Ok Ramës edhe një mandat, por pastaj të zhduket

Postuar në 16 Tetor, 2016 02:14
Bilbil Beqiri

Që në fillim duhet të jemi të qartë se mandatin e dytë të Edi Rames nuk e përcaktojnë polemikat gazetareske por vota e popullit. Ndërsa ne kemi të drejtën të shprehim vetëm opinionin tonë në lidhje me këtë temë. Kuptohet secili me argumentat e vetë. I pari që artikuloi hapur idenë e një mandati të dytë për Edi Ramën ishte Henri Çili. Një deklaratë që bëri jo pak bujë në qarqet mediatike.
Edhe unë jam i mendimit se Edi Rama duhet të qeverisë edhe një mandat të dytë, dhe për këtë kam edhe unë argumentat e mia, ose më saktë kam disa ‘kushte’.

Kushti i parë është që Edi Rama në mandatin e dytë nuk duhet të qeverisë me ekipin ministror aktual. Ne e kemi të pamundur të kemi një mendim qind për qind objektiv në lidhje me ministrat e tij aktualë, por mendimi subjektiv në lidhje me secilin prej tyre është sidomos më keq. Nuk dua t’i përmend këtu se janë të shumta akuzat për një pjesë të madhe të ministrave gjatë këtyre tre vjetëve.

Në mandatin e dytë nuk duhet të përfshijë në lista kandidatë të përfolur për të shkuar kriminale. Sepse alibinë ‘Vetëm kështu mundej Saliu’ nuk e ka më, dhe është më shumë se kurrë në kushtet e kompetencës për t’i paraqitur elektoratit një listë me figura të denja për ta përfaqësuar atë.
Argumenti i tretë sipas meje se përse Rama duhet të qeverisë edhe një mandat tjetër ka të bëjë me opozitën. Eshtë e qartë se opozita nuk është e gatshme të bëhet pozitë në kushtet akuale për shumë arsye. Opozita akoma nuk ka një program të qartë ekonomik dhe nuk ka qartësuar akoma kuadrot frymëzuese që në terrenin opozitar duhet të evidentohen më shpejt. Më pak fjalë opozita e sotshme nuk mund të vijë në pushtet me pushtetin e djeshëm, sepse populli atë e ndeshkoi njëherë. Opozita të punojë mirë e mirë me veten edhe katër vjet të tjera, që të jetë vërtetë e denjë dhe frymëzuese pas mandatit të dytë të Edi Ramës.

Gjatë këtij mandati argumeti se fajin e Saliu e ka ruajtur freskinë e tij dhe do ta ruajë për fanatikët e Rilindjes deri në fund. Me mandatin e dytë argumeti se fajin e ka Saliu do të zhduket dhe çrrenjoset njëherë e mirë, çka do të na japë mundësinë të komentojmë performancën e qeverisë pa justifikime.
Kushti im i katërt ose argumenti im i katërt ka të bëjë me Edi Ramën drejt përdrejt. Edi Rama nuk është një emër i ri në politikë. Unë jam rritur duke dëgjuar emrin e tij. Po të kishte qenë gjella më e shijshme në botë tashmë do na ishte bezdisur. Prej ministër aktiv, në kryetar bashkie akoma edhe më aktiv, e së fundmi kryeministër, ditë për ditë Edi Ramë, Edi Ramë, Edi Ramë. T’i japim edhe një mundësi të fundit dhe pastaj të largohet nga skena njëherë e mirë dhe t’jua lërë vendin emrave të rinj. T’i japim edhe një mundësi, të bëjë çfarë ka ndërmend të bëjë si justifikimin e fundit e tij dhe të largohet nga skena politike pa kthim mbrapa. Pas katër vjetësh argumenti ‘Boll më’ i përdorur kundër Berishës do përdoret edhe ndaj Edi Ramës.Sepse Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për të bërë zëvendësime në të gjitha sferat e e jetës e jo më në politikë.

Ndërsa do ishte gjë shumë e mirë po ta shihnim Edi Ramën duke lënë jashtë listash emrat e vjetër që datojnë që nga e shkuara komuniste. Nuk e di sa shpesh na vjen ne mend për llogari të tilla por nuk duhet të harrojmë që jemi në vitin 2016 dhe të shohësh në foltoren e kuvendit akoma figura që datojnë që nga koha e komunizmit e bën Edi Ramën fajtor. Faj që duhet ta shlyejë në mandatin e tij të dytë dhe të fundit si kryeministër.

Comments

Submitted by Pellazgu (not verified) on

Ky po na thotë se uji nuk turbullohet sipër, por poshtë; se nuk e ka fajin Kryeshefi autoritar i kabinetit, por konet ministra që shurrojnë vetëm kur e shohin, jo më kur kreu hap gojën e flet! Bilbili që na qenka rritur duke dëgjuar emrin e Kryeshefit dhe gjatë gjithë viteve të rritjes së tij, nga kërriç, në gomar, nuk paska dëgjuar për ato që kanë ndodhur në Ministrinë e Kulturës, kur klientelës iu dhanë me çmimin qesharak 100lek/m2 pothuaj të gjitha kalatë dhe qendrat e tjera historike, si dhe për lejet e ndërtimit në Bashki, apo për koncesionet këto tre vite.
Ka shkarravitur një çarçaf për të na thënë se këtë le ta zgjedhim edhe një herë, sepse tani nuk do të dëgjojmë nga goja e tij shprehjen sa bajate, aq edhe të ndyrë "fajin e ka Saliu". Shikoni si flet Kryeshefi me gojën e Bilbilit: "Argumenti i tretë sipas meje se përse Rama duhet të qeverisë edhe një mandat tjetër ka të bëjë me opozitën. Është e qartë se opozita nuk është e gatshme të bëhet pozitë në kushtet aktuale për shumë arsye. Opozita akoma nuk ka një program të qartë ekonomik dhe nuk ka qartësuar akoma kuadrot frymëzuese që në terrenin opozitar duhet të evidentohen më shpejt. Më pak fjalë opozita e sotshme nuk mund të vijë në pushtet me pushtetin e djeshëm, sepse populli atë e ndëshkoi njëherë. Opozita të punojë mirë e mirë me veten edhe katër vjet të tjera, që të jetë vërtetë e denjë dhe frymëzuese pas mandatit të dytë të Edi Ramës." A nuk e shpreh "keqardhjen" Kryeshefi, sot e gjithë ditën, që "kjo opozitë nuk është opozitë", ndonëse Ai "do të donte të kishte një opozitë të vërtetë përballë"? Kështu thotë edhe Beqiri, kur shprehet: "Është e qartë se opozita nuk është e gatshme të bëhet pozitë në kushtet aktuale për shumë arsye." A nuk ulëret Kryeshefi, sot e gjithë ditën, që "kjo opozitë është copë-copë dhe nuk meriton të kthehet në pushtet"? Ashtu thotë edhe Beqiri, kur shkruan: "Opozita akoma nuk ka një program të qartë ekonomik dhe nuk ka qartësuar akoma kuadrot frymëzuese që në terrenin opozitar duhet të evidentohen më shpejt." A nuk na shurdhon Kryeshefi, sot e gjithë ditën, me shprehjen bajate se "këta nuk duhet të hapin gojën, pasi populli u dha 1.000.000 shuplaka"? Kështu thotë edhe Bilbili, kur shprehet: "Më pak fjalë opozita e sotshme nuk mund të vijë në pushtet me pushtetin e djeshëm, sepse populli atë e ndëshkoi njëherë. Opozita të punojë mirë e mirë me veten edhe katër vjet të tjera, që të jetë vërtetë e denjë dhe frymëzuese pas mandatit të dytë të Edi Ramës."
Si ky Beqiri gjen plot nëpër portale, forume e blogje të ndryshëm dhe kjo nuk ka pse të nna habisë. Ajo që më habit shumë është fakti se ky Beqiri i përket një brezi që duhet të synojë ndërtimin e një sistemi politik krejt të ndryshëm nga ky i 25 viteve të fundit, ku Kryeshefi i tij ka qenë për 15 vite resht në krye të punëve! Por jo, ky dhe te tjerë, që prostituojnë intelektualisht lulishteve të Kryeshefit dhe partisë së tij, kërkojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre duke shërbyer si zagarë, paçka se shërbimi i tyre dëmton të ardhmen e tyre dhe të shoqërisë. Opozita nuk është vetëm Berisha, por është edhe më gjerë. Nuk është e thënë të ikë Rama e të vijë Berisha në pushtet. O Bilbil nuk mashtron dot askënd, duke analizuar një sërë gabimesh të Kryeshefit dhe duke mos përmendur më madhoren: kanabizimin e vendit, që, nëse vijon dhe nuk luftohet ashpër, në të ardhmen e afërt do të jetë gangrena e kësaj shoqërie! E për këtë fajin e kanë ata që përfituan nga 1.000.000 votat që shqiptarët i dhanë atij që mbronte lazaratasit, me në krye Shefin e madh, që vetëm mu për këtë shkak duhet t'u shporret shqiptarëve nga sytë e jo të drejtojë sërish!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.