Nuk jeni aq i sigurtë sa doni të hiqeni zoti Kryeministër

Postuar në 06 Tetor, 2016 16:46

Kryeministri është në siklet, kurse në të gjithë jemi në hall. Seanca e sotme parlamentare i nxori kokën frikës së Edi Ramës ndaj zemërimit për ligjin e importit të mbetjeve, i cili theu rutinën e “lajmit 3 ditësh”.

Pasi nisi angazhimin me përgjigje në Facebook, pasi nxori disa ministra që i bëri qesharakë nga njëra fabrikë në tjetrën dhe pasi bëri atë që nuk e jep as Google, panairin e mbetjeve, si e si për të na mbushur mendjen se mbetjet janë të mira, sot Edi Rama doli me një qëndrim aliazh, ku bashkohet kaosi i veprimeve të opozitës me interesin publik dhe statistikën e bërë turshi të “popullit më filoamerikan në Europë”.

Një kërkese shumë të thjeshtë për referendum për ligjin e mbetjeve, Edi Rama i është përgjigjur me akuzat karakteristike ndaj PD-së, të cilat nuk i interesojnë më askujt. Referendumi mund të jetë cenuar – pse jo qëllimisht – nga vënia në lëvizje e tij prej demokratëve, që i dolën para shoqërisë civile, por kjo nuk i heq kurrfarë rëndësie shqetësimit të përgjithshëm. Shqetësim që merr domosdoshmëri për t’u zgjidhur me votim, kur dëgjon Edi Ramën që fshesh frikën e vet pas fjalive të tilla:

Vetëm një referendum do ishte sot i sinqertë por të propozohej nga PD, ai për të ndërprerë procesin e integrimit në BE dhe për të përzënë ambasadën amerikane nga Shqipëria, por sigurisht që kjo është diçka që zemra mund t’ua dojë, por gjunjët nuk ua mbajnë.

Ndërkohë që kazani më i madh i mbeturinave të korrupsionit, krimit, mafias, është sistemi i drejtësisë dhe sot ne kemi këtu një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit”.

Fjalë boshe të një demogagjie të varfër.

Nuk është sekret fakti se Donald Lu është pro qeverisë së Edi Ramës, pro koalicionit që deri më dje e akuzonte se mbyti parlamentin dhe politikën me të inkriminuar. Mund të ketë shumë arsye për këtë gjë. Mundet edhe që loja me gogolin e ambasadës, që e bën kryeministrin shqiptar të flasë si Spartak Ngjela, të jetë një vijë e qëndrueshme, e cila bashkë me njësi të caktuara mediatike, synojnë të godasin klanin e Sali Berishës në PD. Të destabizojnë opozitën gjoja nën shqetësimin e reformimit.

Por kjo nuk ka të bëjë aspak me një fakt fare të thjeshtë: Shqipërinë zoti Rama e mbushe me hashash dhe tani edhe me plehra. Nuk na duhet as Donald Lu, as Sali Berisha dhe askush tjetër ta kuptojmë këtë apo ta “harrojmë për një çast” pse nga krahu tjetër është “e keqja”. E cila nuk ka sesi të imunizojë çdo akt kaq të pabesë dhe kaq jo transparent që qeveria po i bën qytetarëve.

Të gjitha këto akrobaci janë një ndihmë falas pse shumëkush kupton se kryeministri ka frikën e protestës dhe zgjerimit të saj përtej dhe pavarësisht axhendës së PD-së me të cilën bën këtë teatrin e të enjtes.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.