Teza e kompromisit të Çabejit me fashizmin, e pavërtetë*

Postuar në 10 Tetor, 2016 11:31
Prof. Emil Lafe

Në një polemikë me prof. Nasho Jorgaqin në “Panorama” të datës 7 tetor, prof. Romeo Gurakuqi formulon tezën e një “impostimi kompromisi deri dhe servitor” ndaj Italisë dhe më pas ndaj Wehrmacht-it “nga pjesa më e rëndësishme e elitës shtetformuese dhe ajo liberal-demokratike, të cilët u përpoqën që fatalitetin e pushtimit fashist, të cilin e konsideronin të përkohshëm dhe të pashmangshëm, ta amortizonin utopikisht, duke mos e lënë të përplasej egërsisht mbi shtetin dhe shoqërinë”. Në vijim ai shprehet se “Jashtë këtij impostimi nuk ka mbetur as gjuhëtari ynë i madh Eqrem Çabej, ministër i Arsimit në një prej qeverive kuislinge.

Ndryshe nga sa falsifikon “shkencëtari” (është fjala për prof.Nasho Jorgaqin–E.L.), ai ka qenë pjesë e rëndësishme e Institutit të Studimeve Shqiptare, kuvendeve shkencore të organizueme nga kjo njësi studimore e paarrirë, që nuk i shërbeu fashizmit, por para së gjithash shkencës albanologjike”. Kam punuar në të njëjtin Institut me prof. E.Çabejnë nga viti 1959 deri në fund të jetës së tij (1980) dhe shumë vjet kemi qenë në një zyrë. Duke pasur marrëdhënie të afërta me të dhe me miqtë e tij bashkëkohës më të mirë, e ndiej për detyrë të them botërisht se Eqrem Çabej nuk ka të bëjë aspak me teorinë e “impostimit” të prof. R. Gurakuqit. E. Çabej nuk iu nënshtrua shpirtërisht as fashizmit, as nazizmit dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë simpati për ata që nuk ditën ta mbanin shpinën drejt, por u bënë subjekte të teorisë së impostimit. Të vërtetën për E.Çabejnë në këtë periudhë e ka shkruar qartë dhe në mënyrë të dokumentuar prof.Shaban Demiraj në librin e tij “Eqrem Çabej. Një jetë kushtuar shkencës”, nga i cili po sjell pjesën më poshtë:

Në vitin shkollor 1939-1940, Çabej u transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Me sa duket autoritetet pushtuese shpresonin ta bënin për vete këtë profesor me kulturë, që kishte fituar emër të mirë me studimet dhe botimet e tij. Por u gabuan. Ai ishte njeri që nuk gënjehej nga të joshurat e armiqve dhe nuk bëhej në asnjë mënyrë vegël e tyre. E këtë e kuptuan shpejt edhe autoritetet pushtuese, siç na dëshmon, ndër të tjera, edhe një shkresë që Federata e Fashios së Tiranës i dërgonte Drejtorisë Qendrore të Partisë Fashiste Shqiptare më 29.07.1940. Në këtë shkresë, ku jepeshin të dhëna karakterizuese për mësuesit e Liceut të Tiranës, për Çabejn thuhej: “Eqrem Çabej: Drejtor. I vetmi person përgjegjës për veprimet e këqija të kryera nga studentët e Liceut në demonstratat e njohura të 28 nëntorit 1939. Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi me politikën fashiste. Prandaj duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për a shkarkuar nga detyra që kryen tashti”.

Në këto rrethana autoritetet pushtuese italiane e larguan “me lezet” Çabejnë nga Shqipëria, duke i gjetur një “punë shkencore” pranë Akademisë së Shkencave në Romë. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij të mbikëqyrur për të punuar për Atlasin gjuhësor shqiptar. Gjatë qëndrimit në Romë autoritetet italiane në 1942 dhe gjermanët në 1943 i propozuan që të bëhej ministër i Arsimit në qeveritë kuislinge të Tiranës, por ai nuk pranoi. Lidhur me këto propozime ai shkruan ndër të tjera në autobiografinë e tij:

Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkëpunim me të huajin, çdo gjë që nuk pajtohet me nderin tim si shqiptar dhe me të mirën e vendit e të popullit”. Një tjetër ngjarje e shënuar e kësaj periudhe është edhe letra e datës 27.09.1942 drejtuar kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Në atë letër ai shkruan ndër të tjera: “Ju lutem, në mënyrë miqësore, të keni mirësinë e të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arsyeja e kësaj kërkese është se si mis i këtij Instituti figuron Atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet se nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare …”.

Këto që shkruan prof. Sh. Demiraj në librin e tij, i kam dëgjuar më parë edhe nga vetë prof.E.Çabej në raste bisedash të tij me miq e kolegë të afërt. Shpreh keqardhjen time për këtë orvatje të qëllimshme të prof. R. Gurakuqit për të njollosur emrin e prof. E. Çabejt dhe e ftoj ta rishikojë qëndrimin e tij dhe ta përjashtojë emrin e Eqrem Çabejt nga teoria e impostimit. Këtë “mëkat” nuk kanë guxuar t’ia përflasin E.Çabejt as në fletërrufetë e mirënjohura kundër tij!

"Panorama"

Polemika mes Nasho Jorgaqit dhe Romeo Gurakuqit mund të lexohet këtu: https://www.voal.ch/romeo-gurakuqi-nasho-jorgaqi-gegofob-e-persekutor-i-...

*Titulli origjinal: Përgjigje Gurakuqit për Eqrem Çabej

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Eqerem Cabej ruajti deri ne fund te jetes se tij panvarsine etiko-morale, shkencore-intelektuale, ideollogjike dhe politike. Edhe nga vete diktatura e "proletariatit" u perpoq te ruante paperlyeshmerine e tij me sa qe e mundur, ndonese kjo ishte e veshtire ne kete kohe dhe ne pozicionin e tij. Ne mos gaboj, nuk ishte as antar partie, si shume te tjere. Eqeremi mund te kritikohet vetem ne disa perfundime te tij historike, te cilat ishin te ndikuara nga shkolla metafizike gjermane (Austri) ku mesoi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.