"Ikim nga Rilindja, kjo fatkeqësi kombëtare që e kthehu Shqipërinë në konvikt të të kërkuarve nga drejtësia ndërkombëtare”

Postuar në 13 Tetor, 2016 14:58

Ben Blushi ka zyrtarizuar sot largimin nga Partia Socialiste përmes një fjale në Parlament. Ikën nga PS-ja një deputet i vjetër i saj, duke konfrimuar kështu atë prirje që po zë vend mirë aty: Timoni rikthehet në duart e vjetra të atyre që ishin armiq të shqiptarëve dhe të historisë në vitin '91. Por edhe të njerëzve që janë pasuruar e pasurohen me çdo formë. Më poshtë fjala e Blushit: Më poshtë fjala e Blushit:

"Dua të bej sot me dije një vendim që kam marrë bashkë me kolegen time te nderuar, zonjën Mimoza Hafizi.

Nga sot zonja Hafizi dhe unë nuk do jemi më deputetë të Rilindjes. Sot jemi të çliruar, si njerëz të lirë, të cilët kanë vendosur të ndahen nga e drejta e qeverisë për të qenë e padrejtë, nga tendenca e partive për të qenë private...

Nëse doni një arsye po jua them: Ne vendosëm të largohemi nga një grup politik që zgjodhi të eliminojë zgjedhjet e lira. Ne nuk bashkëjetojmë dot në një parti që nuk do zgjedhje.

Në fillim të këtij viti, për çudinë e gjithkujt, por jo tonën, Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të Shqipërisë të mos ketë më zgjedhje. Ky ishte një akt pushtimi, me të cilin as kemi rënë dakord dhe as do biem kurrë dakord, pasi konkurrencën e lirë të ideve e konsiderojmë themelin e një shoqërie të bazuar mbi lirinë dhe demokracinë.

Besoj se është rasti këtu të kujtoj se në mënyrë absurde Rilindja vendosi që njeriu që do drejtojë Partinë Socialiste të mos zgjidhet me vota, por me referendum, sikur të ishte një çështje dhe jo një njeri, çka duket sot edhe më qesharake në kushtet kur të njëjtit njerëz që zgjodhën kryetarin e tyre me referendum, i mohojnë referendumin gjithë shqiptarëve, të cilët nuk janë dakord me importimin e mbetjeve në vend.

Megjithatë nuk jemi as të fundit dhe as të parët, të cilëve u rastisi të hyjnë në një parti demokratike, e cila u kthye në një ndërmarrje private, që përveç pasurisë së ortakëve, nuk respekton asnjë normë tjetër.Partia Socialiste nuk është as i pari dhe as i fundit aset publik që blihet nga disa aksionerë për t’u administruar si një biznes privat.

Natyrisht ky privatizim është një nga arsyet për të ikur me vrap. Ne besojmë se partitë duhet të jenë publike dhe vendimet e tyre të merren në mënyrë kolegjiale. Çdo gjë tjetër është një sipërmarrje që i shërben interesit privat dhe jo atij publik.

Megjithatë nuk është vetem kaq. Sigurisht që nuk është kaq pak.

Ne besojmë se Rilindja nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, përkundrazi ka thelluar traditën e qeverisë së vjetër, duke mbështetur të pasurit kundër të varfërve, të fortët kundër të dobëtve, të ligjshmit kundër të paligjshmëve, duke nxitur kësisoj pabarazinë dhe polarizimin social, që është plaga më e thellë e një vendi, i cili po zhytet çdo ditë në depresion, në korrupsion dhe emigracion kronik, për shkak të qeverisjeve të dobëta dhe klienteliste.

A ka rast më tipik se sa vrasja e një fëmije që punonte në Sharrë, për bukën e gojës dhe për të cilin Rilindja nuk ka thënë qoftë edhe një ngushëllim, megjithëse ai humbi jetën duke punuar në një territor publik, për të cilin shteti ka përgjegjësi?

Shumë njerëz me siguri ikin nga Shqipëria për të shpëtuar fëmijet e tyre nga fati i Ardit Gjoklajt. Ne po bëjmë shumë me pak se ata: po ikim nga partia që nuk mbrojti Arditin, por vrasësit e tij. Çfarë duhej të na detyronte të bëheshim me pronarët kundër puntorëve? Asgjë, në asnjë rast! Ne zgjodhëm të mbrojmë Arditet, Rilindja zgjodhi të mbrojë importuesit dhe kjo na ndau.

Megjithatë nuk është vetëm kaq.

Ne besojmë se Rilindja ka ushqyer me qëllim banalizimin dhe vulgarizmin e politikës, duke sjellë në këtë parlament si dhe në administratën shtetërore njerez që më parë kishin vrarë, kishin dhunuar dhe kishin trafikuar, duke e kthyer banditizmin në një normë shoqërore dhe duke i krijuar vendit imazhin e një xhungle, ku fiton i forti dhe ku humb gjithmonë ai që respekton ligjin.

Rilindja e ktheu Shqipërinë në një ferr për të varfërit, në një burg për të mjerët dhe një parajsë për spekulantët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ndoshta edhe pak më shumë se kaq: Parlamentin e Shqipërinë e ktheu në konviktin më të madh politik të atyre që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe atyre që duan t’i shpëtojne drejtësisë shqiptare.

Ne nuk duam të jemi bashkë me këta njerëz në një parti.Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në çadër të banditizmit që mbrohet nga shteti.

Ne largohemi sot si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhëtoi me ndërgjegje të varfërit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cënojnë jo vetëm besimin e tyre tek një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të delirit të pushtetit.

Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord.

Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën.

Ne jemi të bindur se Rilindja e cënoi me qëllim arsimin publik, duke lënë rrugëve mijëra fëmijë dhe studentë, në emër të të cilëve prindërit e tyre kishin paguar taksa për një të ardhme më të mirë se ajo që kishin patur.

Nëse një regjim vendos t’i tradhëtojë qytetarët e vet, këtë nuk e bën as tek ushqimi, as tek kurimi, as tek taksimi, as tek pensionimi, por tek arsimi. Ne këtë drejtim Rilindja është unike. Të gjitha qeveritë zakonisht tradhëtojnë të shkuarën. Rilindja ka vendosur të tradhëtoje të ardhmen, duke e nisur me arsimin, të cilin e degradoi krejtësisht. Kurrë një vend nuk ka prodhuar më tepër injorancë dhe mediokritet. Rilindja do mbahet mend si laboratori më i madh i injorancës në historinë e këtij vendi dhe nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg: Shihni çfarë ka sjellë në parlament, për ta kuptuar dashurinë e Rilindjes për budallallëkun dhe injorancën.

A mund të bashkëjetonim ne në këto kushte?

Pothuajse e pamundur dhe e panevojshme.

Ne jemi të bindur se Rilindja e ktheu në politikë shtetërore kanabizimin e vendit, duke shkatërruar ëndrrën e një vendi normal, që e bazon të ardhmen e vet mbi punën dhe meritën dhe jo mbi ekonominë e zezë, e cila po shton skllavërimin e të papunëve, po korrupton intistucionet dhe po ndez vatrat e konfliketeve hakmarrëse në mbrojtje të aktiviteteve ilegale.

Ne kemi qenë vazhdimisht kundër kanabizimit, por ai fitoi të drejtën e qytetarisë me shumicën e votave të Rilindjes dhe pa asnjë votë kundër. Kanabisi sot është e vetmja politikë ekonomike që Rlindja ka çuar deri ne fund me sukses të dukshëm dhe të merituar.

Vetçm kaq do mjaftonte për të ikur nga Rilindja me vrap dhe nëse unç kam një pendesë, është si nuk e kam bërë këtë më përpara. Nëse diçka më ka mbajtur, ka qenë nevoja për të kuptuar deri nç fund dëmin dhe peshën e tmerrshme mbi shoqërinë, por ndoshta dhe shpresa se diçka mund të ndryshojë.

Por sot nuk kam më shpresë dhe dua t’i them gjithë shqiptarëve që Rilindja është një fatkeqësi kombëtare, e cila duhet ndëshkuar me votë.

Për këtë arsye kemi vendosur t’i bashkohemi me mijra shqiptarëve të tjerë, të cilët besojnë se vendi ka nevojë për një projekt të ri politik, i cili garanton barazi, drejtësi, mbrojtje të interesit publik dhe mbi të gjitha modesti.

Ne besojmë me bindje se Shqipëria sot është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një iniciative politike, e cila ju jep mundçsi njerëzve të zakonshëm ta drejtojnë Shqipërinë.

Dhe kjo është ajo që do bëjmë: një projekt për njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk ndahen për shkak të pasurisë, por bashkohen për shkak të drejtësisë së bindjeve të tyre". 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.