Autostrada e Paqes, a janë Rama e Vuçiç pajtuesit e shqiptarëve dhe serbëve?

Postuar në 15 Tetor, 2016 11:24

Forumi ekonomik i Beogradit u përcoll nga zyra për shtyp e kryeministrit si një tjetër sukses në axhendën rajonale të qeverisë shqiptare, ndonëse palët ishin të pabarabarta dhe jo të gjithë shqiptarët ishin të përfaqësuar në këtë nismë rajonale.
Drejtoresha e Bankës Botërore e quajti Autostrada e paqes, duke shprehur vlerësimin për Ramën e Vuçiç si dy liderë me vizion për të ardhmen.
"..ndihem e nderuar nga prania e Kryeministrit Vuçiç dhe Kryeministrit Rama, të cilët kanë ndërmarrë një angazhim të paprecedent për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve të tyre. Të dy ata kanë manifestuar mençuri, largpamësi dhe aftësi drejtuese për të realizuar një bashkëpunim rajonal më të gjerë, duke e ditur se kjo është rruga drejt zhvillimit më të shpejtë, vendeve më të mira të punës dhe futjes në BE për secilin vend të Ballkanit Perëndimor"- tha Goldstein në Beograd.
Me pak fjalë bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë e Serbisë shihet si rruga e pajtimit mes shqiptarëve e serbëve, rrugë të cilën po e shtrojnë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Kjo nuk është e vërtetë, pasi konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve ose thembra e Akilit ka qenë dhe është çështja e Kosovës. Në Forumin e Beogradit udhëheqësit politikë të Kosovës nuk ishin të pranishëm dhe të drejtën për tu përfaqësuar nuk ia kishin deleguar as kryeministrit Rama. Megjithatë ky i fundit preferoi të shfaqet si përfaqësues i gjithë shqiptarëve, duke e kthyer një çështje kaq delikate në protagonizëm politik.
"Kur nuk komunikojmë, jo vetëm që nuk sillemi si fitimtarë, por krijojmë hapësira për të kundërtën e asaj që mendojmë, pengojmë një proces që në radhë të parë është një proces që na intereson ne, pengojmë një proces që në radhë të parë duhet ta shohim si një proces që është për njerëzit tanë, është për familjet, është për ata që duan një ekonomi më të mirë, për ata që duan një punë e kështu me radhë. Nuk është proces që politika mund ta marri, ta mbylli në sallën e Parlamentit e ta kthejë në arenë për t’u kacafytur mes vedi se kush e do më shumë Kosovën, kush e do më shumë Shqipërinë, kush e do më shumë flamurin"- deklaroi Rama. Reagimet në Kosovë treguan se Autostrada e Paqes është një rrugë që nuk kalon vetëm nga Tirana e Begradi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.