Drejt ngërçit miratimi i Vettingut, PD shkon në Kushtetuese, ambasadorët në zyrën e Xhafës

Postuar në 05 Tetor, 2016 11:53

Teksa Partia Demokratike ka bërë të qartë qëndrimin se Ligji i Vetting-ut bie ndesh me Kushtetutën, ambasadorët e BE dhe SHBA kanë nisur sërish lëvizjet për të kordinuar qëndrimet me mazhorancën e majtë. Ambasadori Lu dhe Vllahutin ishin paraditen e së mërkurës në zyrën e kreut të Komisionit të Reformës në Drejtësi, një ditë para seancës kur duhet të votohet paketa e 6 ligjeve të reformës.Nga ana tjetër Partia Demokratike do t’i qëndrojë rrugës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e ligjit. Në rrugë jo zyrtare PD ka bërë të ditur edhe argumentet e saj për antikushtetueshmërinë e ligjit.

Sipas saj, ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Në argumentat e saj PD thotë se “Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, sic janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme. Organet e reja të vettingut  vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.  Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut”.

PD kërkon nga  Gjykata Kushtetuese që të marrë në konsideratë edhe mundësinë që pezullimi i ligjit, të shoqërohet me këkesë për mendim nga Komisioni i Venecias

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.