Katari drejt kontrollit të “Deutsche Bank”

Postuar në 10 Tetor, 2016 18:42

“Deutsche Bank” ngjan se është në prag të gjunjëzimit. E parë përherë si një simbol i qëndrueshmërisë dhe forcës së ekonomisë gjermane, banka në fjalë nuk i ka rezistuar dot sfidave të viteve të fundit.

Në një shkrim të fundit, revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se banka ka shpresë të rimarrë rolin që ka patur vetëm nëse familja mbretërore e Katarit ndërhyn me fonde. Hyrja e katarezëve në lojë daton në vitin 2014 kur ish-drejtuesi ekzekutiv i DB-së, Anshu Jain vendosi që të pranonte ofertën e ish- kryeministrit të Katarit, Sheikh Hamad bin Jassim bin Jabor al-Thani, që të investonte në bankë 1.75 miliardë euro. Al – Thani ishte fillimisht klient dhe me shifrën në fjalë u kthye në një nga aksionerët kryesorë të bankës, 10% e aksioneve të së cilës kontrollohen nga Katari.

Situata e krijuar me gjobën e SHBA që arrit në 14 miliardë dollarë bashkë me akuzën për mashtrim që e shoqëron atë ka krijuar pasiguri të madhe te klientët dhe aksionerët. Banka vendosi të marrë një drejtor të ri Ekzekutiv, John Cryan, i cili siç thotë “Spiegel” po u përcjell aksionerëve fjalë të mira dhe garanci që nuk kanë ndonjë besueshmëri.

Nga lëvizjet e kryera dhe humbjet në bursë, al-Thani dhe kushëriri i tij, Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani, humbën mbi 1 miliardë euro. Arsyeja e investimit të tyre të vazhdushëm në bankë, është rënia e çmimit të aksioneve të tyre. Ambicia që po shfaqet hapur është blerja e 25% të aksioneve në bashkëpunim me fonde të tjera që kanë shprehur interes. Nëse kjo ndodh menaxhimi i bankës do të ndryshojë dhe pakënaqësia me Cryan është shprehur tashmë hapur.

“Der Spiegel” shkruan se Banka Qendrore Europiane nuk ka shprehur asnjë rezervë mbi këtë plan të DB-së dhe hyrjen në lojë të Katarit. As qeveria gjermane nuk duket se do të lëvizë për të bërë diçka, as për të mbrojtur në treg një kompani që lidhet me Gjermaninë. Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, e ka përcjellë ftohtë këtë që po ndodh duke u shprehur se:

Nuk kemi problem me një investor si ky. Nuk ka ndonjë të dhënë të tregojë se investitorët nga Gjiri Persik kanë ndonjë axhendë të fshehur dhe si çdo investitor strategjik ata thjesht po hedhin paratë e tyre aty ku mund të marrin një kthim të shpejtë të fitimit për investimin e tyre”.

Schäuble nuk do lëvizë as gishtin edhe sikur Katari të marrë kontrollin e 25% të aksioneve, ndërkohë që një zyrtar nga stafi i tij ka deklaruar se “nëse arrihet deri aty, atëherë “Deutsche Bank” është një institucion gjerman vetëm nga emri”.  Lajmi për një paketë shpëtimi nuk konfirmohet dhe mund të ndodhë nëse banka rrezikon të infektojë sistemin financiar në tërësi. Karahasimet me “Lehman Brothers” që bëhen në SHBA nuk qëndrojnë dhe aq sa kohë DB ka rezerva në para që shkojnë në 215 miliardë euro. E megjithatë siç shkruan revista në fjalë, “e ardhmja e DB-së varet nga ajo se çfarë do të bëjë sheiku i Katarit me aksionet e veta”. 

 

http://www.spiegel.de/international/germany/qatari-investors-eyeing-cont...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.