Vetëm sondazhi LA Times tregon një epërsi të Trump-it

Postuar në 17 Tetor, 2016 18:25
Eduard Zaloshnja

Portali amerikan RealClearPolitics raporton çdo ditë sondazhet më të fundit rreth garës Clinton-Trump dhe llogarit mesataren e tyre. Sot mesatarja e 6 sondazheve më të fundit tregon një epërsi të Clinton-it me 5.5 pikë përqindje. Por vetëm njëri nga këta sondazhe – ai i gazetës me prirje të majta Los Angeles Time – tregon një epërsi të Trump-it me 1 pikë përqindje.

Pesë mediat e tjera – ku përfshihen media me prirje të djathta, të majta e të qendrës – si ABC Neës/Wash Post, NBC News/Wall St. Jrnl, FOX News, Economist/YouGov dhe Reuters/Ipsos – tregojnë një epërsi të Clinton-it që varion nga 4 pikë në 10 pikë.

Në fakt, sondazhi LA Times ndryshonte ndjeshëm nga mesatarja e RealClearPolitics edhe katër vjet më parë – një ditë parazgjedhjeve të atëhershme ai tregonte një epërsi të Obamës prej 3.5 pikësh, ndërsa mesatarja e RealClearPolitics tregonte një epërsi prej vetëm 0.5 pikësh. Dhe Obama i fitoi zgjedhjet me 4 pikë epërsi…

Nga pikpamja metodologjike, sondazhi LA Times, i cili kryhet nga statisticienët e Universitetit të Kalifornisë së Jugut, ndryshon prej të tjerëve si nga natyra e kampionit (rreth 3000 të anketuar që intervistohen çdo javë, krahasuar me rreth 1000 që përdorin mediat e tjera në çdo sondazh të veçantë), ashtu edhe nga karakteri probabilitar i pyetjeve rreth votimit. Kështu, në sondazhin LA Times, nuk pyetet vetëm se për kë është i prirur i anketuari të votojë, por edhe për probabilitetin që ka i anketuari të shkojë të votojë ditën e votimit për kandidatin e parapëlqyer.

Duke kombinuar probabilitetet e atyre që kanë votuar para katër vjetësh për kandidatin demokrat, me ato të atyre që kanë votuar për kandidatin republikan ose që nuk kanë votuar fare para katër vjetësh, sondazhistët e LA Times, llogarisin se sa vota mund të marrë Trump-i, sa Clinton-i dhe sa kandidatët e tjerë.

Të shohim nëse sondazhi LA Times do të jetë i saktë kësaj rradhe, kur kompanitë amerikane të basteve i japin fitores së Trump-it koeficientin 6.6…  

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Po sondazh per vrasjen e Sharres do besh o gazetar antisistem?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.