Serbia synon ta diskutojë me Shqipërinë ndarjen e Kosovës

Postuar në 08 Tetor, 2016 22:12
Halil Matoshi

Të gjitha Serbitë ia kanë mësyrë Kosovës të nxitura nga intenca grabitqare dhe këtë Noel Malcolm e shpreh përmes metaforës së të uriturit përballë vitrinës me ushqime.

Sipas Jovan Ristiqit në “Historinë diplomatike të Serbisë”, libri II (1898) pas depërtimit të ushtrisë serbe në rajon, “në Arnautllëk kishte mbetur ushqim dhe bagëti si plaçkë, që ishte e mirëseardhur për ushtrinë tonë.” (Shih për këtë: Petrit Imami, “Srbi i Albanci kroz vekova”).

Dhe si kundërpërgjigje projektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Serbia ka vazhduar spastrimin etnik të këtyre krahinave kosovare deri në vitet 1912-13 dhe, më pas, kur edhe aneksoi tërë Kosovën (me viset e sotshme të banuara me shqiptarë etnikë në Maqedoni dhe ato nën Malin e Zi).



Pastaj, Serbia mbretërore (SKS) e pastaj edhe Serbia federale nën komunizmin jugosllav, e deri te Serbia fashiste e Milosheviqit dhe kjo postfashiste e Vuçiqit, duke e përdorur dendur “mitin e Kosovës” si djep të Serbisë dhe serbizimit, në emër të këtij miti të rremë, u ka shkaktuar fqinjëve të vet shumë gjak e vuajtje, deri në përmasa gjenocidale.

Njëqind vjet është djegur toka e Kosovës dhe njerëzit e saj, në emër të mitit historik për “Kosovën si djep i Serbisë”, e tashti, fillimisht Boris Tadiqi (ish-presidenti serb) i ka hyrë misionit historik ta rrënojë këtë mit, i cili, siç vlerësuan ai dhe shkrimtari Svetislav Basara, jo vetëm që qenkësh i rremë, por edhe i banalizuar si instrument në duart e politikës ditore dhe po e penguaka Serbinë në shtigjet prosperuese dhe integruese.

Dhe Tadiq fillimisht shfaqet i gatshëm të ndajë “djepin e serbizimit” (Krahinën jugore serbe) hiç më pak se me Shqipërinë (duke vëzhguar se në Tiranë ekzistojnë qarqe që po ashtu e trajtojnë Kosovën si “krahinë të Shqipërisë”), për ta arritur pajtimin historik mes dy kombeve.

Natyrisht në dëm të të tretit.

Synimi i Tadiqit është i qartë si kristali.

Fshirja e Kosovës edhe si nocion gjeografik, por para së gjithash si entitet juridik-politik nga harta gjeopolitike e Evropës dhe botës, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare (Kosova sovrane është e njohur nga 110 kombe të botës), por edhe nga kujtesa historike.

Dhe kur lidershipi kosovar nuk u turr të binte në këtë kurth (qysh rëndom bie), ai u rishfaq sërish në rolin e kadiut otoman, duke akuzuar Prishtinën zyrtare se qëllimi i saj i fundit na qenkësh krijimi i “Shqipërisë së Madhe”!?

Serbia po i prin betejës për ripërkufizim etnik me Shqipërinë (natyrisht duke anashkaluar Kosovën si fakt), duke kërkuar etnicizim të mëtejmë të shteteve, e këtë karrem etnonacionalist duket se po e hanë edhe disa shqiptarë, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë.

Serbia zyrtare që nga Garashanini, Vasa Çubriloviqi e Ivo Andriqi ka prodhuar dhjetëra dokumente antishqiptare e së voni edhe antikosovare, saqë kur i kujton përmasat e fuqisë së saj ushtarake, secili vrojtues i Ballkanit habitet sesi kanë mbijetuar shqiptarët etnikë në Kosovë deri në ditët e sotme, madje duke arritur edhe pavarësinë kombëtare, Republikën e Kosovës (2008)?

Që në “Librin e kaltër” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), që ishte përgatitur nën patronazhin e “babait të serbizimit”, Dobrica Qosiq, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1974, që si pako quhej Memorandumi i Parë i SANU, ishte në realitet Memorandumi i Tretë (pas Çubriloviqit dhe Andriqit) mësyhej t’u bëhej shqiptarëve jeta e padurueshme në Kosovë, për t’i nxitur ata që të ikin, ose nëse s’do të iknin dot, për të provokuar kryengritje e për ta justifikuar çdo lloj represioni e shtypjeje deri në përmasat e gjenocidit ndaj tyre.

Memorandumi i Parë i SANU (Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve) është botuar në gazetën e Beogradit “Veçernje novosti” më 24 dhe 25 shtator 1986.

E kanë shkruar rreth 20 autorë, ndër ta kryesorët ishin Antonije Isakoviq, Dushan Kanazir, Mihajlo Markoviq dhe sipas gjasave edhe Jovan Rashkoviq.

Porse baba ideologjik i tij llogaritet shkrimtari nacionalist, Dobrica Qosiq.

Kurse autorë të Memorandumit të Dytë (Libri i bardhë) janë Dobrica Qosiqi dhe filozofi Ljubomir Tadiqi (baba i Boris Tadiqit.)

I pari zë vang kinse tek rrezikimi i serbëve në Kosovë dhe kërkon zgjidhje ushtarake (me luftë), kurse i dyti kërkon zgjidhje politike, pra një “përkufizim me Shqipërinë” në mënyrë paqësore (“Razgranićenje sa Albanijom”), mirëpo qëllimi mbetët i njëjtë, ideja e Serbisë së madhe.

Kësisoj, Serbia i ka futur në kurth disa shqiptarë naivë dhe elemente antishtet për të bashkëpunuar për ta shpërbërë shtetin dhe shoqërinë kosovare.

Ashiqare, etnonacionalistë jointeligjentë dhe ndonjë plak i matufosur si çifti i Dritëro Agollit i janë bashkuar Tadiqit dhe Daçiqit në idenë se nuk ka kosovarë, që në thelb do të thotë se nuk ka as shtet kosovar. Kjo është jo vetëm marrëzi, por edhe thirrje për përplasje (luftë civile) mes integristëve shqiptarë dhe etatistëve kosovarë, sepse shumica absolute e kosovarëve, duke qenë se nuk kanë atdhe rezervë pos kësaj Republike ndihen të çorientuar dhe të fyer dhe ata do ta mbrojnë shtetin e tyre nga çfarëdo pazari që e nxit Beogradi dhe i shkojnë prapa disa shqiptarë injorantë.

Republika e Kosovës nuk është në shitje, ajo është e pandashme dhe e përhershme.

Është fituar me gjakun e derdhur të kosovarëve gjatë një shekulli lufte politike dhe kryengritje të armatosura,

Sipas asaj që e tha së voni Ivica Daçiqi, se nuk ka kosovarë, por vetëm shqiptarë të Kosovës, serbë etj. D.m.th. se shqiptari i Kosovës është thjesht pakicë nën Serbi, kurse kosovari nënkuptohet se është sovran, titullar i kombit që ka në pronësi shtetin kombëtar të Kosovës!

Në anën tjetër ish-ambasadori amerikan në Tiranë dhe njeriu ndër më meritorët për Kosovën e pavarur, Christopher Hill, duke folur për një Ballkan të papërfunduar dhe me shumë sfida, tha se Tirana zyrtare kurrë nuk ka qenë e interesuar për bashkim me Kosovën.

“Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së madhe”.

a.) Etnia e shumicës së kosovarëve është shqiptare dhe kjo është një konstantë. Nga kjo etni ka lindur kombi kosovar (të gjitha kombet e botës janë artificiale dhe politike, pra të panatyrshme) dhe kjo është një variabël. Kombi kosovar mund të maturohet me bazë qytetare, pra të bëhet shumetnik nëse pos grupeve tjera etnike që pothuajse e kanë pranuar kosovarizmin edhe serbët mund të pranojnë vullnetshëm (politikani Nenad Rashiq deklaroi se ai ndihet kosovar) lojalitetin ndaj shtetit dhe kombit të ri, përkatësisht ata do të vendosin nëse duan të bëhen pjesë integrale e kombit unik kosovar, apo t’i ruajnë vetitë e minoritetit etnik serb!?

b.) Etnia shqiptare si shumicë absolute në Kosovë (ta quajmë simbolikisht si Dardani ose Arbnia e Epërme) është titullare e kombit kosovar dhe e ka në pronësi të vetën shtetin kosovar.

c.) Të jesh shqiptar i Kosovës e jo kosovar si entitet juridik-politik d.m.th. je pakicë etnike në një shtet të huaj (nën Serbi sipas qejfit të Memorandumit 2, pra të dy Tadiqëve dhe Daçiqit&Co.

d.) Të jesh kosovar, përket politikisht në "njësi të rritur", pra përket në shtet sovran!

Ata që janë hedhur “në vijën e parë të frontit” për Shqipërinë e madhe si Tadiq e Daçiq (por edhe ndonjë Visar Ymer a Dritëro Agoll) mund të zgjedhin me kosovarizmin apo me Daçiqin!

Mes këtu nuk ka më.

 

"Koha Ditore"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.