"Droni" i dytë në Beograd - Edi Rama – idealist!!!

Postuar në 15 Tetor, 2016 11:58

Edi Rama një idealist. Mund t’ia thuash kujtdo dhe me gjasë do të qeshë me të madhe. Idealizmi ngjan të jetë arratisur nga ky vend për të mos u kthyer më. E megjithatë ja që etiketa e tij i ngjitet në qafë kryeministrit shqiptar. Përcaktimi vjen nga një shkrim që i kushtohet Ramës në gazetën serbe “Danas”, e që ka për autor Radivoj Cveticanin, rimarrë dhe përkthyer në anglisht nga botuesi i Ramës në Serbi, agjencia “B92”. Është një piedestal moralizues, për ne që jetojmë në Shqipëri, i zhdrejtë, por që na jep një mësim për të kuptuar se trupi ballkanik është ende i pamësuar me shtamat agresive të marketimit politik.

Edi Rama dështoi si diplomat në Beograd, zero probleme me fqinjët që u valëvit si ungjilli paqëtues, përfundoi në Problem me shqiptarët dhe gallatë e zënka me Vuçiç. Por tjetër histori pastaj ajo e qëllimit më serioz të vizitës: promovimi i librit “Kurban” që është menaxhuar në mëyrë të tillë që të kapë në çark kureshtjen e një pjese të opinionit, prej nga ku prodhohen mandej kësi shkrimesh.

Autori rrëfen ngasjen e librit: atë kurbanin e demokratëve me një qengj të therur para Bashkisë Tiranë në vitin 2011. Një ceremonial që për shumëkënd do të shtyjë pyetjen për përkatësinë fetare të Edi Ramës që ngatërron këtu edhe njëherë në mënyrë të hollë ngjyrat, për të dhënë nga një anë “ikona” dhe nga ana tjetër ejakulacionin anticivilizues të “barbarëve”. Kjo e ka mahnitur autorin në fjalë:

Ai kërkoi nga politika – të paktën siç ai dëshmon – përherë të njëjtën gjë që kërkoi nga arti të cilit iu përkushtua në fillesë: lirinë dhe të vërtetën. Tingëllon patetike, por është pikërisht kjo kur bën llogaritë në fund. Sigurisht, ne nuk jemi aq të rinj sa të mos jemi të vetëdijshëm për faktin se hipokrizia politike flet po njësoj për këto çështje. Por çfarë e bën Ramën një nga ata që duhet t’i kushtojmë vëmendje nuk është fakti se ai i përqafoi idealet nga parimet e lirisë dhe të së vërtetës, por ai krijoi një praktikë me premisë idealet. Ai pagoi shpesh një çmim shumë të lartë për këtë...”, shkruan autori. Mandej edhe plani i vrasjes në vitin 2011, për të cilin “ ai shkruan jo me paranojë, por me keqardhje”, shkruan ai(http://www.b92.net/eng/news/society.php?yyyy=2016&mm=10&dd=15&nav_id=99410).

As më shumë e as më pak, kjo parathënie i ndërton cektas një kult të vockël vanitoz kryeministrit shqiptar: ca pse ashtu lexohet libri nga një perspektivë “serbe”, ca pse në Ballkan artistët bëjnë lajm kur hyjnë në politikë. Në fund Edi Rama ka fituar atë për të cilën edhe ekziston: vëmendjen. Ai është interesant si politikan dhe si shkrimtar, fiton atë njohjen që përftohet njësoj si në pikturën e politikës shqiptare, të cilën “padashur” Cveticanin e nxjerr duke rrëfyer mbresat për “Kurbanin”. Artisti që kërkon lirinë dhe të vërtetën, që ecën duke pranuar dhe gëlltitur çdo gjë si për të ndjerë vetë erën dhe shijen e ngjyrave të realitetit, por pa bërë kompromisin me idealet. Thjesht krijon praktikën prej tyre siç thotë autori.

Në fund kemi kryeministrin si personazh kryesor të pikturës shqiptare brenda një Shqipërie “të cilën ai do ta ndryshojë, pavarësisht se e mburr me krenari dhe dhimbje”. Por kemi edhe artistin që na jep librin, të cilin nuk mund ta lexojmë si kaq të spikatur pa hequr mendjen se atë e ka shkruar Edi Rama, kryeministri. Shqiptari nga një vend i papërfillur për arte.

Një kurth perfekt për lexuesit, për mediat, por edhe për një truk që vlen më shumë: për imazhin e një autori – protagonist, i ndërlikuar, në mos i sofistikuar. Pse të mos e duartrokasësh këtë komedi që ka ndodhur në Beograd? Fundja, Rama i luajti mirë edhe ata. Thjesht kjo lojë luhet në fasadë. Dhe për disa do pak kohë të kuptohet.

Të mos i ngatërrojmë ngjarjet, as të mos i shpikim ato. Arti i Edi Ramës është çështje private, deri diku e një grupi të interesuarsish. Jo e publikut, të cilit i shërbehet për të tjetërsuar optikën e errët mbi Ramën kryeministër. I cili në këtë rast nuk e kërkon të vërtetën, thjesht luan me ngjyrat për ta bërë atë të padukshme.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Puh, sa kam qeshur. Edi Rama idealist? Hahahahahahahaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.