aq më pak për kontekstin e ngjarjeve të asaj kohe. E për të qenë budallakia më e madhe, jugonostalgjikë etiketohen edhe kosovarë që në atë kohë as kishin lindur.

* * *

Ata që minojnë shtetësinë e Kosovës e kanë zbuluar vonë Kosovën. Vetëm para disa vjetësh dinin për të mbase edhe më pak se për shtetet tjera fqinje. Ata ende ngurrojnë që fëmijët t'i sjellin për ekskursione në Kosovë, ndërkohë që mijëra nxënës nga Kosova vërshojnë Shqipërinë. Ata ende ngurrojnë që ta kalojnë një fundjavë në vende të bukura të Kosovës, ndërkohë që gati një milion kosovarë harxhojnë miliona euro çdo vit në Shqipëri. Për ta kosovarët ende janë "të trashë", "malokë" e "provincialë". Ata nuk ngurrojnë të pyesin: çfarë iu duhet kosovarëve shteti? "Çfarë deshët që u çuat kundër Milosevicit, kur i kishit të gjitha?", më pyeste njëri pas luftës.

Të tillët e përmendin ndihmën që ua kanë dhënë kosovarëve gjatë luftës, duke i strehuar si refugjatë në Shqipëri. Faleminderit dhe nuk ua harrojmë. Por, a nuk është e pandershme që të instrumentalizohet për interesa të ulëta humanizmi që nuk diskutohet në të tilla raste?

E politikanët e Shqipërisë, kur iu bie doza e patriotizmit, Kosovën e kanë bateri rezervë. Na çajnë kokën me fjalë të mëdha. Veç kujtojeni Sali Berishën që premtonte nënshtetësi për të gjithë shqiptarët. Mos e harroni as Edi Ramën me fluskat e tij patriotike.

Deshi a nuk deshi dikush, Kosova e pavarur është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit të saj për ta fituar lirinë, për ta fituar shtetin. Shqipëria ka mundur ta ndihmojë, të bëjë më shumë, por nuk ka dashur. Ose nuk ka ditur.

* * *

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të ndihen inferiorë ndaj Tiranës, ngase Tirana nuk është kurrfarë qendre e shqiptarizmës. Kosovarët nuk duhet të ndihen keq pse e kanë shtetin e vet. Ata nuk janë pakicë kombëtare, pavarësisht se dikush do të dëshironte të ishin të tillë.

Përkundrazi, duhet të ndihen krenarë, sepse shteti i Kosovës është fryt i përpjekjeve ndër breza, është fryt i sakrificës e vetëmohimit. Është fryt i gjakimit për liri e pavarësi. Është fryt i gjakimit për Kosovën Republikë.

Shteti i Kosovës, e jo Shqipëria është problem për Beogradin. Shteti i Kosovës, e jo Shqipëria është makth për Serbinë. Me qasjen e vet, edhe politikanë, edhe opinionistë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, vetëm sa po i ndihmojnë Beogradit. Mbase edhe pa vetëdije, ata janë bërë aleatë të Serbisë në zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Kosova shtet është realitet dhe për këtë nuk duhet të kompleksohet askush. Sa më shpejt që çlirohen nga kompleksi i Kosovës shtet, aq më mirë. Shteti i Kosovës nuk është as i Hashim Thaçit, as i Isa Mustafës, as i Kadri Veselit, as i Ramush Haradinajt, as i Albin Kurtit. Shteti i Kosovës është i qytetarëve të tij. Është i kosovarëve.

Por, shteti i Kosovës nuk ka nevojë për armiqësi me Tiranën. Jo, ka nevojë për respekt të ndërsjellë ndërshoqëror, e bashkëpunim ndërshtetëror. Paçka se hajvanë këndej e andej kufirit do të dëshironin vasalitet, e jo partneritet. Hajvanë si tipi që ngre dilemën "ose me Cecën, ose me Nënë Terezën".

*Titulli origjinal: Dilema hajvanësh

Gazeta "Express"

 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

A mundet kush me shpiegue cfare asht shqiptarizma? Jo per gje, po mua me duket se eshte nje fjale e sajuar per interesa te caktuara bejlereske-politike, dmth qe dikush, apo disa te ngrejne nje flamur, demek ate te shqiptarizmes, dhe te duken si lidera (kjo fjale rimon me pedera).

Submitted by Mikamixu (not verified) on

Te gjitha keto komente mediatike jane bla, bla, bla dhe mbi te gjitha cheap... Gara kush eshte me patriot, kush eshte me shqiptar, ne apo kosovaret, kush I kundervihet me shume serbise etj ka te beje me manine e semure te shqiptareve, ne Shqiperi dhe ne Kosove per te folur per tema te medha pa i kuptuar fare. Ja psh autori me siper thote qe shteti i pavarur Kosoves eshte fryt i vetemohimit, sakrificave, gjakut etj... Vertet e ka? Dmth jo se nuk eshte e vertete qe eshte derdhur gjak, dhe nuk ka vend qe nuk i nderon heronjte por hej le ta shohim te verteten ne sy te pakten njehere.
E para, kufijte e shteteve te ngritura ne trojet ku banojne sot shqiptaret jane vendosur nga shtetet e medha. I mban sot njeri inat Frances, Britanise apo Gjermanise pse territori shqiptar u nda dhe kosova ngeli me Serbine (dhe Cameria me Greqine) ne Konference e Londres? Ncq? Pse? Historia u perserit (dhe nuk u vendos drejtesia historike sic tallen disa) ne 1999 dhe ne 2008 me Kosoven. Per qellime strategjike, nuk dua te hyj ne detaje, u vendos qe Kosova te shkeputej dhe te fitonte pavaresine. Ata qe nuk kane force ta besojne, le te shohin sot konfliktet ne Siri dhe Ukraine. Nqs Rusia do kishte qene ne te njejtat pozicione te forta si sot, asnje lloj vetemohimi dhe gjaku shqiptar nuk do mjaftonte per te bere Kosoven shtet. Sot Rusia ka derguar floten ne Mesdhe, dhe te gjithe heshtin. Ne 1999, bota ishte ende unipolare dhe ishte fati i Kosoves Kjo mjaftoi per te gjunjezuar Serbine dhe Millosheviqin qe e genjeu mendja se mund te sillej si i barabarte me te medhenjte.
e dyta, ata qe mendojne qe Perendimi eshte me Shqiperine dhe me Kosoven dhe kunder Serbise, jane ne nje enderr te keqe dhe duhet te zgjohen asap per te miren e tyre. Kujtoni si US, u hodh ne krah te Gjermanise, akoma pa dale dekada e pare e luftes se dyte boterore dhe i rimekemben ekonomine, Serbia duhet te sillet si Gjermania, do thone disa. Ok, Kjo sot nuk ndodh, po neser? Serbia ka ne dore celsin e prezences ekonomike dhe ushtarake ruse ne Ballkan. Po Kosova cfare interesi paraqet? Kjo pyetje retorike mjafton per sqaruar se cili aktor eshte me i rendesishem sot per Perendimin. Nga ana tjeter, Shqiperia eshte shtet anetar i NATO dhe kete duket qe serbet e kuptojne me mire se kosovaret dhe madje vete shqiptaret.
Ne ekuacionin ballkanik sot Serbia eshte e panjohura e madhe dhe vlera e saj strategjike eshte teper e larte ne nje bote pothuajse dypolare ku Amerika po terhiqet nga pozitat e meparshme. Europa Lindore (Ukraina), Kaukazi (Gjeorgjia) dhe Lindja e Mesme (Siria) sot kane konflikte te hapura qe marrin jete njerezish cdo dite. Keto konflikte kane vetem nje shkak, verberine e politikaneve, mediave dhe pseudoanalisteve ndaj gjerave fare te thjeshta. Ballkani per momentin i ka rezistuar kesaj tendence por asgje nuke eshte e sigurt.
Marredheniet e mira Serbi-Shqiperi mund te duken utopike por jane e vetmja garanci per shmangien e nje konflikti te armatosur. Kosova nuk duhet te harroje se Shqiperia eshte vend anetar i NATO dhe te mendoje si shtet, bazuar ne interesa dhe jo emocione.

Submitted by Pucisti (not verified) on

Ky hajvan shtremberon fjalet e te tjereve ose nxjerr nga konteksti disa shprehje dhe pastaj nderton nje argument qe eshte totalisht demagogji. Nqs kerkon tu referohet te tjereve, duhet ti cilsoj me emer, te citoj fjaline/paragrafin e plote dhe pastaj te ndertoj argumentin e vet. Perndryshe nuk ben qe tjeter vecse nje propagande te dale boje antishqiptare

Submitted by Fillestari (not verified) on

Artikulli ne fjale eshte nje shfryrje emocionale nen moden "anti elitariste", marrezi qe duket se po pushton, edhe universin shqiptar. Qe Tirana eshte qendra e kombit shqiptar, qe ka luajtur ne keto 70 vitet e fundit nje rol primar ne mbijetesen e kombit shqiptar ne territoret e ish-jugosllavise dhe qe ka vene gurin themeltar te shtetit te Republikes se Kosoves, keto jane realitete qe per nje arsye te pakuptueshme autori i shkrimit e quan me vend ti diskutoje! Une nuk e di per ke e ka fjalen autori kur flet per "xhelozi" e per nihilizem te Tiranes. Nese flet per ata qe (si une) e quan shtetin e kosoves nje gje shume pozitive, por realitet te destinuar per te mbetur efemer ne historine boterore, autori po ngaterron logjiken elementare per nihilizem. Shume mire qe shqiptaret e Kosoves po lejohen te drejtojne veten e tyre, por nje shtet qe 3/4 e fqinjeve i ka hostile, qe nuk ka asnje tradite te berjes se shtetit (Shqiperia e Tiranes ka 100 vjet shtet dhe i ka punet per fqe te zeze!) dhe asnje aleance strategjike te qendrueshme me perjashtim te asaj me Tiranen, i ka tere shancet kunder vetes.
Shqiptaret (ne Kosove apo ne Shiperine e Jugut) bejne mire te mbajne mend ke kane te afert dhe mos te genjehen si femijet nga konceptet virtuale si "shtet sovran". "shqiptarizem" etj etj. Historia eshte tekanjoze dhe ndryshon shpejt drejtim. Per 20 vjete e ca kendej se fundmi shqiptaret kane patur nje fat te papritur, por qe mund te ndryshoj shpejt. Shqiparet e Kosoves me shume dashamiresi duhet te kujtohen se shpallja e pavaresise eshte vec nje hap i shkurter ne nje histori te gjate qe nuk ka mbaruar me kaq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.