Debati i dytë presidencial, Trump: Unë kam thënë vetëm fjalë për gratë, Bill Klinton ka abuzuar me vepra

Postuar në 10 Tetor, 2016 10:15

Në Seint Ljuis të Mizurit u zhvilua debati i dytë presidencial Klinton-Trump në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra.
"Ja kush është Donald Trump", tha zonja Klinton. Ndërsa Trump u shpreh se: "Nuk jam krenar për videon. Shihni Bill Klintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra. "Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë," tha zoti Trump.
Ai tha se komentet e tij të publikuara të premten ishin thjesht biseda spontane, por Bill Klinton, - tha ai, - ka qenë abuzues i grave dhe Klinton i ka sulmuar këto gra. Zoti Trump kishte sjellë në sallën e debatit tre nga gratë që e kanë akuzuar Klinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.
Kur debati u përqendrua tek emailet e zonjës Klinton, zoti Trump tha se ai do të emëronte një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij. "Ju do të përfundonit në burg", tha ai, duke nënkuptuar se ajo kishte shkëmbyer materiale të klasifikuara duke përdorur një server privat, kur ishte sekretare e shtetit.
Të pyetur për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, Klinton tha se Rusia po përpiqet t'i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, "ndoshta ngaqë ai e ka lavdëruar Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon të bëjë biznes në Moskë."
Trump u përgjigj se ai nuk ka kredi me Rusinë. "Mund të pyesni pranë qeverisë amerikane dhe ata mund t'jua thonë këtë, sepse ata i njohin fare mirë të dhënat e mia financiare", tha kandidati republikan.
E pyetur lidhur me strategjinë për Sirinë, zonja Klinton tha se ajo nuk do të dërgonte trupa tokësore në Siri, por do të mbante atje forca speciale.
I pyetur se cila është strategjia e tij nëse qyteti Aleppo bie, zoti Trump tha se në thelb Aleppoja ka rënë. Ai kritikoi ashpër politikën e administratës Obama për Sirinë raporton Voa.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.