Meta intervistë për "Kathimerini", quan spekulantë Idrizin e Ramën: "Përdorin axhenda nacionaliste për qëllime elektorale"

Postuar në 16 Tetor, 2016 12:24

Vizitën e tij në Athinë Ilir Meta e ka plotësuar edhe me kuadrin mediatik, ku përveç raportimeve dhe interesit me të cilin u ndoq kjo vizitë, gjeti pasqyrim edhe në gazetën "Kathimerini", një nga mediat më prestigjoze të shtetit fqinj. Kreu i kuvendit u shfaq në Athinë bashkë me një grup deputetetësh si për të konfirmuar se axhenda e parlamentit të Shqipërisë ndryshon nga ajo e partive politike. Dhe mesazhi i drejtëpërdrejtë ishte për Shpëtim Idrizin dhe Edi Ramën, dy aleatë me perspektivë në zgjedhjet e ardhshme, të cilët kanë ashpërsuar tonet në raport me Greqinë.

Ilir Meta flet për spekulantë që përpiqen ta përdorin çështjen çame për qëllime elektorale.

"Duhet të ndalojmë tendencat, në të dy anët e kufirit, që përpiqen të spekulojnë dhe hedhin benzinë në zjarr duke përdorur çështje të së kaluarës për qëllime elektorale. Besoj se vullneti ekziston si në Tiranë, ashtu edhe në Athinë për të zgjidhur çdo çështje të mbetur nëpërmjet dialogut të hapur e transparent, përmes vullnetit të mirë, besimit të ndërsjellë, dhe përmes një përqasjeje konstruktive, ashtu siç bëjnë vendet evropiane. Interesat tanë strategjikë duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe e vetmja rrugë përpara është përmes dialogut, jo përmes manovrave oportuniste politike " deklaron Meta për "Kathimerini".

Ai tha se Ligji i pakuptimtë Luftës, të cilin Greqia e mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë duhet të abrogohet përmes një akti formal, akti që do të konfirmonte klimën ekzistuese pozitive mes dy vendeve tona.

"Mes dy fiqnjëve të mirë dhe dy vendeve anëtarë të NATOs nuk mund të ketë ‘Gjendje Lufte’. Ky është një paradoks! Cështja e dytë më e rëndësishme lidhet me historinë e të kaluarës sonë dhe mendoj se edhe nëse hapin plagë të së shkuarës, ne duhet t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive, pragmatike dhe bashkëpunuese. Nuk ka asnjë çështje për të cilën ne nuk mund të diskutojmë si fqinj! Përballja me historinë, ashtu siç kanë bërë kombe të tjerë evropianë në të kaluarën, do të përgatiste terrenin e duhur për të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që lidhen me varrezat greke në territorin shqiptar, tekstet e historisë, delimitimin e shelfit kontinental dhe patjeter me ‘çështjen Çame’, për të cilën ne kemi qëndrime të kundërta dhe të ndryshme. Besoj se vizita e delegacionit tonë parlamentar në Athinë ishte një tjetër ‘gur’ në urën që po ndërtojmë së bashku, për të avancuar drejt një stadi ‘vllazëror’ të marrëdhënieve tona", theksoi Meta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.