Leksioni kosovar për Edi Ramën

Postuar në 17 Tetor, 2016 09:54

Përballja e fundit mes aktorëve politikë e mediatikë të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, na mëson diçka më shumë, ose bën të njohur mënyrën sesi ky i fundit kalon nga transparenca e gabimeve të tij.

Në fillim foli Berat Buzhala dhe ai u publikua në mediat e ndryshme të Shqipërisë. Buzhala hodhi në fakt një status në Facebook, pra jo një shkrim, por sërish ai u mor si qëndrim publik. Nga Tirana nuk pati ndonjë reagim; heshtje si konveniencë apo ndoshta pse kryeministri ishte në kulmin e suksesit në Beograd.

Më tej nisën zëra të tjerë që kulmuan me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Në vend të një sqarimi, apo ndjese publike, apo qëndrimi rikonfirmues, ekipi që i shkon nga prapara Edi Ramës si puna e shiut pas reve, u kap në befasi. Nisi pastaj ai sulmi i zakonshëm që pulson sa nga njëra media në tjetrën. Kompleks inferioriteti u tha për Hoxhajn, a thua Edi Rama si lider i Ballkanit komplekson këdo që është në dijeni të ekzistencës së tij. Më tej, batareja e shkrimeve që si të thuash hapi rubinetin e asaj mërie që nuk e duron dot më arrogancën e kotë dhe pa bereqet të kryeministrit shqiptar. Milazim Krasniqi hodhi dy shkrime, pa folur për rrjetet sociale.

Në Tiranë pushuan shënimet e arsyetuara për të kaluar te suksesi i librit “Kurban” në Beograd. E njëjta teknikë që ndiqet për skandale të ndryshme në Shqipëri.
Kryeministri u shfaq në vetë të parë të në seancën e radhës të performancës javore si spiker i asaj që kishte bërë. Paraprakisht dha një intervistë për një media ku specifikonte se “kishte folur në interes të Kosovës dhe jo për Kosovën”. Baton Haxhiu u hodh në mbrojtje të “hollë”, mandej sot shohim Shkëlzen Maliqin, këshilltar i Edi Ramës që thotë se “nuk ka komb kosovar”, si dhe ambasadorin Qemal Minxhozi që përsërit frazat e Ramës: “kryeministri foli në interes të Kosovës”.

Kjo të kujton atë filmin ku kujdestarit të konviktit i lidhin litarin në shkallët edhe ai natën rrëzohet. Vetëm se kësaj radhe duket se litarin e vendosi vetë Rama. Si ndodhi pra që “lideri i Ballkanit” shkoi e u ngatërrua me këmbët e veta në Beograd?
Ndoshta kjo erdhi pse kryeministri preferon axhendat personale, që shpesh edhe i improvizon, atij i pëlqen provokimi në diplomaci, pasi kështu merr meritat në media. Por pa koordinim, pa respekt për përfaqësuesit e vërtetë të Kosovës dhe pa u marrë vesh, ndodh edhe kjo që ndodhi. Që nuk i shërben askujt në fakt, përveçse opinionit shqiptar në Shqipëri e Kosovë për të parë se ku të çon karabushllëku dhe arroganca. Njësoj sikundër këto shpërthime i bëjnë mirë ridimensionimit të dialogut mes Kosovës e Shqipërisë, për ta vënë atë në hulli të realizmit dhe larg emocioneve.

Sa për Edi Ramën, u duhet thënë atyre që po vrapojnë ta lyejnë e të tundin temjanin për të larguar “shpirtrat e këqinj”: mos u lodhni. Me siguri që po e mendon skeçin e ri të estradës politike, atë mekanizmin që do të korrigjojë imazhin e vet të grisur keq kësaj radhe. Fundja nëse ka një talent te ky njeri është pikërisht kjo: publiciteti. Edhe nëse do t’i duhet t’i bëjë një konçesion Thaçit duke flakur pa problem ndonjë radikal Kosove. E keqja në këtë histori nuk është ai, por tamtami mediatik që në vend se të nxirrte thelbin e kësaj që ndodhi, u mor me rregullim imazhi, amortizim dëmi e të tjera punë të pista servilësh si e si për të vënë në gjumë opinionin nga kjo gallatë e shpëlarë e një politikani që shpesh nuk di çfarë bën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.